E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Edi Rama dhe 21 deputetët miliarderë, të shqetësuar vetëm për mbrojtjen e kupolës së dyshimtë financiare”

PD reagoi pak ditë më parë, ndaj bojkotit të pasanikëve të PS-së

TIRANE – Zbulohen dita-ditës fakte të reja që zhbëjnë blofin politik të Edi Ramës, për të ashtuquajturin bojkot parlamentar. Edvini dhe klika e deputetëve të destabilizuar, nga frika e ndonjë hetimi të mundshëm të pasurisë së tyre nga organet përgjegjëse, po bëjnë reprezaljen e radhës, duke u fshehur pas dekonstruktivitetit parlamentar dhe duke aktivizuar një status-quo, të paprecedentë, për sa i takon marrëdhënieve të kuvendit me një parti politike. Një pjesë e socilialistëve të thjeshtë, por edhe opinioni publik në tërësi, nuk janë të mirë informuar se cila është arsyeja e vërtetë e kësaj reprezaljeje politike të Partisë Socialiste, që tërhiqet për hundësh drejt një humbëtire politike, nga Edi Rama dhe 21 deputetët milionerë që gjallojnë në të. Arsyeja është shumë e thjeshtë, një pjesë e tyre, po hetohen nga organet përgjegjëse, me dyshimet për vënie të pasurisë në mënyrë të paligjshme, nëpërmjet aferave apo edhe fshehja e tyre pas fenomeneve të trafiqeve. Ata po hetohen për pastrim parash.
Ka plot bashkëpunëtorë të Edvinit që po hetohen për konflikt interesi, lidhur me lejet e ndërtimit në kryeqytet, parcelë të cilën, Edvini ua ka besuar hispanikëve të tij, me të cilët ka edhe lidhje të forta shpirtërore, si Dashamir Peza, Fidel Ylli, Enkelejda Shkreli (gruaja e Artan Shkrelit, njeriut më të afër të Edvinit, dhe përfitues i disa lejeve të ndërtimit në kryeqytet, duke shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme pozicionin e tij si anëtarë i KRT-së së Tiranës, apo edhe lidhjet e tij të ngushta), Sadri Abazi, Eduart Shalësi, Arta Dade (përfaqësohet nga djemtë e saj, pasanikë), Valentina Leksaj, (po ashtu frytet e punës së saj të dyshimtë ua ka transferuar djemve, duke e “zhveshur” veten nga përgjegjësitë ligjore. Pra, këta deputetë dhe shumë të tjerë të pa cituar, plotësojnë listën shumë emërore të deputetëve që kanë përfituar leje ndërtimi nga eprori i tyre dhe kanë parcelizuar kryeqytetin shqiptar. Këta deputetë, janë edhe më të pasurit, miliarderë, që nuk e venë ujin në zjarr, për qytetarët shqiptarë, fokusi i tyre i vetëm është shumëfishimi i pasurisë, në mënyrë ekstraligjore dhe në konflikt të hapur interesi.
Ndaj, edhe ky grup miliarderësh, në krye të të cilit qëndron gjenerali, Edi Rama, mbështetën bojkotin e punimeve të kuvendit, për t’i shpëtuar identifikimit të tyre si të implikuar në një seri aferash të ndryshme, dhe sigurisht për të shmangur disi përballjen me organet e drejtësisë, që tashmë po heton pasuritë e dyshimta të një pjese të tyre.
Edvini i trembet komisionit hetimor që po heton veprimtarinë e tij në krye të bashkisë së Tiranës. Komisioni i ngritur nga Partia Demokratike, ka nxjerrë fakte lëshimin e disa lejeve të ndërtimit, në konflikt interesi dhe tërësisht antiligjore si dhe abuzimet me taksat e qytetarëve shqiptarë. Halli i Edvinit kuptohet, nuk ka si të bëjë ndryshe, për të ngadalësuar avancimin e hetimeve lidhur me veprimtarinë e tij, ashtu edhe të deputetëve miliarderë, që tashmë kanë luksin të quhen edhe deputetë.
Ky është bojkoti dhe këto janë arsyet e që e kushtëzojnë drejt kësaj gafe të radhës.... 
Partia Demokratike reagoi vetëm pak ditë më parë, pas aktivizimit të idesë së Edi Ramës, për të kushtëzuar marrëdhëniet e partisë së tij me parlamentin, pa dhënë ndonjë afat konkret, por vetëm duke u justifikuar me disa kushte absurde, tërësisht të pabazuara në legjitimitet dhe që ngrihen vetëm e vetëm, për interesa personale. Selia blu denoncoi këtë vorbull politike të Edvinit, i cili në krye të pasanikëve më të mëdhenj të ballkanit, pronarë firmash ndërtimi, kompleksesh turistike dhe afaristë nga më të ndryshmit, një pjesë e të cilëve janë edhe nën hetim për pastrim parash, nuk shqetësohet për fatet e shqiptarëve dhe dëmin e konsiderueshëm që shkakton me këtë biçim bojkot parlamentar, të paprecedentë dhe të patolerueshëm, për kushtet e një vendi demokratik dhe aspirant për një afrim më të shpejtë me “familjen e madhe evropiane”, e cila mbetet edhe ëndërra e shqiptarëve. “PD duke dënuar edhe një herë këtë akt informon qytetarët shqiptarë se Edi Rama nuk është i preokupuar për socialistët e thjeshtë që i kanë mandatuar deputetët e tyre për të mbrojtur interesat e elektoratit socialist në parlament. Kjo për arsyen se ai menaxhon grupin parlamentar më të pasur në Evropë. Nga 60 e ca deputetë, 21 prej tyre janë miliarderë, të cilët janë të shqetësuar vetëm për interesat e tyre”, u shpreh Partia Demokratike, gjatë një njoftimi për shtyp.
Ajo që kuptohet është nga gjithë kjo rrotullnajë, është se interesi i qytetarëve mbetet interesi i fundit që ka në mendje Edi Rama dhe grupi i tij parlamentar milionerë, madje konsiderohen më të pasurit në Ballkan.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›