E Diel, 1 Nëntor 2026

Tenton të vrasë punëdhënësin me tritol, gjymtohet

Pagesa e pa marrë për shërbimin e kryer nga një bari në një fermë lopësh ka qenë shkaku i ngjarjes së rëndë që ndodhi të enjten në mbrëmje në qytetin e Sarandë. Bariu ka tentuar të asgjësojë me tritol sipërmarrësin, por përveçse ka humbur dorën e tij të djathtë, akti është bërë shkak që ai pas operacionit të përfundojë në pranga, së bashku me personin që ia ka dhënë tritolin. Burimet policore thanë se protagonist i ngjarjes ishte Xhezair Hysa, 40 vjeç, me origjinë nga një fshat i Elbasanit, i pajtuar prej disa kohësh si bari në një fermë lopësh në periferi të Sarandës. 40-vjeçari ka pretenduar se prej disa muajsh ai nuk ishte paguar për punën e bërë si bari dhe duke mos u marrë vesh me sipërmarrësin Feruz Basho, ka vendosur të hedhë një sasi tritoli në brendësi të automjetit të Bashos. Xhezair Hysa ka mundur të bëjë ndezjen e masës së tritolit, që nuk ka qenë më shumë se 50 gramë, por ajo i ka shpërthyer në dorë, duke sjellë si pasojë humbjen e parakrahut të tij të djathtë. Në vendngjarje ka mbërritur autoambulanca, e cila ka marrë të plagosurin e shtrirë në gjendje kome, që kishte marrë ndihmën e parë nga një banor i zonës së agjencisë së udhëtarëve, edhe vetë i aksidentuar me dinamit muaj më parë gjatë peshkimit në Gjirin e Kakomesë. Ndërkohë, policia ka vazhduar punën për zbardhjen e ngjarjes që tronditi Sarandën. Në Komisariatin e Sarandës është marrë në pyetje personi i sulmuar Feruz Basho, i cili është lënë i lirë pak pas mesditës së djeshme. Ndërsa rreth orës 04:00 të mëngjesit të së premtes është vënë në pranga bariu "atentator".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›