E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ftesë Pangos për të dëshmuar me dëshirë në Prokurori

10/03/2009  Filmimet ende nuk përbëjnë provë për Prokurorinë, ballafaqohen dëshmitë e vajzave

TIRANE- Për ti provuar dy veprat penale ndaj ish-ministrit të Kulturës, organit të akuzës do i duhen deklarimet e vajzave që kanë qenë protagoniste të videos skandal, në të cilën deputeti Ylli Pango shfaqet duke tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me njërën nga to, në vilën e tij që ndodhet në “Qytetin Studenti”. Prokuroria tha se deklarimet e tyre do të merren si provë vetëm atëherë kur thëniet përpara grupit hetimor, të korrespondojnë me pamjet filmike dhe përgjimin e kryer nga emisioni “Fiks Fare”. Lidhur me hetimin e këtij skandali, Prokuroria ka ftuar ish-ministrin Pango të paraqitet në Prokurori me vullnetin e tij. Nuk dihet me saktësi nëse Pango ka pranuar ftesën e organit të akuzës, por mësohet se së shpejti Prokuroria do i dërgojë Parlamentit kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetit, që u përfshi në një skandal seksual. Ndërkohë që për hetimin e mëtejshëm të çështjes Prokuroria e Përgjithshme pritet të marrë në pyetje vajzat që futën në kurth ish- ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Ylli Pango. Burime pranë organit të akuzës shqiptare thanë se në procedimin e nisur pak ditë më parë do të merren si prova vetëm deklarimet e vajzave si dhe personave të tjerë, që kanë dijeni për çështjen në fjalë.

Pamjet e veprat penale

Lidhur me këtë situatë specialistët pranë grupit hetimor pohuan ditën e djeshme se pamjet e filmuara dhe përgjimi i kryer ndaj profesorit të Psikologjisë, Ylli Pango, nuk do të administrohen si provë nga ana e Prokurorisë, por videoja sipas tyre ka shërbyer si një indicie për të regjistruar procedimin penal. Mësohet se ky i fundit është regjistruar në Prokurorinë e Përgjithshme për dy veprat penale të “Kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë” e mbetur në tentativë si dhe për “shpërdorim detyre”. Grupi hetimor që po kryen hetime për zbardhjen e rrethanave të këtij skandali deklaron se procedimi penal nuk është regjistruar në emër të Ylli Pangos, pasi sipas ligjit një person me imunitet procedohet vetëm atëherë kur Parlamenti vendos me shumicë të thjeshtë, heqjen e imunitet të tij. Burime nuk konfirmuan se tashmë kjo procedurë është kryer nga ana e tyre, por theksuan se në qoftë se gjatë procesit hetimor do të ngrihen dyshime të bazuara në prova, atëherë pyetja e personin nën hetim Ylli Pango do të ishte e pashmangshme. Aktualisht grupi hetimor pranë Prokurorisë së Përgjithshme është duke verifikuar me imtësi të gjitha pamjet dhe bisedën e regjistruar nga emisioni “Fiks Fare”. Për verifikimin e videos Prokuroria ka urdhëruar disa ekspertë që kanë njohuri mbi kasetat filmike, që të kontrollojnë pjesët e prera. Në qoftë se akuzat e ngrita ndaj ish-ministrit të Kulturës do të provohen atëherë, ai rrezikon tre deri në 5 vjet heqje lirie ose gjobë nga 30.000 lekë deri në 1 milion.

Reagimi i rektorëve

Diskutimi i çështjes “Pango”, për të drejtën e profesionit tashmë do t’i kalohet Këshillit të Etikës pranë Universitetit të Tiranës. “Këshilli i Etikës vepron mbi bazën e një rregulloreje, e cila miratohet në senatin akademik. Akti i parë që duhet kryer është të vendoset ne vend morali dhe pas kësaj të fillojnë të gjitha procedurat e tjera. Pra, zoti Pango duhet ta sqarojë këtë ngjarje në linjë institucionale dhe pas kësaj ai mund të fitojë të drejtën e dhënies së mësimit”, ka pohuar kreu i rektorëve Jorgaq Kacani.

Video skandali

Grupi hetimor që po kryen hetime mbi rrethanat dhe vërtetësinë e video skandalit të Ylli Pangos, ka sqaruar se pamjet filmike dhe biseda e regjistruar nuk do të merret si provë nga organi i akuzës. Ajo vetëm është administruar në procedimin penal. Gjithashtu sipas specialistëve të organit të akuzës video ka shërbyer për fillimin e këtij procedimi, por jo për të provuar fajësinë e ish-ministrit Ylli Pango, i cili është viktima e kësaj videoje.

Neni 102

Kryerja e marrëdhënieve seksuale me dhunë me të rritura dënohet me burgim nga tre deri në 5 vjet. Në këtë rast ish-ministri Pango ka konsumuar plotësisht elementët e veprës penale të “kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë” mbetur në tentativë. Aktualisht procedimi penal në ngarkim të tij e përmban këtë akuzë. Ndërkohë që mbi supet e Pangos pritet të rëndojë edhe akuza e shpërdorimit të detyrës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›