Dorëhiqet Gazmend Muhaxheri

Edhe pse nuk është zyrtarizuar ende në Asamblenë Komunale të Pejës, zgjedhja e Smajl Shalës, në postin e drejtorit të Arsimit në Pejë, që nga e enjtja Shala është ulur në kolltukun e të parit të arsimit në Pejë.
Burime jozyrtare i kanë thënë Kosovapressit se dorëheqja e Gazmend Muhaxherit nga posti i drejtorit të Urbanizmit ka të bëjë me emërimin e Smajl Shalës në krye të drejtorisë së Arsimit, mirëpo një gjë e tillë është mohuar nga Gazmend Muhaxheri, i cili ka thënë për Kosovapress se dorëheqja e tij është paraqitur para katër javësh, mirëpo nuk ka mundur të zyrtarizohej pa u zgjedhur drejtori i ri.
"Dorëheqja ime nuk ka të bëjë fare me emërimet që janë bërë, madje unë as që e di se janë bërë emërime të reja sepse nuk kemi pasur asnjë njoftim në Asamblenë Komunale, por unë dorëheqjen e kam paraqitur para 4 javësh dhe arsyeja e dorëheqjes është mungesa e bashkëpunimit të mirëfilltë me partinë që kemi koalicion. Dhe unë si kryetar i degës së LDK-së në Pejë kam vendosur që të largohem nga ajo pozitë dhe do të angazhohemi që ta bëjmë një opozitë të shëndoshë, e cila do të ndikojë në përmirësimin e kushteve të qytetarëve të komunës së Pejës", është shprehur Muhaxheri.