E Diel, 1 Nëntor 2026

Tadiç përplaset me Prishtinën zyrtare për vizitën në Kosovë

 Mes Prishtinës dhe Beogradit kanë nisur sërish të acarohen tonet pas këmbënguljes së Presidentit serb, Boris Tadiç për të vizituar territorin e Republikës së re, pa leje nga autoritetet vendase. Presidenti serb është shprehur për mediat e Beogradit se ai do ta vizitojë Kosovës, pasi kjo e drejtë i takon, sipas Rezolutës 1244, dhe përveç kësaj ai nuk ka ndër mend të braktisë serbët e Kosovës. Në dhjetor të vitit të kaluar, Tadiç tha se do ta vizitonte Kosovën në “fillim të vitit 2010 si shenjë treguese se Beogradi do të mbetet i palëkundur në refuzimin e pavarësisë së Kosovës dhe nuk do të braktisë etninë serbe në provincën separatiste”. “Ne nuk mund të kemi një rajon të qëndrueshëm nëse nuk lëvizim lirshëm nëpër të, prandaj unë besoj se institucionet ndërkombëtare do të reagojnë pozitivisht ndaj kërkesës sime”, tha Tadiç, duke shtuar se Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe marrëveshje të tjera e lejojnë Presidentin e Serbisë të vizitojë Kosovën. Ndërkohë institucionet e Kosovës thonë se nuk kanë marrë ndonjë kërkesë nga Presidenti i Serbisë për të vizituar Kosovën. Vetë Tadiç ka thënë se kërkesën ua ka dërguar institucioneve ndërkombëtare në Kosovë. Por, këto të fundit nuk janë prononcuar mbi këtë çështje. Tadiç ka shprehur dëshirën që të vizitojë Kosovën më 7 janar, me rastin e Kërshëndellave Ortodokse. Mediat serbe thonë se Tadiç ka kërkuar leje për vizitën tek autoritetet ndërkombëtare, të cilat, më pas, kërkesën thuhet se ua kanë përcjellë institucioneve kosovare. Zëdhënësja e MPJ-së, Albana Beqiri, thotë se deri më tash nuk kanë marrë asnjë kërkesë nga zyrtarët serbë. Zyrtarë të institucioneve të Kosovës nuk janë kundër vizitës së Presidentit serb, Boris Tadiç, po qe se ai përmbahet nga dhënia e deklaratave politike në Kosovë. “Ne, parimisht, kurrë nuk kemi qenë kundër që kryetarë të vendeve të tjera të vinë dhe ta vizitojnë Kosovën. Mirëpo, ata duhet të sillen konform rregullave, të mos japin deklarata të pamatura, që nxisin reaksione të padëshiruara ndër qytetarët e vendit”, tha Xhavit Beqiri, zëdhënësi i Presidentit Sejdiu. Sido që të jetë, autoritetet e rendit kanë bërë të ditur se nëse institucionet e Kosovës lejojnë vizitën e Tadiçit, do të ofrojnë siguri. Pa një leje të tillë, atij nuk do t’i lejohet hyrja në territorin e Republikës së Kosovës, ka njoftuar Policia e Kosovës. Vizita e fundit Presidenti serb ka qëndruar për herë të fundit në Kosovë më 17 prill të vitit 2009. Ai vizitoi në atë kohë Manastirin e Deçanit, me rastin e ditës së Pashkëve Ortodokse. Hyrja në Kosovë u mundësua pas një kërkese që i kishte bërë Zyrës së Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian, Piter Feith, dhe me miratimin e institucioneve qendrore në Kosovë. Megjithatë, këto të fundit patën tërhequr vërejtjen se nëse Presidenti i Serbisë bën çfarëdo deklarimi politik, që është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, atij do t’i ndalohet hyrja në Kosovë në të ardhmen, qoftë në kapacitet privat apo zyrtar.Harta e re serbe Ndërkohë Kosova vazhdon të jetë pjesë e Serbisë, sipas hartës më të re të këtij shteti, të cilat edhe zyrtarisht janë aprovuar nga Zyra Evropiane për Statistika – Eurostat. Sipas kësaj harte, Serbia ndahet në 7 rajone, mes të cilave edhe Kosova, sipas të përditshmes së Beogradit, Veçernje Novosti. Bazuar në këtë vendim të qeverisë së Serbisë, i pranuar edhe nga Eurostat, Serbia përbëhet nga rajoni i Beogradit Lindor, Perëndimor, Qendror dhe Jugor, si dhe ai i Vojvodinës, i Kosovës dhe Metohisë. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›