Kuvendi i kërkon Qeverisë ta sjellë Ligjin për Pensionistët

Pensionistët kanë nënshkruar një peticion prej 15.270 nënshkrime, të cilin ia kanë dorëzuar Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione për të thirrur një debat parlamentar për këtë kategori.
Deputetja nga radhët e LDK-së, Rita Hajzeraj ka thënë se në vendet e rajonit pensionet janë 50 % e pagës mesatare, ndërsa në Kosovë janë 20 deri 25 % e pagës mesatare.
Hajzeraj ka thënë se LDK kërkon që Qeveria të sjell ligjin në Kuvend për këtë kategori dhe mos ta anashkaloj atë. “LDK kërkon që mos të krijohen komisione, por ministria duhet që sa më parë ta hartojë ligjin. LDK kërkon që Qeveria e Kosovës sa më shpejt ta hartoj ligjin dhe ta sjellë në parlament”, ka thënë Hajzeraj.
Ndërsa, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, është munduar që të arsyetohet me mungesë të buxhetit për rritje të pensioneve dhe ofrimin e disa alternativave. Por me këtë nuk janë pajtuar deputetët.
Edhe deputeti i PDK-së, Shaip Muja është përpjekur që mos të ketë një debat aq të ashpër në kuvend.
“Jam dakord që të mos përdorim fatkeqësinë financiare tek kjo kategori. Kjo qeveri është e para që ka sjellë këtë projektligj. Nuk është mirë që këtë situatë ta shfrytëzojmë për fushatë”, ka thënë Muja.
Por kritikat nuk janë ndalur, duke vazhduar me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, i cili ka thënë se kjo qeveri nuk dëshiron që të përmbush kërkesat e kësaj kategorie.
"Po bëhen 12 vite që Kosova nuk ka sistem pensional. Ky shtet nuk i respekton të vjetrit dhe këtë kategori. Nuk po dua me përmend fjalën fatkeqësi financiare se nuk është rastësi. Inflacioni rritet larg e më larë, ndërsa pensionet mbesin njëjtë. Kryeministri aktual nuk përton që të nënshkruaj memorandume mirëkuptimi për të marrë votat, ndërsa tash nuk qan kokën”, ka thënë Aliu.
Për më tepër, Aliu ka shtuar se kërkesat e tyre nuk janë astronomike dhe ato mund të plotësohen.
Ndërkaq deputeti i AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë se kjo temë është jashtëzakonisht e ndjeshme e shoqërisë tonë, sepse, siç ka thënë ai, nuk është bërë avancimi i politikave sociale dhe ekonomike në Kosovë.
“Nga 2008 të mos bëhen avancime në këtë drejtim është e padrejtë. Në vend që Qeveria e Kosovës në bisedime teknike të flas për pensionet, shkojnë për tematika të tjera dhe jo ato që janë themelore për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Isufi.
Edhe Isufi ka përmendur nënshkrimet e memorandumeve të nënshkruara mes kryeministrit dhe shoqatave të pensionistëve që kanë mbetur vetëm në letër.
“Mashtrimi ma i madh iu është bërë kur kryeministri ka nënshkruar memorandume dhe i ka fituar zgjedhjet me premtimin që do të rriten pensionet. Po flas për qeverinë që ka nënshkruar memorandume dhe sot nuk i përmbush ato”, ka theksuar ai.
Për ta ftohur debatin ka ndërhyrë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi i cili ka thënë se komisioni ka sjellë pesë rekomandime dhe iu ka lutur deputetëve që diskutimet me qenë në përputhje me këto rekomandime. Krasniqi ka dhënë edhe disa propozime, në mënyrë që kategoria e pensionistëve të përfitojnë rritje të pensioneve.
“Komisioni e ka hulumtuar dhe sapo e shoh në raport nuk ka hulumtuar. Nga privatizimi 20 % shkojnë për punëtorët, ndoshta kishte me qenë mirë që nga ky fond 10 % të shkojnë për pensionistët. Ndoshta kishte qenë një mundësi që edhe gjenerata, gjeneratës t’i ndihmojnë në mënyrë që pensionistët të kenë një jetë më të dinjitetshme. Mos të flasim sa për të thënë, por pensionistët na janë adresuar neve dhe të mos bëjmë fushatë”, ka thënë Krasniqi.
Pas debatit mes deputetëve të pozitës dhe opozitës ka ardhur edhe reagimi më i ashpër i kryeparlamentarit Krasniqi ndajpartive të cilat kanë qenë më herët në pushtet..
“Këtu veç Vetëvendosja ka drejt me fol, ndërsa ju tjerët keni qenë në pushtet dhe e keni kënaq”, ka thënë Krasniqi.
Me tej debati ka vazhduar, ku deputeti, Albin Kurti ka thënë se Kosova ka hyrë në tema të dialogut për çështje që nuk është dashur të bisedohet dhe jo për fondet të cilat i janë vjedhur Kosovës.
“Kthimi i fondeve nuk ka qenë parakusht për dialog dhe asnjëherë nuk i janë përmend Serbisë për fondin që ka vjedhur dhe ky fond llogaritet rreth 2 miliard euro. Punëtorëve iu është vjedhur atë që kursyen tërë jetën. 80 euro pension veç kemi vrasje me paramendim dhe ky shtet nuk i do pleqtë. Pensioni në Kosovë që është asistencë sociale dhe jo pension sërish. Nuk është për jetë më të gjatë, por për vdekje më të shpejt”, ka thënë Kurti.
Edhe deputetja nga LDK-ja, Teuta Sahatçia, ka thënë se ende pas luftës Kosova i ka vetëm dy kategori, ata të cilët nuk kanë punuar dhe ata të cilët kanë pasur stazhin dhe kanë punuar me vite të tëra.
Ajo ka thënë se ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq nuk ka faj, sepse siç ka thënë ajo, ai nuk e ka premtuar një gjë të tillë.
Por, sipas saj, ministri është mirë që të tregojë se ato premtime që janë bërë kanë qenë false.
“Është mirë që qeveria që ka premtuar, që ka shkaktuar këtë problem, është mirë që të heq dorë nga ato lukse dhe ta mbajë fjalën dhe t’ia ofrojë Kuvendit atë zgjidhje që ia kemi borxh këtyre pensionistëve”, ka thënë Sahatçia. /kosovapress/