E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dorëhiqet Zamir Shtylla, ish-kryehetuesi i Gërdecit

 TIRANE – Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama ka pranuar dorëheqjen nga detyra të prokurorit Zamir Shtylla, ish-drejtues i lartë i Prokurorisë së Përgjithshme dhe së fundi prokuror në Elbasan. Ish-drejtori i Drejtorisë së Krimit të Organizuar në Prokurorinë e Përgjithshme, i cili u transferua prokuror në Prokurorinë e Elbasanit vitin që shkoi, mësohet se ka paraqitur dorëheqjen nga detyra në ditët e fundit të vitit 2009. Pak kohë pasi ka paraqitur dorëheqjen, Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama e ka pranuar atë duke e dërguar në Presidencë dokumentacionin zyrtar për shkarkimin nga detyra të Zamir Shtyllës. Ky i fundit u largua nga prokuroria e Përgjithshme ditën e miratimit në Parlament të ligjit të dosjeve pasi kishte shkëmbyer publikisht akuza në një debat me kryeministrin Sali Berisha dhe zyrtarë të tjerë të maxhorancës. Sipas burimeve nga Prokuroria mësohet se dorëheqja e prokurorit Zamir Shtylla ka pasur për motivacion largimin e tij nga funksioni për tu angazhuar në një veprimtari private. Bazuar në ligjin për prokurorinë, Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama pasi ka shqyrtuar dorëheqjen, ka vendosur ta pranojë atë dhe më pas ka hartuar propozimin i cili është dërguar për dekretim në Presidencë. Kreu i shtetit pritet të dekretojë lirimin nga detyra e Prokurorit për Zamir Shtyllën i cili deri në firmosjen e dokumentit nga Presidenti mbetet prokuror në Prokurorinë e Elbasanit. Zamir Shtylla u vu në qendër të akuzave publike për përfshirje në proceset gjyqësore politike të para viteve 90 në Shqipëri, gjatë debateve për ligjin për pastërtinë e figurës i cili u miratua në Parlament. Në këtë kohë, Zamir Shtylla po drejtonte hetimin për dosjen e tragjedisë së Gërdecit ndërsa mbante funksionin e Drejtorit të Hetimit. Më parë ai ka drejtuar Drejtorinë e Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Prokurorinë e Përgjithshme, funksion i cili në mungesë të Prokurorit të Përgjithshëm, i jepte Zamir Shtyllës atributet e zëvendësuesit të kreut të akuzës shqiptare.                            tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›