E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dorëzohet Ina Rama, merr fund Durrës-Kukës

Javën e kaluar, zyrtarë të akuzës, pohuan se po bënin gati rinisjen e procedimit penal për abuzimin në ndërtimin e rrugës

Prokurorja Përgjithshme deklaroi dje se vendimi i Gjykatës së Lartë nuk lejon kryerjen e veprimeve të mëtejshme hetimore

TIRANË- Në kohën kur pritej që Prokuroria e Përgjithshme të riniste hetimin e skandalit të rrugës Durrës-Kukës, kryeprokurorja Ina Rama deklaron mbylljen përfundimtare të kësaj dosjeje, duke ia lënë "fajin" vakumit ligjor të legjislacionit shqiptar.

Ky vakum, sipas burimeve të institucionit të akuzës ka realizuar "manovrimin" e anëtarëve të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë të kryesuar nga gjyqtari Spiro Spiro, që në 10 prill, të deklaronin pavlefshmërinë absolute të hetimit të këtij skandali për ndërtimin e segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash.

Vetë kryeprokurorja Rama, mesditën e djeshme, pas një seance dëgjimore me dyer të mbyllura mes krerëve të institucioneve të drejtësisë dhe përfaqësuesve diplomatikë të Bashkimit Evropian në Shqipëri lidhur me ecurinë e reformave në sistemin e drejtësisë, është shprehur se vendimi i Gjykatës së Lartë është i formës së prerë dhe nuk do të ketë rihetim të dosjes.

"Ju duhet ta keni dëgjuar që vendimi i Gjykatës së Lartë është i formës së prerë",- ka theksuar kryeprokurorja Rama, duke lënë të nënkuptohet se skandali i ndërtimit të segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash mbyllet njëherë e përgjithmonë.

Kjo tërheqje e kryeprokurores Rama, erdhi vetëm pak ditë pasi vartësit e saj, të kontaktuar nga 'Shekulli", konfirmuan se dosja do të rihapej dhe do t'i kërkohej Gjykatës Kushtetuese interpretimi i imunitetit të Ministrit të Jashtëm Lulëzim Basha, si ish-i pandehur tashmë i këtij skandali.

Zyrtarët e lartë të akuzës, mbështetën deklarimin e "shefes" së tyre Ina Rama, duke u shprehur se vendimi i Gjykatës së Lartë nuk mund të rishikohet pasi është vendim unifikues dhe precedent për rastet e tjera.

"Vendimi i Gjykatës së Lartë, në radhë të parë ishte një vendim i paprecedent në historinë e gjyqësorit, pasi për të njëjtin objekt janë dhënë tashmë vendime të ndryshme.

Përveç kësaj, anëtarët e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë kanë vendosur "ngrirjen" e dosjes, pasi nuk janë shprehur as për pezullim, as për pushimin e saj dhe nuk i kanë dhënë një drejtim kësaj dosjeje, ku ky institucion duhet të jetë ai që rregullon vakumet ligjore.

Me këtë vendim, Kolegji Penal ka vendosur që çështja të jetë e ngrirë dhe mos të bëhet asnjë veprim, si në rihetim, vendim pushimi apo vendim dërgimi në gjykatë. Kodi shqiptar i Procedurës Penale nuk e parashikon një gjë të tillë dhe gjyqtarët kanë manovruar me këtë fakt duke vendosur pavlefshmërinë absolute të të gjitha veprimeve hetimore të kësaj dosjeje jashtë afatit hetimor të përcaktuar nga prokuroria",-thanë burimet.

Vetëm pak ditë më parë, Gjykata e Lartë pasi shqyrtoi kërkesat paraprake të palëve në procesin gjyqësor të skandalit të rrugës Rrëshen-Kalimash vendosi të shpallte absolutisht të pavlefshëm vendimin për mbylljen e hetimit ndaj Ministrit të Jashtëm, Lulëzim Basha e Andi Toma, si dhe kërkesën për gjykim të dorëzuar në Gjykatë.

Me këtë vendim, togat e zeza mbyllën përfundimisht dosjen hetimore të skandalit të rrugës Durrës-Kukës, që sipas prokurorisë, dy të ish- të pandehurit Basha e Toma kanë konsumuar veprat penale të "shpërdorimit të detyrës" dhe "shkeljes së barazisë në tendera apo ankande publike". Kjo duke favorizuar një kompani, që i ka sjellë shtetit një dëm prej rreth 230 milionë euro, që me përfundimin e ndërtimit të rrugës do të rritet.


Ina RAMA BE-së: Kemi pasur presion nga politika


TIRANË- Përfaqësuesit e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, nën kryesimin e ambasadës së Çekisë si kryesuese e radhës së BE-së, zhvilluan një seancë dëgjimore me dyer të mbyllura me drejtuesit më të lartë të sistemit të drejtësisë në vend, duke testuar përparimin e reformave dhe respektimin e pavarësisë së tyre.

Një takim i tillë, u zhvillua në kuadër të plotësimit të kushteve pas nënshkrimit të marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit dhe në prag të përgatitjes së progres raportit të ri për Shqipërinë.

Të pranishëm në këtë takim përballë përfaqësuesve të BE-së, ishin nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD), Kreshnik Spahiu, Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama dhe zëvendësministri i Drejtësisë, Viktor Gumi.

Përfaqësuesit e BE-së, iu janë drejtuar krerëve më të lartë të drejtësisë me një sërë pyetjesh të ndryshme, ku më e "testuar" mes tyre mësohet se ka qenë kryeprokurorja Rama, institucioni i së cilës është i "sulmuar" nga politika për shkak të çështjeve të ndryshme që hetohen prej saj.

Sipas burimeve të institucionit të akuzës, mësohet se interesimi i diplomateve Evropiane ka qene i gjerë për kryeprokuroren, duke përfshirë që nga miratimi i ligjit për Prokurorinë, imunitetin e prokurorëve, pagat e tyre, hetimet e shpërthimit të Gërdecit dhe presionet nga politika.

Në përgjigjet që Rama i ka dhënë diplomatëve të BE-së, ka ritheksuar faktin se institucioni i Prokurorisë është gjendur vazhdimisht në presionin e politikës dhe qeverisë, si pasojë e çështjeve që janë vënë nën hetim.

Po gjithashtu ka qenë edhe nën presionin e publikut, që ka pritur rezultate konkrete për luftën ndaj krimit e korrupsionit. Gjithashtu, edhe nënkryetari i KLD-së, Spahiu, i është përgjigjur pyetjeve të përfaqësuesve të BE-së lidhur me hartimin e disa ligjeve shumë të rëndësishme, reformave, buxhetin, pavarësinë etj.

Pas daljes nga kjo seancë dëgjimore zv\kryetari i KLD-së u shpreh: Ishte një seancë e gjatë, ku na u desh të ballafaqohemi me pyetje të ndryshme të diplomatëve të BE-së, të cilët ishin të interesuar për problemet që lidhen me procesin legjislativ, me projektligjet e fundit të kaluara dhe debatuara në parlament, më çështjet që lidhen me imunitetin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe politikanëve, çështjet që lidhen me pavarësinë e gjyqësorit dhe sistemit të drejtësisë si edhe problemet e korrupsionit të të gjithë sistemit por në veçanti atë të sistemit të drejtësisë."-tha Spahiu.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›