Berisha në Katar,u hap rrugë investimeve

Në vijim të vizitës së tij në Katar, kryeministri Berisha zhvilloi një takim me homologun e tij Sheikh Hamad bin Jassem Bin Jabr Al Thani. Në këta takim të dy personalitetet e larta diskutuan për dy aspekte shumë kryesore për sa i përket krijimit të një baze për investitorët; nënshkrimi i marrëveshjes për lehtësimin e regjimit të vizave dhe nënshkrimi i marrëveshjes për taksimin e dyfishtë. Ata ndanë të njëjtin mendim se këto dy marrëveshje i hapin rrugën investimeve të Katarit në Shqipëri. Kryeministri i Katarit shprehu mbështetjen e qeverisë së tij për projektin e rigazifikatorit.Pas takimit mes tyre, kryeministri Berisha dhe kryeministri i Katarit Sheikh Hamad bin Jassem bin Jabr Al Thani asistuan në nënshkrimin e Marrëveshjes dypalëshe për Bashkëpunimin Ekonomik, Tregtar dhe Teknik. Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri i Financave Ridvan Bode dhe homologu i tij i Katarit. Kryeministri i Katarit u shpreh se ka interes, gjithashtu, edhe në shumë fusha të tjera si në energji, në minerale, në plantacionet frutore dhe në projektin e ullirit, një projekt që ka tërhequr në mënyrë të veçantë vëmendjen, si dhe projekti madhor i rigazifikatorit, një projekt rajonal me interes të përbashkët.Gjatë takimit, u diskutua edhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës, për të cilën kryeministri Berisha u shpreh se 55 vende e kanë njohur atë dhe do të ketë një vazhdimësi njohjesh nga vende mike. Kryeministri Berisha u shpreh se shpresonte se edhe Katari do ta vlerësonte njohjen e Kosovës. Emiri Sheikh Hamad bin Khalifa Al Thani tha se ishte duke e vlerësuar me shumë seriozitet kërkesën për njohjen e Kosovës. Ndërkohë ai u shpreh se e gëzonte ecja e Kosovës në rrugën e modernizimit.