E Diel, 1 Nëntor 2026

"Njohja nga dy shtete njëherësh, një tregues se po ecim shpejt"

Ministri i Pushtetit Lokal të Kosovës, Sabri Ferhati, deklaroi nga qyteti i Korçës se njohja e djeshme e Kosovës nga dy shtete të tjera hap shpresën se pranimi i shtetit të ri do të jetë një proces i shpejtë, pavarësisht nga pengesat. Këtë deklaratë, ministri kosovar e bëri në një takim me kreun e Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, për vendosjen e urave të bashkëpunimit në nivel politik për sa i përket decentralizimit dhe reformave brenda pushtetit lokal, por edhe në sektorin e këmbimeve tregtare dhe të promovimit të turizmit. Ferhati u shpreh se pranimet e fundit janë në thelb një shpresë se shteti i ri do të pranohet edhe nga vende të tjera. "Dy pranimet e fundit, akoma më tepër, na kanë bërë të kuptojmë se fuqizimi i Kosovës dhe pranimi i shtetit të ri do të jetë më i shpejtë nga sa pretendojnë ata që duan ta pengojnë këtë proces", u shpreh ministri kosovar. Ai theksoi se shteti i ri tashmë është përfshirë nga një proces i gjerë reformash dhe nga fuqizimi i institucioneve. Kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, duke përgëzuar ministrin kosovar për njohjen nga dy shtete të tjera të Kosovës, tha se bashkëpunimi do të mund të institucionalizohet tashmë edhe në sajë të binjakëzimeve të mëparshme të Korçës me disa bashki të Kosovës. Sipas tij, këto marrëdhënie do të intensifikohen me projekte dhe plane konkrete në aspektin e paketave turistike për të promovuar turizmin patriotik, por edhe në lidhje me vendosjen e marrëdhënieve e këmbimeve tregtare midis bizneseve nga kontaktet mes dy dhomave të tregtisë. Sipas ministrit kosovar, kontaktet dhe marrëdhëniet midis dy vendeve do t‘i shërbejnë shtetit të ri, pasi Kosova është para reformimit të plotë të pushtetit lokal dhe procesit decentralizues. Ndërsa nga ana tjetër, të dyja vendet, mund të përfitojnë nga projektet e shumta të bashkëpunimit ndërkufitar, të cilat mbështeten nga Bashkimi Evropian.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›