BE edhe zyrtarisht nis studimin e fizibilitetit për Kosovën

"Në takimin tonë sot kemi diskutuar përfundimet e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, të cilat konfirmojnë qëllimin e Komisionit për të nisur një studim fizibiliteti për një marrëveshje stabilizimi dhe shoqërimi”, ka deklaruar më tej Fyle.
Sipas tij, ky është një hap i rëndësishëm përpara për Kosovën në marrëdhëniet e saj me BE-në.
“Kjo do të sigurojë një kuadër të plotë brenda të cilit ne do të diskutojë me Kosovën të gjitha çështjet që janë të rëndësishme për rrugën e saj drejt një të ardhmeje evropiane. Formula për bashkëpunimin rajonal për të cilën palët ranë dakord javën e kaluar është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të marrëdhënieve kontraktuale me BE-në”, tha Fyle, duke shtuar se konkluzionet e dhjetorit dhe këto të sotmet konfirmojnë angazhimin e BE-së për një agjendë ambicioze evropiane për Kosovën. Nisja e dialogut të vizave në janar, sipas komisionerit Fyle, tregon angazhimin e BE-së në raport me Kosovën.
“Në diskutimet e mia me ministrat Hoxhaj dhe Çitaku kam theksuar detyrë e lidershipit të Kosovës është arritja e një konsensus mbi reformat e nevojshme, sidomos në sundimin e ligjit dhe në tregti. Për të ndihmuar fokusimin e përpjekjeve të Kosovës, në pranverë synojmë të fillojmë një dialog të strukturuar mbi sundimin e ligjit në Bruksel. Këtë javë ekspertët tanë janë në Prishtinë për të siguruar udhëzime për reformat lidhur me tregtinë. Unë sërish theksoj nevojën që Prishtina të punojë në një 'agjendë gjithëpërfshirëse dhe afatgjate' për në veri. Është e qartë se përparimi i mëtejshëm drejt Evropës tani është në duart e vetë Kosovës", ka deklaruar me këtë rast komisioneri Fyle.
Ashton: Vlerësoj vizionin dhe lidershipin e Hashim Thaçit
Shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka shprehur mirënjohje ndaj kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Bruksel.
Duke kujtuar atë që e ka cilësuar marrëveshje historike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, sa i përket bashkëpunimit rajonal të të dyja palëve, Ashton ka vlerësuar kontributin e kryeministrit kosovar, për, siç ka thënë, vizionin dhe lidershipin e tij.
“Kjo marrëveshje do të thotë se Kosova do të marrë pjesë dhe do të flasë vetë për veten e saj në më shumë se 35 forume të ndryshme rajonale. Kosova po ashtu do të jetë në gjendje të nënshkruajë vetë marrëveshje. UNMIK-u tashmë ka deklaruar se do t’i lërë këto të drejta për Kosovën”, ka thënë Ashton para gazetarëve në Bruksel.
Kryediplomatja evropiane ka folur edhe për zbatimin e marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Ne gjithmonë kemi thënë se qëllimi i dialogut është t’i sjellim palët më afër Bashkimit Evropian”, ka theksuar ajo, duke shfaqur shpresën për hapa të tjerë të Kosovës drejt BE-së.
“Në marrëdhëniet tona, ne kemi nisur dialogun për vizat, kemi arritur marrëveshje tregtare, pjesëmarrjen e Kosovës në programet e BE-së... E di se të gjitha këto kërkojnë punë të madhe nga të dyja palët dhe vazhdim të bashkëpunimit. Ne s’kemi mbaruar ende”, ka thënë baronesha Ashton.
Marrëveshjet e arritura në raundin e fundit të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit janë cilësuar sërish si momente historike edhe nga kreu i ekzekutivit kosovar, Hashim Thaçi.
“Mendoj se këta hapa janë të vështirë për shkak të së kaluarës, por janë të rëndësishëm për të ardhmen e përbashkët evropiane”, ka thënë Thaçi.
Më 24 shkurt, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për bashkëpunimin rajonal. Pjesëmarrja e Kosovës në nismat rajonale kishte shkaktuar ndërprerjen për disa kohë të dialogut, pasi Prishtina insistonte në përfaqësimin e saj si shtet, ndërsa Beogradi këmbëngulte në Rezolutën 1244.
Palët janë dakorduar për paraqitjen e Kosovës me fusnotën, e cila përfshin 1244-shin e OKB-së dhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Kryeministri Thaçi do të takojë sot në Bruksel edhe komisionarin për zgjerim të BE-së, Shtefan Fyle, si dhe zyrtarë të tjerë të këtij mekanizmi.
Brukseli falënderon Thaçin
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ndodhet në Bruksel, ku pritet të takojë shefen për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, si dhe komisionarin për zgjerim, Shtefan Fule.
Sipas burimeve të BE-së, kjo vizitë ka për qëllim që zyrtarët evropianë personalisht të urojnë dhe falënderojnë kryeministrin Thaçi për, siç thuhet, kontributin e tij në arritjen marrëveshjes për bashkëpunimin rajonal, në mes të Prishtinës dhe Beogradit, raporton Radio Evropa e Lirë.
Ndërkohë, sot në Bruksel nis samiti dyditësh i shefave të shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Evropian, ku në mesin e temave pritet të jetë edhe procesi i zgjerimit të BE-së.
Udhëheqësit e bllokut po ashtu pritet të konfirmojnë edhe formalisht dhënien e statusit të kandidatit Serbisë, për anëtarësim në BE.
Të gjitha vendet e BE-së, përfshirë edhe Rumaninë, u kanë rekomanduar të martën udhëheqësve evropianë të miratojnë kandidaturën evropiane të shtetit serb.
Delegacioni rumun ka kundërshtuar vendimin e tillë për Serbinë, duke kërkuar përmirësimin e pozitës së pakicës vllahe në këtë vend.
Megjithatë, zyrtarët e BE-së pohojnë se tashmë ka pajtim në mesin e të gjitha shteteve anëtare se Serbia e ka merituar statusin e kandidatit dhe se i ka përmbushur kërkesat në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog.
Këshilli i Evropës pritet të diskutojë edhe situatën ekonomike në Evropë, ashtu si dhe situatën në Siri. /rel/