E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Gati projektligji i Prokurorisë”

 

ADI SHKEMBI

Ministria e Drejtësisë ka thuajse gati ligjin e ri “Për prokurorinë” dhe brenda një kohe të shkurtër ai do të kalojë për miratimin në qeveri. Këtë e bëri të ditur dje zëdhënësja e Këshillit të Ministrave, Majlinda Bregu, e cila tha se shumica e ligjit është përfunduar tashmë dhe kjo pjesë është diskutuar edhe me prokurorinë dhe Euralius. “Projektligji i Prokurorisë ka përfunduar tashmë 95 % diskutimi i tij jo vetëm me prokurorinë por edhe me EURALIUS, i cili aktualisht ndodhet në Ministrinë e Drejtësisë dhe pas diskutimit edhe të elementëve të tjerë, ligji do të mbërrijë në qeveri dhe më pas në parlament. Ka pasur një dakordësi në konceptet kryesore të këtij projektligji”, u shpreh dje Bregu, teksa përshëndeti në një konferencë për shtyp raportin e fundit të Freedom House për respektimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe sistemit të drejtësisë e rendit në Shqipëri. Sipas saj, pjesa e heqjes së imunitetit të prokurorëve është ende duke u diskutuar mes ministrisë dhe organit të akuzës. Duke iu përgjigjur interesimit të mediave për kritikat e fundit të ambasadorit amerikan në Tiranë, për ndërhyrjet e Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme në pavarësinë e institucioneve të pavarura, Bregu tha se: “Besoj se edhe ajo për të cilën unë jam këtu sot, pra pikërisht për të përshëndetur raportin e Freedom House për ruajtjen dhe respektimin e pavarësisë së institucioneve dhe shkallëve që ka ngjitur Shqipëria si vendi i parë në rajon në këtë raport, duke lënë pas vende, të cilat janë shumë më përpara në hapat e tyre drejt Bashkimit Evropian tregon se asgjë nuk ka më të rëndësishme për këtë vend dhe për këtë qeveri, sesa respektimi i pavarësisë së institucioneve”. Duke iu referuar raportit të fundit të Freedom House, zëdhënësja e qeverisë tha, se dokumenti vlerëson punën e ekzekutivit për miratimin e ligjeve në parlament, si ligji i Organizimit të gjyqësorit, Mbrojtja e të dhënave personale, ndryshimet në ligjin “Për falimentimin”, ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për të drejtat e të dënuarve me burgim” apo ndryshimet e bëra në Kodin Penal për mbrojtjen e të drejtave të minorenëve. “Sipas Freedom House, nga vendi i fundit që ishte në vitin 2005, këtë vit Shqipëria renditet në vendin e parë në rajon, duke përmirësuar indeksin me 0.5 pikë, nga 4.5 në 4.00”, theksoi Bregu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›