E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkim Ahmeti rikthehet në Tiranë me nudot dhe Mbretin



Pas ekspozitës në Kalanë e Gjirokastrës, një tjetër ekspozitë personale vjen këtë muaj për piktorin e njohur Bashkim Ahmeti, i cili prej kohësh jeton dhe punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kësaj here, ekspozita do të çelet në Galerinë Kombëtare të Arteve (26.11.2008). Publiku do të ballafaqohet me krijime të piktorit Ahmeti që janë realizuar nga artisti përgjatë tre viteve të fundit. Ekspozita do të shoqërohet edhe nga një katalog ku paraqiten 97 vepra, të realizuara gjatë periudhës 2005–2008.
Pikturat dhe imazhet që servir artisti janë kompozuar në Nju Jork, por i përkasin temës “Shqipëria e përjetshme”, e cila, sipas kuratorit Ylli Drishti, shfaqet para nesh me imazhe nga natyra shqiptare, tema historike (rreth figurës së Mbretit) dhe nudot, që janë pjesë e pandashme e frymëzimit dhe realizimit të piktorit. Punimet e ekspozuara të trondisin me zgjidhjet kompozicionale origjinale, freskinë koloristike të papritur, magjinë e një këndvështrimi postmodern piktorik të imazheve, që realizohen me një talent të jashtëzakonshëm. Ato prezantojnë një teknikë perfekte pikturimi si në realizimin pastoz të penelatave, qoftë edhe në velaturat e përdorura që krijojnë emocione tronditëse. Asnjë detaj i pikturave të tij nuk është lënë jashtë vëmendjes, çdo gjë është realizuar në perfeksion. Piktori ka të preferuara tri ngjyra që janë okra e artë, bluja mesdhetare dhe e kuqja verbuese “onufriane”. Bashkim Ahmeti konsiderohet që para viteve ’90 si një ndër piktorët më të talentuar shqiptarë, po kështu edhe më i suksesshmi sa i takon shitjes së pikturave të tij, sidomos në një nga ankandet e zhvillura vitet e fundit në kryeqytet, ku piktori grumbulloi shumën prej rreth 250 mijë eurosh vetëm nga shitja e tablove të një ekspozite. Ahmeti ka një krijimtari që shtrihet në katër dekada dhe që, përveç pikturës, ka të bëjë edhe me punime në skenografi e kostumografi, pedagogji etj. Artisti ka krijuar tablo në teknikën e vajit, afreskut dhe grafikës. Veprat e tij janë pjesë e koleksioneve individuale apo të galerive e muzeve të ndryshëm në Europë, si dhe në kontinentet e tjera e, natyrisht, nuk mund të mungonin në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve në kryeqytet.
Petrika GROSI

25 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›