E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festa, vetëvaret i burgosuri

 RROGOZHINEVdes në qeli momentin e ndërrimit të viteve i arrestuari për tentativë vrasjeje. Sipas burimeve nga burgjet personi që i dha fund jetës është 52 vjeçari Alush Zeqiraj nga Cakrani i Fierit, i arrestuar pak muaj më parë nën akuzën e tentativës së vrasjes së një bashkëfshatari. Burime nga ky burg saktësojnë se ngjarja e rëndë ka ndodhur në orën 23:50 të mesnatës së ndërrimit të viteve. Sipas tyre 52 vjeçari ka shfrytëzuar momentin kur gardianët dhe bashkëvuajtësit e kishin humbur vëmendjen për të shkuar në banjë për nevoja personale. Aty, me të shpejtë ai ka lidhur një rrip që e kishte sajuar në formë litari me copëra çarçafi dhe me të ka kryer aktin e vetëflijimit. Trupi i tij i pajetë është gjetur pak minuta më vonë, kur është njoftuar dhe stafi mjekësor i burgut, por ka qenë e pamundur që t’i shpëtohej jeta pasi shtrëngimi i fytit i kishte dhënë asfiksi duke i bllokuar frymëmarrjen dhe qarkullimin e gjakut në kokë. Pas kësaj, kufoma e 52 vjeçarit i është nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore, për të përcaktuar shkaqet e vdekjes. Burime nga burgu pohojnë se 52 vjeçari, baba i dy fëmijëve ishte arrestuar disa muaj më parë nga policia e Fierit nën akuzat e “tentativës së vrasjes” dhe “armëmbajtje pa leje”. Pas caktimit të masës së sigurisë “arrest në burg” për të, ai ishte dërguar në qelitë e paraburgimit të Rrogozhinës ku, sipas vendimit të gjykatës do të qëndronte deri në përfundim të hetimeve në ngarkim të tij. Hetimet e kryera për vdekjen e tij në qeli kanë nxjerrë se arsyeja që e detyroi 52-vjeçarin të vetëflijohej ishte ngarkesa e madhe psikologjike që i kishte krijuar arrestimi dhe mbyllja e tij në burg. Kohët e fundit, mësohet se ai u kishte shprehur bashkëvuajtësve frikë dhe ankth duke menduar se do të dënohej shumë vite dhe se nuk do kishte mundësi të festonte asnjë festë të Vitit të Ri në familje. Sipas bashkëvuajtësve 52 vjeçari Zeqiraj, ka hyrë në banjë në orën 23:50 duke pretenduar se kishte probleme personale. Askush nuk kishte menduar se çfarë mund të ndodhte, ndërsa të gjithë ishin përqendruar në ekranet e televizorëve për të ndjekur çastin e ndërrimit të viteve. Pas pak minutash, vonesa e tij është vënë re dhe pas verifikimit ai është gjetur i varur me një rrip të sajuar nga copërat e çarçafit që i kishte përgatitur më parë. Pas kryerjes së procedurave hetimore dhe autopsisë trupi i pajetë i’u është dorëzuar familjarëve të tij për të t’i bërë nderimet e fundit.                   fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›