E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dopietë e MekLarenit në Turqi

çmenduria e Sebastian Fetel, që përplaset me Veber, prish festën e skuadrës. Ferrari, paraqitje e dobët në garën numër 800 Red Bull bën harakiri, Luis Hemilton falënderon rivalët dhe fiton

Diçka është e sigurt: te Red Bulli nuk jepen urdhra nga skuadra. Ose, nëse urdhrat jepen, pilotët as që nuk duan t’ia dinë. Vetëm në këtë mënyrë mund të shpjegohet incidenti i djeshëm në çmimin e Madh të Turqisë. Në xhiron e 41, Sebastian Fetel ka sulmuar në mënyrë të pakontrolluar shokun e tij të skuadrës, Mark Veber, në një kohë kur ky i fundit po kryesonte garën. Rezultati? Gjermani është detyruar të tërhiqet, ndërsa Veber doli jashtë pistës dhe humbi vendin e parë. Nga e gjithë kjo situatë ka përfituar vetëm MekLareni, që festoi “dopietën”: Luis Hemilton u shpall fitues, ndërsa pas tij u rendit Xhenson Baton. Pavarësisht aksidentit të frikshëm, Veber arriti të kthehej në bokse dhe të ndryshonte pjesën e përparme të makinës, duke e mbyllur garën në vendin e tretë. Natyrisht që incidenti kur kilometrazhi i makinave Red Bull tregonte mbi 300 km/h shkaktoi daljen nga gara të Fetel. Por, i pakuptueshëm mbetet reagimi i pilotit 22-vjeçar, që sapo zbriti nga njëvendëshja bëri gjeste kundër shokut të tij. Një gabim brenda gabimit, sepse pamjet filmike tregonin se faji ishte totalisht i Fetel, ndërsa drejtuesit, teknikët dhe inxhinierët e Red Bullit u dëshpëruan për shansin e shpërdoruar. E gjitha kjo rrezikon të prishë harmoninë brenda skuadrës që deri më tani ishte shfaqur si pretendentja absolute. Por, problemi kryesor është se ata i dhuruan “dopietën” MekLarenit, kundërshtarëve kryesorë të këtij sezoni, që i kanë kapërcyer edhe në klasifikimin për konstruktorë. Skuadra britanike ka 172 pikë, një më shumë se Red Bulli. Gjithsesi, Mark Veber shuan polemikat: “Ishim mjaft afër. Sebastiani kishte avantazh, por u spostua papritmas nga e djathta dhe makinat u prekën. Ndodhi gjithçka shumë shpejt dhe më vjen keq për skuadrën”. Fetel, nga ana e tij, u mundua të justifikohej: “Jam i mërzitur, por këto gjëra ndodhin. Rivalitet brenda skuadrës? është marrëzi të mendosh diçka të tillë. Kemi një makinë të shpejtë dhe jemi një skuadër e mirë”.
Veber humbi shansin të regjistronte fitoren e tretë radhazi. Australiani humbi 25 pikë të lehta për një kapriçio të shokut të tij, megjithatë arriti të renditej përpara Mikael Shumaker, Niko Rosberg dhe Robert Kubikas. Më pas, në vijën e finishit kanë kaluar dy makinat Ferrari, me Felipe Masën në vendin e shtatë dhe Fernando Alonson të tetin. “Kokëkuqja” ka bërë një tjetër paraqitje të dobët, duke zhgënjyer në garën numër 800 në Formula 1. Ajo që ndodhi mund të cilësohet diçka e mirë për botërorin, që mbetet i hapur. Megjithatë, një aksident të ngjashëm rrezikuan të shkaktonin edhe makinat MekLaren, në xhiron e 48. Baton tenton të parakalojë Hemilton, madje për një moment ka arritur të renditet i pari. Luis është treguar mjaft i aftë, jo vetëm për faktin që evitoi aksidentin, por edhe sepse rimori kryesimin, të cilin e ruajti deri në fundin e garës.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›