E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ramush Haradinaj, "Qytetar Nderi" i Tropojës së Vjetër

Komuna e Tropojës së Vjetër, duke vlerësuar kontributin si luftëtar në ndaljen e invazionit serb në vitet 1997, 1998 dhe 1999, si dhe profilin e ndërtuar më pas si politikan, i ka dhënë titullin "Qytetar Nderi" ish-komandantit të UÇK-së dhe ish-kryeministrit të Kosovës, zotit Ramush Haradinaj. Në ceremoninë rastit, ku ishin të pranishëm përfaqësues të lartë të Qarkut të Kukësit dhe prefekturës, të ftuar nga Kosova, si dhe një numër autoritetesh nga Tirana, u tha ndër të tjera se Haradinaj dhe bashkëluftëtarët e tij, duke luftuar për çlirimin e Kosovës në zonën e Dukagjinit dhe malësisë së Gjakovës, ndaluan njëkohësisht edhe invazionin e serbëve drejt zonave të Shqipërisë këtej kufirit. Titulli i nderit i jepet për kontributin e jashtëzakonshëm për çlirimin e Kosovës, si dhe për bashkëpunimin e ngushtë që Haradinaj ka pasur me Tropojën. Në emrin e qeverisë, si dhe të vetin personal, në ceremoni foli prefekti i qarkut, Qamil Cenalia, i cili nënvizoi bashkëpunimin e Haradinajt me fshatrat e zonës së Tropojës në kohën e luftës, lidhjet e bashkëpunimit që vetë Haradinaj vendosi me këtë rreth në fushën e arsimit dhe kulturës ku ai ishte Kryeministër, si dhe kurajën me të cilën përballoi dhe fitoi në Gjyqin e Hagës.

Haradinaj lindi më 3 korrik 1968, në fshatin Gllogjan të Deçanit. Nga 3 dhjetori 2004 deri më 8 mars 2005, ai ka qenë Kryeministër i Kosovës. Në këtë kohë, ai u thirr si i akuzuar nga Gjykata e Hagës për Krime Lufte. Ramush Haradinaj ishte komandant i UÇK-së në regjionin e Dukagjinit. Pas luftës, themeloi Partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të cilën e kryeson edhe sot. Tribunali i Hagës, pas dy vjetësh hetim, në bazë të provave të paraqitura, i dha Haradinajt pafajësinë. Motoja e Haradinajt dhe e të gjithë shqiptarëve ishte "Lufta për atdheun kundër pushtuesit, asnjëherë nuk përbën krim, por një detyrë të shenjtë". Në vitin 1998 dhe pranverën e vitit 1999, ai bashkëpunoi ngushtë me tropojanët për shpëtimin e popullsisë civile të rrezikuar nga pushtuesit serbë. Vetë zoti Haradinaj falënderoi këshillin e komunës, si dhe Bashkinë e Bajram Currit, ku u prit në një drekë. Ai u shpreh se ndjehej i lumtur që nderohej nga një trevë për të cilën siç tha, ndjehet borxhli. "Jo vetëm unë, por e gjithë Kosova dhe trojet e tjera i janë borxh Tropojës për meritat e saj në histori", tha Haradinaj me rastin e marrjes së titullit "Qytetar Nderi i Tropojës së Vjetër". Haradinaj shtoi se do të ndikonte në Prishtinë që qeveria e Kosovës të investonte në këtë zonë, e cila vuajti gjatë luftës së Kosovës dhe dha ndihmesë të lartë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›