Polumbarët e RENEA: Trupi i të zhdukurit nuk u gjet në liqen
Dashamir Biçaku
Për rreth 12 orë pa reshtur efektivët e repartit të policisë RENEA, kanë kërkuar thuajse në të gjithë perimetrin e kanalit të Viviarit, në liqenin e Butrintit, për Ndriçim Miftarin, 18- vjeçarin nga Lushnja që rezulton i zhdukur, në tentativë për të kaluar si klandestin në Greqi. Ai është zhdukur mbrëmjen e së dielës në Sarandë, ndërsa ishte me grupin e 25 personave që hipën në varkën e mbytur në liqen gjatë tentativës për të kaluar në mënyrë klandestine në drejtim të Greqisë. Mbrëmjen e së dielës, në drejtim të Sarandës, është nisur njësia e zhytjes e RENEA-s, me qëllim nxjerrjen nga uji të trupave të mbytur apo të humbur në këtë zonë. Ndërkohë që trupi i gruas 22-vjeçare dhe foshnjës së saj 3-muajshe, janë nxjerrë pak orë pas mbytjes. Të dielën trupi i të zhdukurit Miftari nuk është gjetur. Për këtë qëllim, njësia e zhytjes me polumbarët e RENEA-s, ka mbërritur të dielën në zonën ku ka qenë varka, por ka qenë e pamundur të kërkohej për shkak të kushteve të errësirës. Në këto rrethana, është vendosur që kërkimi të vazhdonte me të gdhirë të ditës së djeshme. Polumbarët e RENEA-s, dje në mëngjes rreth orës 06:30, kanë nisur zhytjen, duke kërkuar fillimisht rrezen pranë vendit ku ishte konstatuar mbytja e varkës. Në këtë perimetër, sipas burimeve të policisë lokale, janë gjetur disa sende të ndryshme që u përkisnin personave që ishin gjallë dhe që tentuan të udhëtonin me varkën e mbytur. “Efektivët e RENEA-s gjetën një xhup, një pasaportë dhe një dokument tjetër identifikimi gjatë kërkimeve të tyre pranë vendit ku ishte mbytur varka”, thanë burimet. Sipas tyre, gjysma e rrugës nga bregu i liqenit deri në një rrip toke në mes të tij, do të bëhej me varkë dhe më pas klandestinët do të zbrisnin. Varka sipas burimeve të policisë është mbytur në gjysmën e kanalit të Viviarit, pa mbërritur në vendin ku duhej të zbrisnin klandestinët. Më pas, ata duhej të ecnin një pjesë të shkurtër rruge në këmbë deri në kufi, ku më pas duhej të merreshin nga një automjet që do t’i transportonte në thellësi të territorit grek. Sipas burimeve të policisë, zhytësit e RENEA-s, kanë kërkuar në një perimetër të gjerë dhe thellësia e ujit në këtë zonë sipas tyre shkon deri në 10-15 metra. Kërkimet e polumbarëve të RENEA-s kanë zgjatur deri mesditën e djeshme rreth orës 13:30, kur atyre u është dashur që të pushojnë për të rikuperuar. Pas 40 minutave pushim, kërkimet kanë nisur sërish aty ku kishin mbetur. Burimet e policisë kanë pohuar se kërkimet kanë qenë të vështira, për shkak se terreni i nënujshëm kishte pengesa për t’u kontrolluar. Mësohet se zona përmban rryma të shumta nënujore dhe ekziston mundësia që trupi i të zhdukurit, nëse ka rënë në ujë, të ketë dalë nga pjesa e kanalit në pjesën tjetër të liqenit dhe më pas mund të jetë nxjerrë nga rrymat në pjesën e jashtme drejt detit. Gjatë pjesës së dytë të kërkimeve, polumbarët e RENEA-s kanë gjetur sende të tjera personale të klandestinëve, një xhup, një certifikatë, disa karta krediti greke, një pasaportë si dhe sende të tjera. Burimet e policisë kufitare të Sarandës thanë se të gjitha sendet e nxjerra nga efektivët e RENEA-s, u përkisnin personave të cilët kishin arritur të shpëtonin gjallë nga mbytja e varkës. Kërkimet e efektivëve të forcave speciale, janë shtrirë thuajse në 90 për qind të territorit nënujor të liqenit. Ata kanë bërë rreth 25-30 zhytje duke zhvilluar kërkime të dendura në tabanin nënujor të kanalit. Dje rreth orës 18:00, efektivët e forcave speciale të RENEA-s, kanë ndërprerë kërkimet për shkak se errësira nuk lejon monitorimin e liqenit në thellësi.
Postblloku i policisë në Vrinë çoi klandestinët drejt liqenit
SARANDE – Vendosja e policëve të kufirit shumë pranë kanalit të Butrintit detyroi dhe klandestinët fatkeq për të ndërmarrë një udhëtim me varkë nga zona e peshkatarëve. Prej 8 muajsh mësohet se dy punonjës policie qëndrojnë 24 orë në Vrinë, duke pritur të parët udhëtarët që nëpërmjet lundrës kalojnë kanalin e Butrintit, për të përfunduar në fshatrat kufitarë e deri në Konispol e pikën kufitare të Qafë-Botës. Kjo pikë është ngritur prej fillimit të vitit, kohë kur u krijua si strukturë më vete policia kufitare. Për të vazhduar më në jug të vendit, udhëtarëve që nuk janë banorë të zonës u kërkohet dokument identifikimi. Të dyshuarit verifikohen për të saktësuar itinerarin e tyre. Por, dhe nëse mund të kalohet lirshëm ky postbllok, deri në kufi, 35 km gjatësi ka patrulla të shumta policie. Këto të dhëna kanë zbrapsur klandestinët e tragjedisë së fundit, pasi organizatorët e dinin mirë faktin se mund të përplaseshin me policinë kufitare. Edhe rruga tjetër tokësore, ajo që depërton nga Çuka për në Livadhja e më pas në Konispol kontrollohet prej vitesh nga policë të rendit e të kufirit. Prandaj, e vetmja rrugë për grupin e klandestinëve ishte nisja prej liqenit të Butrintit, me anë të varkave që ndodheshin pranë zonës së peshkimit. Duke lundruar nga liqeni, ata do të mund të kapërcenin kanalin e Butrintit, për të përfunduar në Vrinë e më pas në Xarrë, nëpër rrugë jo shumë të rrahura. Udhërrëfyesit do të mund t’i çonin klandestinët deri në kufi, shumë pranë pikës së kufirit të Qafë-Botës, për të depërtuar më tej në Sajadhë, në Greqi. sh.d