Meta: Rama fuqizoi kastën e Berishës
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, kërkoi sërish dje largimin e Kryeministrit Berisha. “Berisha duhet të largohet. Shqipëria e Sali Berishës është për fat të keq Shqipëria që nuk rrezaton vullnetin dhe aspiratat e shumicës së popullit shqiptar, dhe në radhë të parë të rinisë, por është një Shqipëri e ndrydhur në shpresat dhe në potencialet e saj nga kasta e Sali Berishës”, tha Meta. Kreu i LSI-së e bëri këtë deklaratë në konferencën e LRI-së në Dibër. Sipas Metës, kjo keqqeverisje e Sali Berishës është rritur pas ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit. “Kjo është një kastë që për fat të keq në 21 prill u fuqizua edhe nga pikëpamja institucionale edhe me ndihmën e Edi Ramës dhe deputetëve të PS-së, duke dhunuar parimin e shenjtë dhe themelor të Kushtetutës të miratuar nga 1 milion shqiptarë në 1998, atë të ndarjes së balancave institucionale midis pushteteve të ndryshëm”, tha Meta. Sipas tij, “janë këto ndryshime që Sali Berisha i krekoset deputetëve, dhe madje t’i lutet opozitës për t’i bërë mocion mosbesimi, sepse pas 21 prillit ai ka gjithë pushtetin që kërkonte”.