E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejt harresës dëmshpërblimi për “Gërdecin”

22/04/2009  Prokuroria verifikon pasuritë e të pandehurve, nuk arrin as gjysmën e dëmit të shkaktuar

Rrezikohet mospagimi i viktimave, ligji parashikon që dëmi të konvertohet në burg

TIRANE- Dëmshpërblimi i viktimave të tragjedisë së Gërdecit si dhe shpërblimi financiar i buxhetit të shtetit, duket se nuk do të kryhet asnjëherë nga subjekti privat “Alba-Demil”, drejtuesi i saj Mihal Delijorgji si dhe nga të pandehurit e tjerë që janë vënë nën akuzë nga Prokuroria e Përgjithshme. Verifikimet e kryera nga specialistët e grupit hetimor të dosjes “Gërdeci”, kanë treguar se me pasurinë aktuale që kanë personat e paditur në Gjykatën e Lartë, nga avokati i shtetit Eduart Halimi dhe të afërmit e 11 viktimave, ata nuk mund të dëmshpërblejnë ankimuesit, pasi shuma totale që ata kërkojnë është 2. 243. 843. 616 lekë, shifër kjo e papërballueshme ekonomikisht nga të pandehurit. Burime pranë organit qendror të akuzës shqiptare thanë se procesi i verifikimit të sekuestrimit të pasurive, ka nxjerrë në dritë financat e të pandehurve kryesorë që akuzohet për shpërthimin e fuqishëm të punishtes së demontimit të municioneve, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë. Nga llogaritjet e para duket se personat që mund të shpallen fajtorë nga Gjykata e Lartë, nuk do të kenë mundësi të dëmshpërblejnë dëmin ekonomik të shkaktuar shtetit shqiptar si dhe 11 familjarëve të viktimave që kanë kryer padi në gjykatë. Mirëpo pamundësia e fajtorëve të tragjedisë së Gërdecit, për të dëmshpërblyer dëmin kolosal, nuk do të thotë që ata t’ia hedhin fare lehtë këtij problemi. Pikërisht kësaj situate i kanë paraprirë specialistët e Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas gjykimit të tyre, në qoftë se të pandehurit që do të shpallen fajtorë nga Gjykata e Lartë, dhe që nuk do të kenë mundësi të paguajnë dëmin ekonomik të shkaktuar shtetit dhe familjeve të viktimave, atëherë ky dënim për ta do konvertohet me burg.

Pasuritë e të pandehurve

Mësohet se të pandehurit Mihal Delijorgji, organi i akuzës i ka sekuestruar një sërë pasuri, ku më kryesoret janë 23 llogaritë bankare, të cilat në total kapin shumën financiare prej rreth 900 mijë euro. Po kështu Prokuroria ka mundur të hedhë dritë edhe mbi pasurinë e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, të cilit ka mundur t’i gjejë një kredi bankare 300 mijë euro si dhe një apartament. Ndërsa të pandehurit Ylli Pinari si dhe të pandehurve të tjerë i është zbardhur vetëm banesat ku ata jetojnë. Lidhur me këtë drejtim Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar disa letërporosi në Amerikë, ku i kërkon autoriteteve të SHBA-së verifikimin e llogarive bankare të të pandehurve Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Fatmir Mediu. Ndërkohë që aktualisht dy paditë civile, si ajo e 11 familjarëve të viktimave dhe ajo e avokatit të shtetit i janë bashkuar procedimit penal të Prokurorisë së Përgjithshme. Mësohet se në padinë e tyre të afërmit e viktimave, kërkojnë nga firma që demontonte municione në Gërdec, dëmshpërblimin e çdo personi të vrarë, me 20 milionë lekë të reja. Ndërsa nga ana tjetër padia civile e avokatit Eduart Halimi, që në gjuhën teknike quhet padia e regresit, sipas nenit 627 të Kodit të Procedurës Civile, synon të marrë nga llogaria e firmës “Alba-Demil” 2.2 miliardë lekë.

Hetimet e Prokurorisë gjatë një viti

Tragjedia e Gërdecit ndodhi më 15 mars të vitit të kaluar, ku gjatë një shpërthimi të fuqishëm humbën jetën 26 persona dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë. Po ashtu nga fuqia shpërthyese u shkatërruan plot 1.690 banesa, të cilat ndodheshin përreth. Hetimet për tragjedinë nisën fillimisht nga Prokuroria e Tiranës, e cila mori të pandehur më 17 mars të vitit të kaluar Mihal Delijorgjin, Dritan Minxhollin dhe Ylli Pinarin, duke ngritur në ngarkim të tyre akuzën “shkelje të rregullave të lëndëve, plasëse, djegëse dhe radioaktive”. Pas përfshirjes në hetim edhe të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dosja kaloi për hetime në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila kërkoi edhe heqjen e imunitetit. Në të njëjtën kohë Prokuroria arriti në përfundimin se shkak i shpërthimit të fabrikës ishte aksidental. Pas hetimeve te imtësishme, akuza mori edhe 26 persona të tjerë të pandehur.

Statistika të përgjithshm për Gërdecin

Dëmi financiar

2. 243. 843. 616 lekë

Të vdekur

26 persona

Të plagosur

300 persona

Demi material

Ju shkaktua 5829 personave

Sasia e shpërthyer e barutit

1067,855 ton

Shpërthimi i djegoreve

286. 476 copë

Shpërthimi i predhave

4365,335 ton

Shpërthimi i Tritolit

795,609 ton

Kompania përgjegjëse

“Alba-Demil” Sh.P.K

Blerësit e dërguesit

AEY, MEICO

Të pandehur

29 persona

Të arrestuar

4 persona

Persona publikë të implikuar

Fatmir Mediu, Luan Hoxha

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›