Dorëheqja e Ramës dhe duarshtrëngimet e Berishës
Me veprimet e kohëve të fundit, Edi Rama po dëshmon në mënyrë tepër të qartë se jo vetëm nuk është politikan i lartë, por as partiak i zakonshëm. Kur ai deklaronte kohë më parë se “nuk jam politikan”, shumëkush prej nesh nuk e mori seriozisht, duke e konsideruar një pohim të tillë si taktikë politike. Dhe me të drejtë, pasi është e pabesueshme për çdo mendje normale që në krye të Partisë Socialiste, një prej dy forcave më të mëdha politike në vend, të vendoset një “jo politikan”. Një zgjedhje e tillë hedh shumë dyshime edhe mbi strukturat përkatëse të PS-së, që me “mendjelehtësinë” enversite që i karkaterizon në mjaft raste lejuan ngjitjen e Ramës në krye të kësaj force politike. Tashmë, për pjesën e shëndoshë të socialistëve të thjeshtë apo dhe të atyre në strukturat e larta partiake, nuk ka pikë dyshimi në zgjedhjen e gabuar që është bërë. Kjo është arsyeja që përfaqësuesit e mendimit ndryshe në Partinë Socialiste po shtohen dita ditës, duke përfshirë në mes tyre figurat më të njohura dhe më kontributore për themelimin dhe forcimin e kësaj force të rëndësishme politike në vend. Pa dashur t’i renditim një për një të gjithë këto emra, që tashmë janë bërë të njohur për këdo, mjafton të përmendim faktin se pjesë e këtij grupimi është bërë së fundi edhe profesor Meidani, ish president i republikës dhe një ndër figurat më të spikatura të Partisë Socialiste. Shkak i krijimit të një grupimi të tillë është bizantizmi ramist për uzurpimin e kreut të PS-së, duke shkelur me të dyja këmbët statutin e kësaj force politike, që parashikon “ndërprerjen e mandatit të kryetarit në rast të humbjes së zgjedhjeve”. Komisioni zgjedhor i të gjitha niveleve dhe së fundi edhe kolegji zgjedhor, në unanimitet të plotë, e shpallën humbëse grupimin politik të kryesuar nga Partia Socialiste. Por Rama, në vend që të pranojë në mënyrë dinjitoze humbjen dhe të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë, luan kungulleshkash me rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Është e paimagjinueshme një sjellje e tillë për një politikan të këtij niveli, e cila merr miratimin dhe inkurajohet pa hipokrizi vetëm nga enveristët dhe sigurimsat e rëndomtë në gjirin e antarësisë së kësaj force politike. Ndërsa klientët e lejeve të ndërtimit dhe ish punonjësit e administratës së bashkisë Tiranë, të korruptuar në mënyrë klaniste në parti, i shkojë pas Ramës për arsye që nuk kanë aspak lidhje me integritetin apo rolin e rëndësishëm politik të Partisë Socialiste në demokraci. Është pikërisht ky lloj grupimi që po rrezikon seriozisht të ardhmen e kësaj force politike, gjë të cilën nuk mund ta kuptojnë miopët e tipit që betohen nga mëngjezi në darkë “për kokën e Ramës”, edhe pse ai tall prapanicën me këta teveqelë.
Rasti i përçarjes së një force politike në opozitë, për arsye të mosrespektimit të statutit nga kryetari, siç po ndodh aktualisht me Partinë Socialiste të Edi Ramës është i rrallë në historinë e zhvillimeve politike në botë. Pra gjithë kjo amulli në PS po ndodh për shkak se Edi Rama nuk pranon të jap dorëheqjen nga posti i kryetarit ndërkohë që forca politike të cilën ai kryeson ka humbur zgjedhjet e përgjithëshme të 28 qershorit. Metodat që ai po përdorë për të mbetur sërish kryetar i PS-së, në mos hitleriane, janë padiskutim staliniste dhe enveriste. Një politikan modern nuk e bazon karrierën tek “vija e masave” por tek kualitetet dhe eksperiencat e majta; aq më tepër në kohën që jetojmë sot. Detashmentet e militantëve të majtë, gjithnjë grushtin lart e mbajnë, pavarësisht se kush është në krye të tyre. Qënia kryetar e Ramës përbën rastin më përfaqësues të materializimit të kësaj filozofie poshtësuese, pasi ai erdhi në krye të PS-së jo për ta udhëhequr këtë forcë politike drejt pushtetit kombëtar, por për ta përdorur si mish për top për pushtetin e tij personal. Me këtë pikësynim vazhdon të këmbëngulë ai për t’u rimandatuar në krye të PS-së, duke u përpjekur t’i mashtrojë sërish socialistët shqiptar se do t’i çojë drejt pushtetit, madje me zgjedhje të parakohshme. Këto janë ëndërra me sy hapur, megjithatë një pjesë e mirë e të majtëve vazhdojnë t’i besojnë verbërisht. Rama nuk arriti t’i çonte socialistët në pushtet, kur ata i kishte më të bashkuar dhe më të motivuar se kurrë në zgjedhjet e 28 qershorit, jo më tani që po i përçan si kurrë ndonjëherë. Lideri që e përçan partinë të cilën kryeson kur është në opozitë nuk e meriton të rrijë asnjë minutë në krye të saj. Dhe më e keqja është se pjesa që po largohet përfaqëson asetet reale të Partisë Socialiste, kurse mbështetësit e Ramës janë thjeshtë ca muhaxhirë të bashkisë Tiranë dhe klientëve të tyre në fushën e ndërtimit. Ky lloj zhvillimi të kujton procesin e jetësimit të embrionit të vezës, ku mbështetësit e Ramës përfaqësojnë lëvoren e çarë të saj, e cila është thjesht një materie pa vlerë. Dhe megjithatë, kreu i Partisë Socialiste ka paturpësinë që gjithë këtë dështim e amulli ta quaj “politikë të re”. Domethënia e një koncepti të tillë qëndron në idenë se Rama premtonte që të bënte një politikë moderne, jo vetëm në raport me paraardhësit por dhe me kundërshtarët e tij politikë. Por në fakt bëri dhe po bën një politikë tepër primitive, qoftë përsa u përket çështjeve partiake, ashtu dhe atyre kombëtare. Politika e re nuk i çon gjërat prapa, por përpara; ajo nuk bën armiq por miq, jo vetëm në arenën kombëtare por edhe atë ndërkombëtare. Ndërsa për Ramën fjala “mik” ka kuptim vetëm sipas parimit materialist “më jep të të jap”, dhe nuk i prek fare sferat morale dhe ato diplomatike. Në opozitë është rasti më i mirë për të bërë miq, qoftë edhe për faktin e ndryshimit të imazhit në sytë e botës, kur i thonë. Koha e thellimit të armiqësive në demokraci është e papranueshme. Një shfaqje e tillë përbën thjeshtë një rudiment të së shkuarës diktatoriale dhe aplikimi i saj tregon kthim prapa në kohë dhe mentalitet. Në këto kushte propagandimi i “politikës së re” s’është gjë tjetër veçse një demagogji e pastër.
Faktikisht model i politikës së re është vetëm ajo që po aplikon kundërshtari politik i Ramës, Prof. Dr.Berisha. Lideri demokrat u bë iniciatorë dhe përfaqësues i një politike të tillë në një kohë që Shqipërinë e sundonte diktatura hoxhiste. Demokracia, shteti ligjor, ekonomia e tregut, integrimi i vendit e të tjera vlera të pluralizmit shqiptar që ne gëzojmë sot janë produkt i kësaj politike, pavarësisht ndonjë problemi të natyrshëm që ai ka shkaktuar në raste të veçanta. Vitet që kanë shkuar nuk e kanë vjetëruar aspak një politikë të tillë tek përfaqësuesi simbol i saj, përkundrazi e kanë bërë atë gjithnjë e më energjike. Në mandatin e parë qeverisës të Berishës ishte pikërisht kjo lloj politike që e shkëputi Shqipërinë nga thonjtë e korrupsionit majtistë të të gjitha niveleve të pushtetit dhe e shndërroi atë në një nga vendet me më pak korrupsion në botë. Shtimi 2-3 herë i të ardhurave fiskale, investimet e shumta në infrastrukturë, energjitik, turizëm, bujqësi, etj, ishin rezultat i një politike të tillë, që mund të konsiderohet “e re” në raport me politikën e kundërshtarve të vet që qeverisën, apo më mirë të themi keqqeverisën vendin për 8 vjetë rresht, pas ngjarjeve të ’97-ës. Po kështu anëtarësimi i vendit në NATO, dorëzimi i kërkesës për marrjen e statusit të vendit kandidat, finalizimi së shpejti i procesit të liberalizimit të vizave, pavarësia e Kosovës dhe njohja e saj prej një numëri gjithnjë e më të madh shtetesh, etj., etj., janë padyshim produkt i politikës së re të liderit demokrat. Politika e re e Sali Berishës është politika e duarshtrëngimit me këdo që mendon dhe punon për prosperitetin dhe integritetin tonë kombëtar, nëpërmjet zhvillimit dhe integrimit ekonomiko-shoqëror të Shqipërisë dhe trojeve shqiptare. Koalicioni qeverisës që Berisha realizoi me Lëvizjen Socialiste për Integrim është dëshmia më e mirë e materializimit perfekt të politikës së re të liderit demokrat, e cila tregon se për interesat e vendit ai është i hapur për t’i shtrirë dorën kujtdo që ka një predispozicion të tillë. Ftesë për bashkëpunim parlamentar me cilësinë e opozitës, Berisha i ka bërë disa herë edhe Ramës, por ai i ka refuzuar sistematikisht ato, pasi nuk është i prirur për të mirën e përgjithëshme të shqiptarëve, po për pasurimin korruptiv të një klani të ngushtë njerëzish që i sillen gjithë ditën e ditës rrotull kreut të PS-së vetëm për përfitime. Kjo është arsyeja që në përbërje të grupit parlamentar të PS-së bëjnë pjesë mbi 20 deputetë milionerë. Mjafton vetëm një fakt i tillë që militantët socialistë të kuptojnë se kush është strategjia e vërtetë e Ramës, e maskuar me bojkotin dhe irritimin e tij për “ilegjimitetin e parlamentit shqiptar”. Dhe për t’u bërë më i besueshëm në sytë e mbështetësve të tij në bazën e PS-së, Edi Rama po i hakërrehet edhe faktorit ndërkombëtar me të njëjtën gjuhë që përdor edhe ndaj kundështarëve të tij politikë brenda vendit. Në këtë mënyrë Rama e ka shtrirë armiqësinë e tij në të katër anët e botës, për të justifikuar veprimet e tij antistatutore në mosdhënien e dorëheqjes, ndërkohë që Berisha po shtrinë dorën e bashkëpunimit gjithandej, brenda dhe jashtë vendit, në interes të integrimit të shpejtë të Shqipërinë në Bashkimin Europian, që përbën stacionin e fundit të akomodimit tonë kombëtar në strukturat euro-atlantike, pas anëtarësimit në NATO. Nuk ka asnjë lloj dyshimi që ky objektiv do të përmbushet gjatë mandatit të dytë qeverisës të Berishës, i cili sapo ka filluar. Garanci për plotësimin e këtij objektivi janë jo vetëm duarshtrëngimet kombëtare dhe ndërkombëtare të Berishës, por edhe arritjet integruese në mandatin e parë qeverisës të tij, ndërkohë që problematika e çështjeve të lëna trashëgim nga qeveritarët socialist ishte e shumëanëshme. Në këto kushte nuk besojë që të ketë shqiptarë me mend, i cili të shqetësohet për dorëheqjen e Ramës dhe të mos vlerësojë dorështrëngimet e Berishës, tek të cilat preket e ardhmja jonë e përbashkët drejt Perëndimit.