E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dorëhiqet kryepolici i Dibrës, Shemsi Premçi

Tiranë- Ka dhënë sot dorëheqjen kreu i Policisë së Qarkut të Dibrës, Shemsi Premçi. Mësohet se doreheqja e Premçit i është dorëzuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgajt ditën e sotme.

Vendit e Premçit e ka zënë Hasan Gjergjeri. Premçi u pezullua nga posti më 23 Prill pasi Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ndërmorri një hetim disiplinor ndaj tij.

Premçi prej muajsh u përfshi në një konflikt me zv/ministrin e Brendshëm Avenir Pekën. Kallëzimet e zv/ministrit të Brendshëm, Avenir Peka, dhe drejtorit të policisë Dibër, Shemsi Premçi kanë çuar në hapjen e hetimeve pak ditë më parë nga Prokuroria e Tiranës. Në Prokurorinë e Tiranës është paraqitur shtetasi Shemsi Premçi, i cili pretendon se është fyer dhe ka marrë urdhër të jashtëligjshëm nga zv/ministri Avenir Peka. Ky i fundit ka depozituar në sekretarinë e prokurorisë një kallëzim ndaj Premçit për fyerje dhe moszbatim të urdhrit- thanë më herët burime nga Prokuroria.

Duke shtuar: Hetimet janë në fazën fillestare. Janë këqyrur kallëzimet dhe faktet do të krahasohen me ligjin. Pas kësaj do të pyesim Pekën dhe Premçin, pasi kallëzimet penale flasin për të njëjtën bisedë dhe mesazhe telefonike. Megjithatë, secila palë pretendon se është fyer dhe ka marrë dhe dhënë urdhër të paligjshëm, thanë burimet.

Mësohet se konflikti mes dy zyrtarëve të lartë ka nisur në kohen e një incidenti në Bathore mes përfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Në kohe fushate elektorale Premçi ka kundërshtuar një urdhër të ministrit të Brendshëm duke thënë se zoti Peka i ka kërkuar që të zbatojë një urdhër të jashtëligjshëm. Duke e cituar t’i ketë thënë: të shtypë kokat e atyre që mbështesin Partinë Socialiste’, në lagjen numër 6 të Bathores ku përplasja e militantëv etë pS_së dhe PD-së ishte nxehur së tepërmi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›