E Diel, 1 Nëntor 2026

Dorëheqja e Berishës, një lajm i keq për demokracinë

 

Blendi Kajsiu

Pas kritikave të ndërkombëtarëve ndaj qeverisë së Berishës, një sërë aktorësh lokalë po kërkojnë dorëheqjen e tij. Së fundi, Nard Ndoka në cilësinë e kryetarit të Partisë Demokristiane dhe Edi Rama si kryetar i PS-së, i kanë bërë thirrje Berishës të japë dorëheqjen Në pamje të parë kjo thirrje duket se bëhet në emër të ruajtjes së pavarësisë së institucioneve, që duket se rrezikohet nga përplasja mes Kryeministrit Berisha dhe Prokurorisë. Ama, në fakt, shqetësimi i faktorit lokal nuk bën gjë tjetër veçse i bën jehonë shqetësimit ndërkombëtar. Partia Socialiste duket se është nxitur për të kërkuar dorëheqjen e Berishës nga reagimet e ashpra të SHBA-ve dhe BE-së. Ndërsa aktorë të maxhorancës janë shqetësuar dukshëm nga presioni ndërkombëtar. Në të dyja rastet dorëheqja e Berishës kërkohet si pasojë e reagimit tejet të ashpër ndërkombëtar ndaj tij.
Dhe ky është një lajm i keq për demokracinë shqiptare.  Jo sepse Berisha nuk meriton të dorëhiqet, por sepse sistemi ynë politik më shumë sesa ndaj shqetësimit qytetar reagon ndaj shqetësimit të ndërkombëtarëve. Të krijohet përshtypja se demokracia shqiptare është në funksion të ambasadorëve më shumë sesa në funksion të qytetarëve të saj. Nëse faktorët dhe aktorët lokalë do ishin vërtet të shqetësuar për fatin e qytetarëve shqiptarë, ata duhet ta kërkonin dorëheqjen e Berishës fort menjëherë pas shpërthimit të Gërdecit, që vrau qytetarë të pafajshëm shqiptarë. Me përjashtim të ndonjë aktori si LSI, asnjë aktor tjetër politik nuk e ndërmori seriozisht këtë hap. Përkundrazi, Partia Socialiste e shfrytëzoi Gërdecin për të ndryshuar Kushtetutën dhe për të forcuar pozitat e po atij kryeministri që e akuzon për vrasje dhe korrupsion. Dhe sot ne ende vuajmë pasojat e këtij aksioni politik që e nxori betejën politike nga hapësira publike dhe e futi në dosjet e Prokurorisë, duke deformuar edhe politikën, edhe Prokurorinë. Aksioni politik është kthyer në aksion penal me përfaqësuesit politikë që shkëmbejnë akuza aferash me njëri-tjetrin. Ndërsa aksioni penal është kthyer në aksion politik, teksa institucioni i Prokurorisë dhe ndërkombëtarët përplasen me ekzekutivin.
 Kërkimi i dorëheqjes së Berishës sot, sepse ai nuk po respekton Prokurorinë të trishton kur mendon se kjo dorëheqje nuk u kërkua dje, kur Berisha me veprimin apo mosveprimin e tij hodhi në erë qytetarë të pafajshëm. Kërkimi i dorëheqjes së Berishës sot, sepse janë shqetësuar ambasadorët e Perëndimit, të trishton akoma më shumë kur kujton se kjo dorëheqje nuk u kërkua fort nga revolta e dhjetëra mijëra qytetarëve shqiptarë që dolën në shesh për të protestuar pas Gërdecit. Ky reagim i aktorëve lokalë përballë shqetësimit ndërkombëtar na kujton faktin e thjeshtë, se në demokracinë shqiptare disa ambasadorë ndërkombëtarë shpesh vlejnë shumë më tepër sesa qindra mijëra qytetarë shqiptarë.
Kështu krijohet një rreth vicioz, ku sistemi ynë politik reagon gjithnjë e më shumë ndaj shqetësimit të ndërkombëtarëve dhe gjithnjë e më pak ndaj shqetësimit të qytetarëve të vet. Kjo nuk bën gjë tjetër përveçse e thellon krizën e legjitimitetit politik në vend, çka i detyron aktorët lokalë të legjitimohen akoma më shumë nëpërmjet faktorit ndërkombëtar. Por një demokraci që e ka burimin e legjitimitetit jashtë vetes, nuk mund të quhet dot e tillë.   Sot shumë mund të ëndërrojnë dhe shpresojnë se Berisha mund të dorëhiqet si pasojë e presionit gjithnjë e në rritje të faktorit ndërkombëtar. Por nëse kjo ndodh në Shqipëri, nuk do të vendoset ndonjë standard i ri apo i lartë demokratik. Nuk do ishte hera e parë që një kryeministër do dorëhiqej si pasojë e presionit ndërkombëtar. Kjo ka ndodhur në ditët më të errëta të demokracisë shqiptare. Prandaj fakti që diçka e tillë kërkohet edhe sot, nuk është ndonjë lajm i mirë për demokracinë shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›