E Diel, 1 Nëntor 2026

Trajneri i Teutës, Starova: Italinë e kemi këtu“Nuk mendoj se ardhja e trajnerëve të huaj prish punë. Veçse trajnerët shqiptarë e kanë më të lehtë se më parë që të ngrihen në nivel. Literatura vjen këtu, s’ka pse të shkojmë jashtë që ta k

Bledar KUKA - Nuk është kundër trajnerëve të huaj, jep shpresë se kolegët e tyre shqiptarë mund të konkurrojnë denjësisht dhe beson se Teuta mund të jetë një nga zbulimet e këtij kampionati. Sulejman Starova u tregua shumë i lumtur pasi Teuta e tij fitoi në shtëpinë e bardhebluve 2-1 të shtunën në kuadër të Kategorisë Superiore. “Fitore e merituar”, - tha ai, - sikur e ndjenja që Vila do të shënonte, e pashë shumë mirë që në nxemje”.

Ai është triumfatori i javës dhe gazetarët nuk kanë harruar t’i kujtojnë dy largimet aspak të këndshme prej stolit kryeqytetas më 2005 dhe 2007. Më në fund, ai e ka përmendur hakmarrjen ndaj Tiranës, konkretisht ndaj dy prej donatorëve të saj, (kryedonatorit) Halili dhe Ngjelës. “U tregova se gabuan kur më larguan”, - tha ai jo pa mllef në një intervistë interesante për “Sport Ekspresin”, duke lënë lexuesit të gjykojnë nëse bëri mirë apo keq që foli për hakmarrje.

Starova i sotëm është shumë më i qetë sesa ai i verës që na shkoi, kur çdo ditë ishte me dhimbje koke për të gjetur aq lojtarë sa i duheshin për të krijuar Teutën e shpërbërë. “A ju shkonte mendja në verë se dot arrinit deri këtu”, ishte pyetja që i bëra trajnerit ndërsa ai po dilte i kënaqur nga pista e tartanit në “Qemal Stafa”. “Bobi” lëshoi  një buzëqeshje, një nga ato për të cilat është i dëgjuar.

“Në verë po më sillej mendja vërdallë për të gjetur lojtarë dhe nuk kisha fare kohë që të mendoja se ku do të arrija”, - u përgjigj ai. “Më vjen mirë për rezultatet sepse për të arritur deri këtu kemi punuar shumë, - vazhdoi, - futbollistët tanë janë të dëgjueshëm dhe kemi krijuar një grup shumë të mirë. E treguam edhe me Vllazninë apo edhe me Dinamon, pavarësisht se nuk fituam”.

Trajnerit i kërkova që të më thoshte emrat e disa prej lojtarëve që mund të jenë të përmendur në të ardhmen, ndonëse dihet se si çdo trajner ai nuk ka qejf të flasë për individë të veçantë. Starova pranoi dhe përmendi vetëm një emër: “Vila, këtë po e veçoj, ndërsa të tjerët janë lojtarë të mirë, por që kanë forcë të bashkuar në grup, jo veç e veç”.
Një pyetje e ngacmoi veçanërisht ish-sekretarin e përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Futbollit. E pyeta sesi ndikoi dhe ndikon tek trajnerët shqiptarë ardhja e trajnerëve të huaj. “Ju jeni vetë gazetarë apo ka edhe specialistë, - e nisi ai me sulm, - dhe mund të gjykoni nga ajo që shikoni”. “Unë mendoj, - tha më pas, - se ardhja e të huajve nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi”.

“Veçse, - e vijoi mendimin, - mund të them se, në kushtet e krijuara, nuk është më e nevojshme që ne, trajnerët shqiptarë, të shkojmë në Itali për të marrë literaturë. Ka ardhur literatura këtu”. “Bobi” është partizan i flaktë i taktikave italiane të futbollit si dhe një tifoz i hershëm i futbollit të vendit përtej Adriatikut. Natyrisht, ndihmë është edhe lektori i famshëm, Franko Ferrara, që vjen në kurset e trajnerëve shqiptarë.

“Disiplina e vogël, sjell disiplinën e madhe”

Kur ishte trajner i Tiranës, Sulejman Starova, kishte një shprehje të vetën. “Disiplina në gjërat e vogla, sjell disiplinën në gjërat e mëdha”, - thoshte ai. Kjo do të thoshte se ardhja në orar në stërvitje, veshja në orar, ushqimi në orat, fjetja në orar si në shtëpi ashtu edhe në grumbullim, sillte disiplinën në taktikë dhe në fushën e lojës.

I ardhur nga posti i sekretarit të përgjithshëm të FSHF-së, Starova ishte mësuar të urdhëronte dhe të mos kishte komplekse ndaj njerëzve. “Ai ka një veti që atë që ka në kokë e bën, - thotë një ish-bashkëpunëtor i hershëm i tij, - dhe kjo vlen shumë në Shqipëri”. Në 2004-2005, ai fitoi titullin me 84 pikë, rekord i kampionateve shqiptare.

82 golat e shënuar ishin dhe mbeten rekord në historinë e Tiranës, ndonëse edhe Vllaznia “e bukur” e Shkodrës nuk ishte shumë prapa, me 80 rrjeta në llogari të saj. Rekordet në Shqipëri i ka, sidoqoftë, tjetërkush. Partizani më 1954 shënoi 93 gola, më 1955, 96, ndërsa më 1951 ishte “përmbytja” me 136 golat e të kuqve dhe 108 të Dinamos.

Starova arriti ta kapërcente hendekun 7-vjeçar me trajningun, krijuar për shkak të funksionit të tij në FSHF. Ai pati zgjuarsinë që të dëgjonte, por edhe një filozofi brenda vetes së tij. Për shkak të ambicies që e pati gjatë gjithë jetës arriti ta vlerësonte lart autoritetin e vetvetes dhe kjo e ndihmoi në punë.

Sot po arrin të bëjë mrekullira me një skuadër durrsake që, për hir të së vërtetës, nuk premton (ende) aq shumë dhe që mund ta lerë në baltë rrugës. Sidoqoftë, trajneri do të jetë i shpëtuar në çdo rast. Zotësinë e tij e tregon fusha e lojës, pavarësisht se Teuta e Hasanbelliut nuk duket as e mirë paguar dhe as e zonja që të shënojë shumë.

E Merkure, 03 Dhjetor 2008  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›