Kuotat bosh, ndërrim dege edhe për studentët fitues
ZIRINA LLAMBRO
Nga kuotat bosh mund të përfitojnë edhe ata kandidatë që e kanë fituar tashmë një të drejtë studimi.
Nëse janë bërë pishman për zgjedhjen e tyre, ata mund të ndërrojnë degën e fakultetit. Nga sa bën me dije Ministria e Arsimit, kandidatët duhet të dorëzojnë deri një kërkesë pranë Agjencisë Kombëtare të Pranimeve (APRIAL). “Pasi të shqyrtohen kërkesat e depozituara në APRIAL, studentët që nuk janë të kënaqur me degën që kanë fituar, do të aplikojnë formularin A3 pranë drejtorive dhe zyrave arsimore në vend”, sqarojnë specialistët e MASH-it. Sipas tyre, nëse këta studentë nuk fitojnë gjatë fazës së tretë degën e dëshiruar, ata do të vijojnë studimet në degën ku janë shpallur fitues. “Ndërsa të gjithë kandidatët që nuk kanë fituar ende një të drejtë studimi, do të nisin këtë javë aplikimin për fazën e tretë të pranimeve në universitetet publike për 4000 kuotat vakante”, pohon zyra e shtypit të ministrisë. Aplikantët do të tërheqin formularin A3 në drejtoritë arsimore të vendit nga datat 22-26 tetor. Sipas udhëzimit të fundit të firmosur nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja, formularin A3 mund ta plotësojnë jo vetëm ata kandidatë për studentë që nuk kanë rezultuar fitues gjatë dy fazave të para, por edhe ata kandidatë që janë të pakënaqur me degën ku janë klasifikuar në fazën e dytë. Dorëzimi i formularëve A3 te plotësuar, behet ne drejtorinë arsimore përkatëse deri me date 27 tetor, dhe me pas drejtoritë arsimore do te sjellin ne APRIAL formularët A3 te plotësuar me 28 tetor. Pas përfundimit të aplikimit, do të nisë përpunimi i të dhënave dhe më 5 nëntor do të shpallet lista përfundimtare e kandidatëve fitues të ndarë sipas programeve të studimit përkatës. “Regjistrimi i kandidatëve fitues do të bëhet pranë sekretarive mësimore të fakultetit ku janë shpallur fitues, nga data 7 nëntor deri më 15 nëntor”, përcaktohet në udhëzimin e MASH. Sipas të dhënave nga ky dikaster, deri më tani në këtë fazë të tretë kanë aplikuar 3100 studentë, pjesa më e madhe e të cilave është në universitetet e rretheve. Në Universitetin e Vlorës, Gjirokastrës dhe Elbasanit ka vende të lira për degët e shkencave ekzakte, si matematikë, fizikë, informatikë dhe mekanike. MASH sqaron se të rinjtë, të cilët këtë vit kanë mbetur në një nga provimet me zgjedhje, por që vitin e kaluar i kanë marrë këto dy provime kanë të drejtë të aplikojnë në Akademinë e Arteve dhe Edukimit Fizik. Disa ditë më parë qeveria vendosi që në çdo degë të universiteteve publike të shtohen pesë kuota.
Univeristeti i Tiranës, hap 6 degë të reja në rrethe
Hapen 7 programe të reja studimi. Qeveria u ka ndezur dritën jeshile filialeve të UT, duke përcaktuar edhe kuotat e pranimit në këto degë. Kështu këtë vit akademik studentët në qytetin e Kukësit do të kenë mundësi të nisin studimet në Anglisht dhe Infermieri. Për degën e parë janë përcaktuar 25 kuota, ndërsa për të dytën 60 kuota. Tre programe të reja studimi janë hapur edhe në Lushnje. Përkatësisht në degën e Drejtim Fermave dhe Agrobisnes do të nisin shkollën e lartë 25 studentë. Po kaq edhe për degët Financë-Kontabilitet dhe Hortikulturë. Një degë e do të hapet edhe në Universitetin e Tiranës. Për agromekanikë do të mund të nisin studimet 25 kandidatë. Këtë vit qeveria ka ulur deri në 20% edhe tarifat vjetore të studimit. Kjo për t’u ardhur në ndihmë studentëve shqiptarë, në mënyrë që të kenë sa më shumë lehtësira në arsimim. Gjithashtu shumë shpejt Ministria e Arsimit ka premtuar edhe pajisjen e çdo studenti me kartën e studentit, nga e cila përfitojnë lehtësira në transport dhe për shërbime të tjera
Degët e reja
Dega Anglisht Kukës 25
Infermieri e përgjithshme Kukës 60
Dega Anglisht
Sarandë 25
Drejtimi i Fermave dhe Agrobiznesit Lushnjë 25
Financë Kontabiliteti
Lushnjë 25
Hortikulture Lushnjë 25
Agro Mekanine Tiranë 25