Donika Omari: Përkthimet e mira nuk promovohen
Jo vetëm që ka ardhur koha, por jemi me vonesë në realizimin e projekteve të tilla, të sugjeruara nga modele të njohura në vende të tjera të botës. Nuk jam në gjendje të them mënyrat se si mund të arrihet, por di që shumë vepra po shkojnë dëm. Ndodh që përkthehen e nuk merren vesh që përkthehen, ndodh edhe që përkthehen keq. Roli i përkthyesit është shumë i madh. Sot ka shumë të rinj që nuk promovohen ose promovohen botime të cilat nuk janë cilësore. Në këtë kuadër lexuesi e ka të vështirë të bëjë dallimin mes vlerave nëse dikush nuk e drejton në atë që është e mirë. Ngritja e një shtëpie përkthimi është e rëndësishme edhe për promovimin e letërsisë në botë. Ne duhet t‘i bëjmë të njohura vlerat tona, në këtë rast përmes letërsisë, sepse deri më tani i kemi bërë të njohur botës vetëm anët negative.