Elvira Diamanti, Drejtoresha e re e Arkivit të Filmit
alma mileViti i Ri e gjeti me një tjetër drejtues Arkivin Qendror të Filmit Shqiptar. Në kapërcyell vitesh, në datën 30 dhjetor 2009, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri emëroi kreun e ri të AQSHF-së. Bëhet fjalë pikërisht për aktoren Elvira Diamanti, e cila u vendos në vend të ish-drejtorit, Artan Minarolli, i cili e la këtë post, për t’u bërë kryetar i Qendrës Kombëtare Kinematografike Shqiptare. Ministrit Xhaferri iu deshën dy javë kohë të mendohej e të vendoste mbi kandidaturat e mundshme për kreun e këtij institucioni të rëndësishëm, i cili ruan pasurinë kinematografike shqiptare, 4297 tituj filmash shqiptarë dhe 2127 tituj filmash. Por ky vendim nuk ishte edhe fort i thjeshtë në një situatë tensioni të krijuar mes kineastësh. Dhjetori ishte një muaj i “tendosur” për këta të fundit. Në përfundim të mandatit të Xhevdet Ferit, si kryetar i Qendrës Kombëtare Kinematografike, pritej emërimi i kreut të ri. Tre shoqata kineastësh dolën hapur kundër rikandidimit të Ferit. Por reagimi edhe emërimi i Artan Minarollit në këtë post, me propozimin e Ministrit të TKRS-së dhe firmë të kryeministrit Sali Berisha, nuk u prit më mirë nga kineastët. Sipas tyre, Minarolli është “krahu” i Xhevdet Ferit dhe si i tillë ai do “mbulojë shkeljet që ai ka bërë gjatë kohës që ka qenë në krye të QKK-së”. Madje në një letër të hapur i kërkuan edhe të mos e pranonte këtë post. E megjithatë kjo nuk ndodhi. Pas pranimit të detyrës së re nga ana e Minarollit, vendi i drejtorit të Arkivit të Filmit mbeti vakant. Nën zë flitej se në këtë vend do të emërohej ish-kryetari i QKK-së, Xhevdet Feri. Një veprim i tillë do të ishte tërësisht qesharak, megjithatë pati shumë që e besuan dhe mësohet se presioni që i është bërë ministrit Xhaferri, që të mos ndërmerrte një veprim të tillë kanë qenë të mëdha. Megjithatë, me apo, pa presion, në datën 30 dhjetor ministri Xhaferri vendosi që në krye të Arkivit të jetë aktorja Elvira Diamanti, e cila së fundmi ka shërbyer si shefe Protokolli pranë Presidentit të Republikës. Një tjetër grua në krye të AQSHF-së, pas shkrimtares Natasha Lako, e cila e drejtoi këtë institucion disa vite më parë. Ashtu si edhe shumë institucione të tjera kulturore edhe Arkivi i Filmit kaloi një periudhë të gjatë tranzicioni dhe vetëm viteve të fundit, duket se ai po del nga letargjia, duke u kthyer në një qendër që jo vetëm ruan pasurinë filmike, por edhe e menaxhon atë e organizon aktivitete të ndryshme, që kanë për bazë shfaqjen e filmave që disponon. Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit u krijua në vitin 1947, në bazë të ligjit “Mbi shtetëzimin e kinemave”, sipas të cilit krijohej Ndërmarrja Kinematografike Shqiptare, fillimisht si një magazinë ruajtjeje për filmat e grumbulluara nga shtetëzimi i kinemave private. Funksionet e tij ishin ato të një Kinemateke. Nga viti 1947–1996, Arkivi funksionoi si një nga degët e Kinostudios “Shqipëria e re”. Më 1 prill të vitit 1997, AQSHF shkëputet nga Alba Filmi, ish-Kinostudio “Shqipëria e re”, dhe hyn në radhën e Institucioneve të tjera kulturore, me përgjegjësinë që të ruajë dhe të mbrojë veprat e artit të shtatë, si të konstitucionit të saj shpirtëror historik, ashtu edhe të huaj. Sot AQSHF funksionon si institucion i pavarur shtetëror. Në 110 vjet kinema, llogariten rreth 11 milionë metra memorje të pasur filmike të depozituar në AQSHF. Pasuria e arkivit Në fondin e AQSHF ruhen dy fonde filmike:Fondi shqiptar: 4297 tituj Filma artistikë: 251 Filma dokumentarë: 1173 Kronika: 1006 Xhirime arkiviale: 1677 Filma vizatimorë: 190 Fondi i huaj: 2127 Filma artistikë: 742 Filma dokumentarë: 602 Kronika: 702 Filma vizatimorë: 75