E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët e Malit të Zi, festime pa zë

Shqiptarët në Malin e Zi dhe faktori politik shqiptar atje, e kanë përshëndetur vendimin e qeverisë së tyre për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur. Ata e shohin këtë si një veprim që qeveria e Podgoricës e bën për ta integruar vendin drejt Bashkimit Evropian dhe për t‘u distancuar nga politika serbe. Ndërkohë, mediat proserbe, e kanë komentuar ashpër vendimin e qeverisë malazeze për njohjen e Kosovës, duke i quajtur kosovarët kriminelë dhe Malin e Zi tradhtar. Liderët e politikës proserbe i kanë bërë thirrje popullsisë serbe në Mal të Zi që përbën rreth 32 për qind, që të dalë në protesta.

Gëzim i përmbajtur

Por tashmë, përfundimisht gjithçka duket e mbyllur. Mali i Zi përfundimisht e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur, sikundër edhe Maqedonia, fqinji tjetër i shtetit më të ri në botë. Megjithatë, shqiptarët në qytetin e Tuzit, kanë festuar në heshtje. Njerëzit dukeshin të gëzuar dhe në tavolina e ambiente të ndryshme, ku nuk dëgjohej bisedë tjetër përveç njohjes së Kosovës si shtet i pavarur. Kjo dukej sikur u kishte dhënë atyre forcë dhe autoritet në vendin ku jetojnë. Madje në Tuz janë mbledhur shqiptarë nga të gjitha zonat e Malit të Zi, të cilët, në ambiente familjare dhe lokale të mbyllura kanë festuar gjithë natën.

Një prej tyre është dhe Shota Gjokaj, 65 vjeç, i cili kishte ardhur nga Beogradi ku jeton, për të festuar me shqiptarët e tjerë në Tuz. "Është një ditë që nuk ka për t‘u harruar kurrë, pasi tashmë shqiptarët ndihen më të fortë se kurrë dhe më krenarë. Kam ardhur nga Beogradi për ta festuar këtë ngjarje bashkë me shokët e mi", thotë ai.

Por në mënyrë konfidenciale mësojmë se diplomatët perëndimorë kanë porositur liderët e partive kryesore shqiptare në Mal të Zi që të mos reagojnë në mënyrë festive në qytet dhe gjithçka të kalohet në heshtje, pasi mund të krijohen përplasje të forta midis shqiptarëve e serbëve në Mal të Zi.

Serbët, të revoltuar

Ndërkohë, serbët duken shumë të revoltuar. Lideri i Partisë Popullore Serbe në Mal të Zi, Andrea Mandiç, bën thirrje të hapura që populli serb të mos pajtohet dhe të dalë në protesta të fuqishme, deri sa qeveria e Malit të Zi ta kthejë mbrapsht vendimin. Në të njëjtën linjë, mediat proserbe reagojnë shumë egër. Gazeta "Dan" ("Dita"), në faqen e parë të saj, publikon foton e tre personave të masakruar si ushtarë serbë, të vrarë në Kosovë me mbishkrimin: "Mali i Zi njeh shtetin e kriminelëve".

Në disa intervista të dhëna për gazetën "Shqip", liderët kryesorë të politikës shqiptare kanë bërë publike veprimet e tyre që deri më sot janë konsideruar si të fshehta.

Alternativa shqiptare

Kryetari i Alternativës Shqiptare dhe njëkohësisht deputet në Parlamentin e Malit të Zi, tregon: "Na është dashur të tregohemi tepër të kujdesshëm. I kemi kërkuar qeverisë malazeze që ta njohë Kosovën që me kohë, por këtë e kemi bërë në atë masë që duhej, pasi duhet të kemi parasysh që këtu ka një komunitet serb që përbën 32 për qind të popullsisë dhe konflikti mund të provokohej lehtë. Nga ana tjetër, një veprim i yni, që duhet vlerësuar, është edhe kërkesa dhe takimet e shpeshta që kemi bërë me diplomacinë e huaj, kryesisht me ambasadën amerikane. E thënë ndryshe, kemi kërkuar me këmbëngulje njohjen e Kosovës, pa krijuar konflikt ndëretnik. Në vetvete, shpesh kemi diskutuar dhe kemi pasur frikë të brendshme, por nuk e kemi bërë asnjëherë publike, që kërkesa jonë të mos bëhet shkak për përplasje ndëretnike dhe kjo për fat të mirë nuk ndodhi".

Sipas Vasel Sinishtajt, njohja që i bëri Mali i Zi shtetit të Kosovës, një ditë pas miratimit në OKB të rezolutës së kërkuar nga Beogradi, ishte një shuplakë për Serbinë dhe tani mund të quhet një ndarje përfundimtare midis Malit të Zi dhe Serbisë.

Zyra Shqiptaro-Amerikane

Përfaqësuesi i Zyrës Shqiptaro-Amerikane për të Drejtat e Njeriut në Mal të Zi, Muhamed Gjokaj, në një prononcim për "Shqip", ka bërë publike edhe arsyet ku është bazuar Mali i Zi për të njohur shtetin e Kosovës. Sipas tij, njohjes së pavarësisë së Kosovës i ka paraprirë një rezolutë që është aprovuar nga Parlamentit i Malit të Zi për përshpejtimin e proceseve integruese drejt BE-së. Ajo bazohej në principet themelore dhe parimet e marra nga Këshilli për Politikë të Jashtme të Unionit Evropian, të aprovuara më 12 shkurt të vitit 2007 dhe 18 shkurt të 2008-ës, si dhe nga Këshilli i Evropës më 14 dhjetor të 2007-ës. Në këto dokumente janë të paracaktuara kushtet dhe principet themelore, si dhe standardet që një shtet duhet të plotësojë si parakusht për t‘u integruar në familjen e evropiane. Në këtë kontekst, sipas Zyrës së të Drejtave të Njeriut në Mal të Zi, qeveria malazeze në fillim ka krijuar bazën ligjore institucionale, me qëllim që të mos krijojë incidente në rajon. Më pas, hapi i dytë, është qëllimi i qeverisë së Malit të Zi që të integrohet në BE, ku njohja e Kosovës si shtet i pavarur ka qenë si një formë kushti ndaj Malit të Zi.

Unioni Demokratik

Ndërkohë, lideri i Unionit Demokratik Shqiptar dhe deputet në Parlamentin e Malit të Zi, Ferhat Dinosha, u shpreh se "ky ishte një vendim që e prisnim dhe e dinim që do të ndodhte. Në fakt, ne si parti, ishim përgatitur që kjo do të ndodhte në muajin maj, por kishim marrë sinjalizime se do të ndodhte në vjeshtë dhe për fat të mirë ndodhi, por ne nuk e bëmë publike më parë, pasi kishim frikë se po ndodhte e kundërta". Sipas Dinoshës, Unioni Demokratik ka bërë një punë të madhe që qeveria të marrë këtë vendim. "Por, nga disa politikanë shqiptarë, jemi parë dhe vlerësuar negativisht, se gjoja jemi afruar dhe mbajmë anën e qeverisë malazeze. Në fakt, koha tregoi se jemi afruar që të ndihmojmë në favor të politikës proshqiptare dhe do vazhdojmë të kontribuojmë në favor të shqiptarëve në Mal të Zi e kudo që ndodhen", shprehet deputeti Dinosha.

Vasel Sinishtaj

Partia Alternativa Shqiptare

Na është dashur të tregohemi shumë të kujdesshëm. I kemi kërkuar qeverisë malazeze ta njohë Kosovën që me kohë, por këtë e kemi bërë në atë masë që duhej, pasi duhet të kemi parasysh që këtu ka një komunitet serb që përbën 32 për qind të popullsisë

Muhamed Gjokaj

Zyra Shqiptaro-Amerikane për të Drejtat e Njeriut

Qeveria malazeze në fillim ka krijuar bazën ligjore institucionale, me qëllim që të mos krijojë incidente në rajon. Më pas, hapi i dytë, është qëllimi i qeverisë së Malit të Zi që të integrohet në BE, ku njohja e Kosovës ka qenë si një formë kushti

Ferhat Dinosha

Partia e Unionit Demokratik

Unioni Demokratik ka bërë një punë të madhe, që qeveria të marrë këtë vendim. Nga disa politikanë shqiptarë jemi parë dhe vlerësuar negativisht, se gjoja jemi afruar dhe mbajmë anën e qeverisë malazeze. Në fakt, koha tregoi të kundërtën



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›