E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dorezat” kuqezi, ar e argjend

Nga data 28-29 nën tor u zhvillua në Prishtinë dhe Ferizaj turneu i 10-të ndërkombëtar “Adem Jashari” në boks me pjesëmarrjen e 12 shteteve: Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Zvicra, Mali i Zi, Çekia, Bosnjë-Hercegovina, Kuvajti, Gjermania, Bullgaria, Italia dhe Kroacia. Kombëtarja jonë u përfaqësua në këtë edicion me sportistët Albi Sorra, Zamir Selmani, Nelson Hysa, Feliks Kruja dhe Kristian Dema. Sportisti më i mirë i turneut u shpall Jeton Plakaj i peshës 81 kg, njëherësh boksieri i Kombëtares kosovare. Plakaj fitoi ndaj çekut Marek Shpringel. Ashtu si në “Gongu i artë”, ‘dorezat’ kuqezi të shoqëruar nga trajnerët Zef Gjoni dhe Skënder Kurti si dhe nga gjyqtari Rami Sadushi arritën rezultate të larta, duke u bërë përsëri protagonistë të ringut. Sipas sekretarit të Federatës, Edmond Kabashi, sportistët tanë kanë zhvilluar ndeshje me mjaft nivel, duke u kurorëzuar me 3 medalje ari, përkatësisht Albi Sorra, Zamir Selmani e Nelson Hysa si dhe me 2 argjendi, Feliks Kruja dhe Kristian Dema. Juria e këtij turneu, e cila përbëhej nga emra të mëdhenj të boksit vendës dhe ndërkombëtar zgjodhi Albi Sorrën (pesha 64 kg) si boksierin më teknik. Në finale Sorra u ngjit në ring me boksierin nga Çekia Rostislav Raida, të cilin e mundi me shumë meritë. Çifti më luftarak u përzgjodh Agron Nushi (Kosova) dhe Bojan Peshiç (Mali i Zi), boksierin më “fair-play” Butrint Ramën (Zvicra). Boksierët më të mirë të huaj u shpallën: Naser Alenezi (Kuvajti) dhe Marek Shpringel (Çekia).

Kupa
Në ceremoninë përmbyllëse të këtij turneu, boksierit më të mirë ia dorëzoi trofeun Bekim Jashari, përfaqësuesi i familjes së Adem Jasharit. “Jam shumë i lumtur që fitova trofeun “Adem Jashari” dhe është një nder vërtet i madh. Për mua ky vit ka qenë mjaft i suksesshëm, pasi kam arritur të fitoj medalje të shumta në turne të ndryshme ndërkombëtarë. Planet e mia janë që së shpejti të nisem për në Gjermani, ku mendoj të vazhdoj karrierën si boksier profesionist”, ka thënë Jeton Plakaj. Turneu u organizua nga Federata e Boksit të Kosovës, nën kujdesin e veçantë edhe të Qeverisë së Kosovës dhe Kryeministrit Hashim Thaçi.

Olgert Serani (Panorama Sport)

E Merkure, 03 Dhjetor 2008  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›