Donika Mustafaj “zbulon” dy dimensionet e Laver Bariut
Më 27 nëntor do të shfaqet në Përmet premiera e dokumentarit mbi jetën dhe figurën e “babait” të kabasë, usta Laver Bariut
Pas dy dokumentarëve “Jetë pezull” dhe “Magjia klarinetë”, Donika Mustafaj do të prezantohet sërish para publikut me një tjetër dokumentar, “Ustai i fundit”, premiera e të cilit pritet të shfaqet më 27 nëntor në sallën e kinemasë të qytetit të Përmetit. Bëhet fjalë për mjeshtrin e kabasë, usta Laver Bariun, i cili sillet nga regjisorja sa në aspektin njerëzor, aq edhe në atë profesional, gjatë këtij dokumentari. Në një shikim të parë, nuk mund të mos bëjë përshtypje montimi i realizuar me ndjeshmëri dhe nuhatje regjisoriale, gjë që sjell një ndërthurje të planeve filmike, tepër të arritur do të thoshim, duke pasur parasysh raportin e tyre me subjektin dhe qëllimin e krejt filmit. Ndër të tjera, e goditur si gjetje është një nga komponentët tepër të rëndësishëm në çdo dokumentar, kolona zanore (piano), e cila vjen sa ëmbël aq vajtueshëm, spontane, përrallore, njësoj sikurse kabaja e mrekullueshme që diti ta fryjë vetëm Laver Bariu. Usta Bariu shihet nga regjisorja në dy plane: e para, si mjeshtër ndoshta i fundit në llojin e vet dhe, e dyta, si një njeri që ka thyer tabutë e parasë dhe të rakisë. Dokumentari nis me Usta Bariun, i cili është duke parë një tjetër dokumentar rreth klarinetës, të realizuar po nga regjisorja Mustafaj. Siç tregon Donika, kjo zgjidhje është bërë për të qenë sa më e natyrshme në përballjen e parë të dokumentarit me publikun. Origjinaliteti e shoqëron më tej filmin që zgjat rreth 35 minuta, me biseda dhe reagime krejt spontane të Laver Bariut, të cilat ndonjëherë krijojnë situata komike, ngazëlluese e herë tjetër prekëse mes lotëve dhe dhimbjes së një shpirti të pastër. Siç shprehet Donika Mustafaj, zbërthimi i personazhit të usta Laver Bariut ka qenë synimi kryesor i saj dhe kjo gjë nuk ishte aspak e thjeshtë:
“Në fillim ai refuzonte të intervistohej, por me kalimin e kohës ne u bëmë miq. Mbaj mend që nga grupi im i xhirimit pati nga ata që e quanin të pamundur dhe donin të largoheshin, por kishte të tjerë që më inkurajuan sepse te Laveri gjenden të përziera përmetari i butë, gjeniu në klarinetë, i thyeshmi dhe i pathyeshmi. Unë, në shumë raste duroja sepse mendoja që nuk mund të ishte ndryshe një artist i tillë dhe se, në fund të fundit, kisha respekt për punën që bëja. Rezultati kishte rëndësi: të arrija të tregoja qartë, në mënyrë të ndershme, jetën e një njeriu si ai që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në trashëgiminë folklorike muzikore shqiptare me klarinetën e tij”. Ana njerëzore te një artist të ndihmon më mirë të njohësh veprën e tij. Sipas kësaj formule ka vepruar edhe regjisorja Mustafaj, e cila sjell me anë të dokumentarit thyerjen e tabuve të kohës nga usta Bariu, siç janë rakia dhe marrëdhënia me paranë. Po përse vjen ky dokumentar mbi Laver Bariun? “Sepse, gjatë kërkimeve të mia për dokumentarin ‘Magjia klarinetë’, u njoha për herë të parë me Ustain tek i cili më bëri përshtypje personaliteti i pazakontë, ku vesi ndërthurej me virtytin”, - thotë Mustafaj. Laver Bariu njihet si krijues i katër kabave, njëra prej të cilave përbën kulminacionin e muzikës isopolifonike të Shqipërisë së Jugut. Në dokumentar kemi edhe një analizë (sado relative për shkak të minutazhit të kufizuar) mbi vlerat dhe talentin e Laver Bariut. Për Ustain flasin miqtë e tij, personalitete të njohura të artit dhe kulturës, si shkrimtari i madh Dritëro Agolli, kompozitori Aleksandër Peçi, poeti Xhevahir Spahiu, studiuesi prof. dr. Sokol Shupo etj. Si përfundim, mund të thuhet se me të vërtetë ky dokumentar arrin të zbardhë diçka mbi dy dimensionet e usta Laver Bariut, i cili aktualisht është në moshën 80-vjeçare dhe jeton në Përmet, ku ka ndërmend të mbyllë ditët e tij pandashëm nga gota e rakisë, duhani dhe klarineta...
25 Nentor 2008