E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dorëzimi deri në fund të qershorit

10/03/2009  Shefi i ekzekutivit rithekson paraqitjen e kërkesës për statusin e vendit kandidat

“Ngadalësimi i vrullit të zgjerimit rrezikon të shkurajojë opinionin publik, që është pro anëtarësimit”

Kreu i qeverisë mbetet i bindur të dorëzojë në kryeqendrën e politikës së Bashkimit Europian, Bruksel, kërkesën për statusin e vendit kandidat. Në një intervistë për agjencinë e lajmeve AFP, Kryeministri Berisha ka ritheksuar se Shqipëria qëndron e vendosur të paraqesë kandidaturën për në BE, pavarësisht ngurrimeve të shprehura. “Shqipëria parashikon të paraqesë kandidaturën për në Bashkimin Evropian deri në fund të qershorit, edhe pse kriza ekonomike dhe të panjohurat rreth ratifikimit të traktatit të Lisbonës nuk janë të favorshme për zgjerimin e Bashkimit Evropian”, - deklaroi shefi i ekzekutivit. Ai u shpreh se Shqipëria mori dritën jeshile në parim nga presidenca çeke e Bashkimit Evropian për gjashtëmujorin e parë të vitit për të paraqitur kandidaturën e saj deri në fund të qershorit, por asnjë datë nuk është caktuar ende. “Ramë dakord për të paraqitur kërkesën”, - sqaroi Berisha. Ai ka pohuar faktin se disa shtete anëtare të BE-së e shohin me ngurrim paraqitjen e kandidaturave të reja, ndërkohë që kriza institucionale e Bashkimit me ratifikimin që po i bëhet traktatit të Lisbonës dhe që u ndërpre me referendumin e Irlandës, nuk është zgjidhur ende. Ai komenton edhe gjendjen aktuale ekonomike e financiare që po kalon bota dhe vendet e BE-së. “Kriza aktuale, e karakterizuar nga rritja e papunësisë, mund të krijojë një ndjenjë ngurrimi tek evropianët. Një ngadalësim i vrullit të zgjerimit rrezikon të shkurajojë opinionin publik, që në Shqipëri është shprehur në shumicën dërrmuese për anëtarësimin në BE”, - u shpreh Kryeministri Berisha. Sipas tij, paraqitja e kandidaturës është vetëm hapi i parë drejt sigurimit të statusit të vendit kandidat, që mund të zgjasë shumë dhe që sigurisht kërkon miratimin e 27 shteteve anëtare të BE-së. Ai shprehu besimin se BE-ja do të dijë të vlerësojë përpjekjet e vendit tonë, veçanërisht në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Në vitin 2005 ky vend mbizotërohej nga krimi i organizuar. Qytete, fshatra, rrethe të tëra ishin një lloj protektorati i krimit të organizuar. Ky i fundit kontrollonte doganat, pikat e kalimit kufitar, portet”, - theksoi ai. Kreu i qeverisë nënvizoi se “sot më tepër se një mijë kriminelë, që fshiheshin jo vetëm në Shqipëri, por edhe në hotelet me pesë yje në metropolet evropiane, i janë dërguar drejtësisë.” Ai premtoi tolerancë zero në luftën kundër krimit të organizuar. Kryeministri Berisha vlerëson se opozita e majtë shqiptare e ka kapur këtë argument, duke këmbëngulur në paraqitjen e kandidaturës pas zgjedhjeve legjislative. “Një paraqitje e tillë rrezikon të mbetet pa efekt për shumë kohë”, - tha ai. Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë e thellë për anëtarësimin së afërmi të vendit të tij në NATO në muajin prill, duke e vlerësuar këtë si “ngjarjen më të madhe për vendin tim pas pavarësisë” nga Perandoria Otomane në vitin 1912. “Është një ëndërr që po bëhet realitet”, - shtoi kreu i qeverisë, duke siguruar se vendi ynë është i hapur për çdo gjë që mund t’i kërkojë Aleanca e Atlantikut të Veriut (NATO). AFP-ja shkruan se me paraqitjen e kandidaturës së vendit të tij në Bashkimin Evropian Kryeministri Berisha sigurisht që ka pasur si pikësynim zgjedhjet legjislative të 28 qershorit, duke shpresuar që të përfitojë nga kjo iniciativë përpara shqiptarëve. AFP-ja kujton se komisioneri evropian për Zgjerimin, Olli Rehn, theksoi së fundi përpara disa medieve shqiptare se zhvillimi i mbarë i këtyre zgjedhjeve konform standardeve evropiane ishte për Brukselin thelbësor dhe prioritar, përpara se Shqipëria të përparojë drejt perspektivave të saj evropiane, e thënë ndryshe me paraqitjen e kandidaturës për statusin e vendit kandidat të BE-së. Agjencia e prestigjioze e lajmeve shkruan se zgjedhjet në Shqipëri që prej rënies së komunizmit në fillim të viteve ’90 gjithmonë kanë lënë vend për kontestime dhe incidente mes grupimeve politike rivale. Megjithatë, Shqipëria ka miratuar së fundi një ligj të ri elektoral, që pritet të bëjë të mundur shmangien e manipulimeve të ndryshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›