E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot në prokurori vlera reale e Durres-Kukes

Dy ekspertët kontabël do të dorëzojnë sot në Prokurorinë e Përgjithshme raportin përfundimtar të vlerës reale të rrugës Durrës-Kukës.

Në bazë të këtyre të dhënave, grupi hetimor në akuzën qendrore do të vendosë nëse financimi i dhënë për këtë rrugë justifikon volumin e punimeve apo jo.

Por një rrezik për hetuesit e çështjes është përfundimi i afateve të hetimit, për shkak se dy ekspertët kontabël, Pëllumb Ahmetaj dhe Zenun Katana, kanë vonuar pa asnjë shkak raportin përfundimtar.

Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se raporti pritej të dorëzohej në muajin gusht, por ekspertët ende nuk ishin gati.

Atyre iu la një muaj kohë në dispozicion për të përfunduar të gjitha përllogaritjet. Por edhe më datën 15 shtator, raporti nuk ishte gati. E ndodhur përballë kësaj situate, Kryeprokurorja Ina Rama shtyu edhe për 15 ditë ardhjen e raportit.

Por, megjithëse data shënon fillimin e muajit tetor, në akuzën qendrore nuk ka mbërritur ende ekspertiza kontabël e vlerës reale të rrugës.

Rrezikohen afatet e hetimit

Zyrtarë të akuzës qendrore thanë dje për gazetën “Shqip” se vonesa e ardhjes së raportit përfundimtar rrezikon afatet e hetimit për të pandehurit.

“Këtë javë përfundojnë afatet e hetimit prej dy vitesh. E ndodhur përballë kësaj situate, Kryeprokurorja Ina Rama nuk mund të shtyjë hetimet”, deklarojnë burimet nga akuza qendrore.

Por zyrtarët e Prokurorisë së Përgjithshme pohojnë se vonesa e ardhjes së raportit nga ekspertët është kryer me dashje. “Kemi dyshime se ekspertët kanë vonuar deri në limitet e afateve të hetimit për të sjellë raportin përfundimtar.

Nëse nuk na serviret përfundimi i tyre, atëherë nuk mund të vendosim nëse ish-drejtuesit e lartë të Ministrisë së Transporteve kanë abuzuar me ligjin”, thanë burimet.

 Sipas tyre, edhe personi nën hetim, Lulzim Basha, i cili ka dëshmuar disa javë më parë, mund të përjashtohet nga dosja, nëse shkelen afatet e hetimit. Për pasojë, dosja mund të shkojë në gjykatë vetëm me personat e marrë të pandehur, të cilët janë në disa poste të larta shtetërore.

Ekspertët, raporti sot në prokurori

Eksperti kontabël, Pëllumb Ahmetaj, në një prononcim për gazetën “Shqip”, tha dje se raporti përfundimtar i vlerës reale të rrugës do të dorëzohet sot në Prokurorinë e Përgjithshme.

Duke mos dashur të japë detaje nga raporti, Ahmetaj tha se vonesa është realizuar për llogaritjen e disa të dhënave. “Sot, do të dorëzojmë raportin në Prokurorinë e Përgjithshme. Nuk kemi asnjë shkak për vonesën”, u shpreh eksperti.

Ndërkohë, sipas prokurorëve, nëse nuk do të ketë pasoja ekonomiko-financiare, “edhe shkeljet e tjera të konstatuara gjatë tenderimit të firmës ‘Bechtel & Enka’, apo procedurat e financimit të tyre, nuk mund të jenë objekt i hetimit penal”.

“Nëse grupi i hetimit do të konstatojë që financimi rezulton më i lartë nga volumi i punimeve, atëherë hetimet do të vijojnë për të verifikuar përfituesit e diferencave që mund të dalin”, kanë pohuar prokurorët.

Por ky veprim i fundit i grupit të hetimit të kësaj çështjeje mund të bëhet vetëm pasi përfaqësuesit e firmës ndërtuese “Bechtel & Enka” të kenë dorëzuar në prokurori projektin përfundimtar të rrugës.

Projekti, ashtu sikurse është bërë e ditur, jo vetëm që nuk ka qenë i plotë në momentin kur është vendosur ndërtimi i rrugës dhe miratimi i financimit nga qeveria shqiptare, por edhe tani që ndërtimi i rrugës ka përfunduar në më shumë se gjysmën e gjatësisë, ende nuk është hartuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›