E Shtunë, 31 Tetor 2026

Donte t‘i mbante djalin, nusja denoncon vjehrrin

Kërkon të mbajë kujdestarinë e nipit njëvjeçar pas burgosjes së djalit, por është denoncuar nga nëna e fëmijës. Ngjarja e pazakontë ka ndodhur në fshatin Pëllumbas, Komuna Lumas e rrethit të Beratit. Elda Gabilo, 21 vjeçe, mësohet se ditën e djeshme ka denoncuar në polici vjehrrin e saj, Hasan Gabilo. Shkak i denoncimit mësohet të jetë bërë kujdestaria e djalit të saj vetëm një vjeç, pas burgosjes së të atit. 21-vjeçarja, banore e një fshati tjetër, mësohet se pas dënimit të bashkëshortit me tre vjet heqje lirie për veprën penale të "dhënies së ndihmës për kalimin e paligjshëm të kufirit" kishte vendosur të jetonte në banesën e prindërve të saj. Ditët e fundit ajo kishte lënë djalin në shtëpinë e bashkëshortit, por në kohën që ka shkuar për ta marrë ka hasur në kundërshtinë e gjyshit të tij, 58-vjeçarit Gabilo.

Ky i fundit mësohet se nuk ka pranuar që djalin ta marrë nusja, me pretendimin se duhet të jetonte në shtëpinë e të atit. Pasi ka parë se nuk mund ta bindte vjehrrin për kujdestarinë e djalit, nusja e re i është drejtuar policisë. Ajo ka bërë një denoncimin ku ka kërkuar ndihmë për kujdestarinë e djalit të saj. Sipas 21-vjeçares, ajo kishte vendosur të jetonte në shtëpinë e prindërve, pas dënimit të bashkëshortit, gjë që nuk është miratuar nga vjehrri dhe vjehrra. Policia, menjëherë pas marrjes së denoncimit, ka negociuar për dërgimin e fëmijës së mitur te nëna e tij. Ndërkohë që ndaj Hasan Gabilos ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë, për veprën penale të "heqjes së paligjshme të lirisë së tjetrit".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›