E Diel, 1 Nëntor 2026

Libri i gjakut në letërsinë e Kadaresë

Në skenë paraqitet Vendi i tij, me ato rregullat krenare fisnore, që doli nga  mjerimi dhe nga mënjanimi i gjatë i viteve komuniste. 
Më parë i mërguar dhe, pastaj, bujtës në Paris prej 15 vjetësh, Ismail Kadareja duket se i heq tani hutimet e kohëve tona: kishte lindur në Gjirokastër, në Shqipëri dhe u bë, në njëfarë mënyre, një kundërshtar simbol i Enver Hoxhës, një disident.  Por tani ç’duhen disidentët, kur ka rënë shkaku i kundërshtisë së tyre? Në vite jo shumë të largëta, Kadareja ishte përfshirë në listat e Nobelve të mundshëm. Sot Shqipëria nuk është më ai vend misterioz dhe i prapambetur që ndiqte zërin urdhërues të komunizmit kinez. Në kronikat tona, ajo është bërë vendi që eksporton prostituta dhe faqezinjtë që i shfrytëzojnë, apo që përçon klandestinët që kërkojnë të zbresin në brigjet tona, pas kalimit të Adriatikut me gomone.
Kadareja ka një vështrim më të gjatë, siç ndodh me tregimtarët e vërtetë.
Gjithmonë  e ka pasë vënë veten në një vendkëqyrje tepër të veçantë, në atë që ndodhet ndërmjet botës së të gjallëve dhe asaj të të vdekurve. Detyra që i ka vënë vetes, siç na duket, është ajo që të vëzhgojë se ç’ndodh ndërmjet të dy anëve. Asnjë fantazmë, le të kuptohemi: do të ishte e lehtë dhe, në thelb, jo e hollë. Kadareja e di mirë se muri i vdekjes hapet vetëm nga brenda. Veçse përtej atij muri diçka ndodh dhe dikujt i qëllon edhe ta kapërcejë. Është tema e një tregimi të tij të lashtë e të gjatë: “Kush e solli Doruntinën”? Në romanin e ri “Lule të ftohta të prillit”, i sapo përkthyer nga Françesko Bruno për Longanezin (183 f.), në skenë paraqitet Vendi i tij, që kishte dalë nga mjerimi dhe nga mënjanimi i gjatë i viteve komuniste. Kjo vërehet edhe në muhabetet, e të zgjon habi që ndodh një gjë apo një tjetër. Edhe një vjedhje banke duket si e veçantë, që merret nëpër gojë nëpër kafenetë.
*
Protagonisti është piktori Mark Gurabardhi, i dashuruar me modelen e tij të re. Por protagonistja e vërtetë është Shqipëria e vjetër, ajo që i ka rrënjët të ndërfutura dhe të kredhura në një të kaluar mijëvjeçare dhe që i ruan kodet më fillestare të të sjellurit, rregulla shoqërore fisnore dhe krenare. Por edhe legjendat. Njëra prej tyre spikat ngulmuese bash në kohën kur jetonte piktori Mark: një motërzim (variant) i së Bukurës dhe Bishës.
Është një shqyrtim i veçantë në kufirin ndërmjet jetës dhe vdekjes. Kështu një vajzë e re dëgjon t’i thuhet nga i ati i cili, për të shlyer një faj, për të paguar një detyrim për të cilin s’dihet asgjë, ajo do të duhet të pranojë një martesë  mjaft të rëndë e të pazakontë. – “Është një gjë e vështirë”, - e paralajmëron për herë të dytë i ati; por ajo përgjigjet fare thjesht: - “Sido që të jetë, do të bindem”. I thonë, me një qartësi tronditëse, se është fjala për martesën me një gjarpër. Jo me një njeri me pamjen e një gjarpri, apo me tiparet që kanë zvarranikët. Por me një gjarpër fare të vërtetë. Historia tregohet në kundërkreun e parë, ndërsa tamam në kreun e parë të vërtetë, piktori Mark - që i afrohet me kureshtje një grumbulli njerëzish në rrugë, dëgjon atje fjalën “gjarpër”. Një gjarpër i ngrirë dhe i plogët në lëvizje. Sipas të gjitha gjasave, në letargji. Gjarpri ishte gjetur nga disa fëmijë dhe tani njerëzit po e shihnin dhe nuk dinin ç’ta bënin. Është një shqyrtim i veçantë, në kufijtë ndërmjet jetës dhe vdekjes.
Metamorfoza ka të bëjë më një vend i cili, ashtu si gjarpri që zgjohet nga gjendja e letargjisë, edhe njerëzit e veçantë të këtij vendi s’dinë me tamam se ç’duhet të bëjnë, ndërsa rikthimi si një grafullim i së shkuarës së afërt del në dritare, me shenjat dalluese të një fantazme që ka dalë nga varri. Ç’po kërkonte politikani i madh në Arkivin sekret, të fshehur në fundin e një zgavre? Dhe cili është Tjetri, i ndërlidhur me pallatin e pushtetit me një tunel të nëndheshëm, por me një portë e cila, sikundër muri i vdekjes, hapet vetëm nga  brenda atij muri? Romani, pavarësisht nga elementet që grumbulluan “Lulet e ftohta të prillit” nuk është një roman gotik, ndonëse nuk mungojnë  elemente kobzeza.
Kanuni, një kod nderi. Për shembull hapet sërishmi Libri i lashtë i Gjakut, i cili ishte djegur nga komunistët, sipas disave. Ky libër jepte dhëniet e marrjet për hakmarrjen dhe sasinë e gjakut që një familje i detyron një tjetre, si edhe cilat familje janë jek e jek e cilat jo. Citohen edhe, mbase për t’ia bërë me sy kronikës së tanishme politike, Berishat dhe Nanot. Dhe ndihen të folurat për Kanunin, një kod nderi që përcakton rregullat që duhen përmbushur, me një goditje të vetme të armës së zjarrit, një motërzim i bartur dhe i përshtatur nga koha e përdorimit të shpatave, me udhëzimet e sakta për çka duhet të bëjë vrasësi. Për shembull, të jetë pjesëmarrës në  drekën e përzishme, për të nderuar të vdekurin. Edhe Marku bie në një gjendje që ngjan si e diktuar nga Kanuni i lashtë. Jo gjithçka do të ecë sipas një rituali të parashikuar. Por, kur shpërfaqet këmisha e  përgjakur e të vrarit për t’u bërë sehir nga gjindja, siç ndodhte katërqind vjet më parë, të ngjallet përshtypja se Koha ka nisur të ecë sëprapthi, duke i lënë njerëzit të habitur dhe të tronditur. Edhe vetë Marku kërkon të dijë se ç’ndodh përreth tij, ndërmjet atyre që vdesin dhe atyre që zhduken dhe ngjan sikur kërkon ndihmë nga  rrënjët e largëta të botës, kur hyjnitë ndëshkuan Tantalin për vjedhjen e së fshehtës së pavdekësisë.
Shqipëria shikon nga Europa dhe disa shenja të saj të modernizimit doemos që janë dukur në jetën e përditshme; por hapi ka peshën e vet.
Cila ka qenë, pra, e kaluara e Shqipërisë nëse nuk ka pasë qenë vazhdimisht ajo ndërmjet jetës dhe vdekjes? Vitet e shumta të qeverisjes komuniste kishin si paraprijëse në jetën e vendit ndërhyrjet  në të, të fashistëve italianë. Por edhe më parë ende, me përjashtime të pakta të vetëveprimeve të shkurtra, Shqipëria kishte qenë e pushtuar nga turqit, përgjatë shekujsh. Kështu, u mësua të mos besojë. Dhe ta shesë shtrenjtë lëkurën e saj e, po të mundej, me vështirësi ta bënte këtë.  Kushdo që e ka lexuar apologjinë e treguar nga Kadareja në “Komisionin e festave” (publikuar nga botimet Besa), vepër në të cilën otomanët u ngrejnë një kurth vdekjeprurës shqiptarëve, mund të bindet sesa e rëndë ka qenë historia për ndërtimin dhe në mbrojtjen e pasigurt të një identiteti kombëtar. Tregimi përmbyllet me një shpallje të Sulltanit që e deklaron Shqipërinë të paqenë: ai truall do të përcaktohej si ”zona e tretë në ijën e majtë të perandorisë”. “Lulet e ftohta të prillit” janë një e menduar me bazë ironike ( ironike në mënyrë melankolike) për të lexuar evolucionet e historisë, në të cilat herë-herë, si në një flluskë  mrekullie, shpëtohen dashuritë dhe ëndrrat e njerëzve. Marku, sipas dëshirës së babait të vet polic, do të duhej të vishte edhe ai rrobën e Policisë kriminale, por ishte kundërvënë ashpër. Nuk e donte atë veshje, ndërsa i ati, syll, e zhbironte me atë syrin e vetëm, me një  shprehje të pavendosur. “Nuk kam për ta veshur atë lëkurë gjarpri”, - mendonte Marku duke krijuar një qark të mbyllur (kortoçirkuit)  ndërmjet vetes së vet dhe Kafshës, që ia beh në të gjithë ngjarjen, qysh nga fjalët e para të librit.
Në romanet e Kadaresë njerëzit ngjajnë sikur lëvizin si të pllakosur prej njëfarë lodhjeje filozofike: ata kanë parë e ç’nuk kanë parë. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, njëra nga kryeveprat e shkrimtarit shqiptar, tregonte historinë e një gjenerali italian, i ngarkuar me misionin e trishtë e të dhimbshëm të mbledhjes së eshtrave të ushtarëve italianë, të rënë në Luftën e Dytë Botërore dhe të kërkuar nga familjet që të rivarroseshin në atdheun e tyre. Baltë, shi, gjendje melankolie: odiseja rraskapitëse ne sheshet e luftimeve, lart e poshtë maleve, në kërkim të atyre varreve të sajuara me rrëmbim. Dhe, njëherësh, një mënyrë për të hyrë në brendësinë e shpirtit të këtij vendi, duke qenë pranë njerëzve të lashtë, të  përzemërt por edhe të ashpër, me banime shpesh në vende të strehimit të kafshëve. Në veprën shumë të bukur “Ura me tri harqe” shtyhemi gjer në kohët mesjetare. Një murg tregon si u ndërtua ura dhe për luftërat e bestitnytë që e pengonin atë, se iu duket një mëkat. Një njeri, në të vërtetë, është murosur brenda urës dhe qëndron i ndryrë brenda, me vështrimin e veshur nga gëlqerja, duke i tmerruar njerëzit, por edhe duke i tërhequr ata. Ndërkaq turqit përgatiten të mësyjnë vendin, për ta vënë në dorë. Dhe murgu e ka mendjen te simboli i tyre: Ajo gjysmëhënë që të gjithë njerëzit mund ta shohin në qiell e që zotëron gjithçka, do s’do. Romani është i shumë viteve më parë, por është e tepërt të thuhet se për lexuesin prek edhe probleme të kohës. Me atë cikje të përzishme e cila nuk mungon kurrë në romanet e Kadaresë.
2.11.2005

Përktheu: Kostaq XOXA

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›