Hans Joachim Lanksch: Duhen krijuar kushte botimi, jo përkthimi
Jam skeptik ndaj idesë së nji shtëpie përkthyesash në Shqipni. Të më falë ideatorja, zonja Meksi, kur them që ideja tingëllon mjaft idealistike, por edhe pak megalomane. Nji institucion i tillë do të hante para të trasha (shtëpia dhe mirëmbajtja e saj, biblioteka, bursa qëndrimi etj.) të cilat mund të investoheshin ma mirë. Vetë zonja Mira Meksi e formulon, e pavetëdijshme, pyetjen kyçe të kësaj çashtje: "Portat e saj hapen vetëm nëse përkthyesi ... por edhe të ketë një kontratë botimi në vendin e vet për veprën e përkthyer". Botuesat jashtë nuk interesohen për letërsinë shqipe. Jashtë Shqipniet mund të pyesësh dashamirët e lexuesit e letërsisë për letërsinë shqipe, dhe kudo (ndoshta me përjashtimin e Francës) ata do të përmendin vetëm nji emën, atë të Kadaresë. Ma shumë nuk njihet letërsia shqipe edhe pse janë përkthye edhe vepra autorësh të tjerë. Me fjalë të tjera, botimi i autorëve të panjohun të nji letërsie pak a shumë të panjoftun paraqet nji rrezik financiar për botuesin. Shtëpitë e mëdha botuese nuk janë të gatshme me rrezikue nji humbje financiare. Përkthyesi ndoshta mund të gjejë ndonji shtëpi të vogël idealiste botuese, botimet e së cilës ndërkaq mbeten pa jehonë jashtë qarqeve lokale a rajonale. Botime të tjera autorësh shqiptarë, në të shumtën e herave, janë prodhime miqësish, njohurish a rastësish. Çfarë dobie ka nji shtëpi përkthyesash ku, ndoshta, rrijnë përkthyesa gju me gju me autoren a autorin e tyne nëse nuk kanë se ku me e botue përkthimin? Duhen krijue kushte botimi për përkthyesat e letërsisë shqipe, jo kushte përkthimi. Kushtet e vështira të përkthimit i përballon çdo përkthyes me mundësitë që i ka, kurse nuk ka se qysh me përballue murin kinez të mosinteresimit të botuesve që s‘janë të gatshëm me i hy rrezikut t‘angazhimit për autorë të panjohun. Botuesat në vendet përendimore botojnë përkthime autorësh shqiptarë nëse ekziston nji financim a sponsorizim për kostot e botimit (letra, shtypshkronja). Siç tha me të drejtë Mira Meksi, zeja e përkthimit asht e vështirë. Zeja e impresarios asht gjithashtu e vështirë dhe asht tjetër punë. Nëse pala shqiptare dëshiron me përmirësue njohjen dhe pranimin e letërsisë shqipe në botën e jashtme, le të përkujdeset që përkthyesat të merren me punën e tyne të përkthimit e të kursehen nga puna e impresarios.
Ministria e Kulturës do të duhej t‘interesohej ajo për mundësi botimi të letrave shqipe jashtë Shqipniet. Drejtoria e Librit në këtë ministri apo instanca të tjera do të duheshin me gjetë mundësi bashkëpunimi me botuesa jashtë, respektivisht me instanca përkatëse të vendeve jashtë (institutet e ndryshme kulturet, si Goethe, Cervantes etj.). Do krijue nji fond për sponsorizimin e botimit të veprave autorësh shqiptarë në botën e jashtme. Përderisa nuk ekzistojnë këto kushte, asht e kotë çdo fjalë për promovimin e letërsisë shqipe në botë. Ministria e Kulturës duket se interesohet për kulturën vetëm me sa kultura mund të shfrytëzohet si objekt turistik d.m.th. si burim valutash. Përderisa nuk ndryshon kjo perspektivë, asht i kotë çdo apel për masa promovimi të letrave shqipe në botën e jashtme. Edhe nji: njerëzit dhe instancat që merren, ndoshta, me kujdesin për promovimin e letërsisë shqipe jashtë do banin mirë të kujtoheshin që ekziston nji letërsi shqipe dhe jo vetëm nji Kadare me famë botnore.
Biseda për nji shtëpi të përkthyesve ka me kenë e udhës kur do jetë e krijueme nji situatë ku përkthyesat e letërsisë shqipe mund të kenë kontrata botimi për veprat e dhjetëra pendave shqiptare që meritojnë të përkthehen.