Dobjani e Prençi penalizojnë 4 punonjës policie
Avokati i Popullit dhe Policia e Shtetit penalizojnë katër efektivë të policisë së komisariatit të Peshkopisë. Masat ndëshkuese erdhën pas verifikimeve se është shkelur procedura gjatë marrjes në pyetje të një 15-vjeçari, i cili për pasojë u hodh nga kati i tretë. Gjithashtu, masa disiplinore janë marrë edhe ndaj zv.drejtorit për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Dibër dhe shefit të Komisariatit të Policisë Dibër. Përgjatë një konference të përbashkët për shtyp, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u shpreh se një nga qëllimet kryesore të institucionit që ai drejton është respektimi i të drejtave të njeriut. “Ndaj personave që nuk e zbatojnë këtë të drejtë të rëndësishme, do të merren të gjitha masat disiplinore, në bazë të ligjeve”, - vazhdoi ai. Sipas policisë, në datën 7 prill, u shoqërua me akuzën e vjedhjes në bashkëpunim adoleshenti E. Lleshi. Por, si pasojë e mosrespektimit të procedurave gjatë marrjes në pyetje, ai është hedhur nga kati i tretë i ndërtesës, duke u plagosur. Avokati i Popullit nisi menjëherë hetimet në lidhje me këtë ngjarje, ndërkohë që pas verifikimeve të kryera arriti në përfundimin se sjellja e punonjësve të policisë në Qarkun e Dibrës ishte jo e duhur dhe shkaktoi këtë ngjarje. Ditën e djeshme, kreu i Policisë së Shtetit takoi Avokatin e Popullit, Emir Dobjanin, ku diskutoi në lidhje me këtë ngjarje. Pas kërkesës së këtij të fundit, për të marrë masa ndaj sjelljes jokorrekte nga ana e punonjësve të policisë në Dibër, Prençi vendosi masa disiplinore ndaj tyre.
Reagimi i Avokatit të Popullit
Në fjalën e tij, Avokati i Popullit shprehu vlerësimet për punën që po bën policia në kuadrin respektimit të të drejtave të njeriut. “Vlerësojmë faktin e përmirësimit në rritje të performancës profesionale të Policisë së Shtetit, në ushtrim të funksionit të saj, si dhe në respektim të të drejtave të njeriut. Gjithashtu, ai deklaroi se duhet punuar më shumë në drejtim të rritjes profesionale të efektivave të Policisë së Shtetit në përgjithësi dhe atyre që punojnë në Policinë Gjyqësore në veçanti, me qëllim që presioni, dhuna dhe tortura të mos ndodhin më tej, sidomos në ndërtesat e komisariateve apo stacioneve të policisë shqiptare”, - u shpreh Dobjani. Ai u shpreh se “duke marrë shkas nga rasti i 15-vjeçarit në Peshkopi, ne kemi dërguar inspektorët tanë, të cilët kanë verifikuar pretendimet e familjarëve të të miturit, të cilët akuzonin disa punonjës policie për veprime në kundërshtim me ligjin”. Pas kontrollit të kryer, Avokati i Popullit ka konstatuar shkelje ligjore dhe administrative lidhur me të drejtat dhe detyrimet e punonjësve të policisë për shoqërimin dhe pyetjen e shtetasve në polici, si dhe regjistrimin e tyre në librin e personave të shoqëruar. Për këto arsye, Avokati i Popullit i ka rekomanduar drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, që “ngjarja të analizohet me objektivitet dhe të fillohet procedimi disiplinor, që të rezultojë me masa disiplinore ndaj punonjësve të policisë që kanë kryer shkelje. Gjithashtu, në rekomandimin e Avokatit të Popullit, kjo ngjarje duhet të përgjithësohet me të gjithë efektivat e Policisë së Shtetit, me qëllim që raste të tilla të mos përsëriten më në të ardhmen.
Reagimi i Policisë së Shtetit
Ndërkohë, që në fjalën e tij, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z. Ahmet Prençi, ka theksuar se “garantojmë opinionin publik se të drejtat e njeriut zbatohen në çdo institucion vartës të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe në rast se do të konstatohen shkelje, do të ketë masa disiplinore për çdo punonjës policie”. Në lidhje me rastin e 15-vjeçarit E. Lleshi, drejtori i Përgjithshëm u shpreh se në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Dibër janë dërguar inspektorët e Drejtorisë së Standardeve Profesionale, të cilët kanë verifikuar veprimet e punonjësve të policisë. Nga verifikimet e bëra është konstatuar se gjatë shoqërimit dhe marrjes në pyetje të 15-vjeçarit E. Ll. janë kryer disa shkelje ligjore dhe administrative. Për këtë arsye, janë dhënë masat disiplinore për katër punonjës të policisë: Komisar Pavlin Zhivani, me detyrë shefi i Seksionit të Parandalimit të Krimit dhe Policimit në Komunitet, në Komisariatin e Policisë Dibër; masa disiplinore e dhënë “Pezullim pa pagesë për 30 ditë”, nënkomisar Admir Trupja, me detyrë specialist për Hetimin e Krimeve të Lehta, në Komisariatin e Policisë Dibër; masa disiplinore e dhënë “Pezullim pa pagesë për 30 ditë”, Komisar Xhezair Hoxha, me detyrë shefi i Seksionit të Rendit dhe Sigurimit të Objekteve në Komisariatin e Policisë Dibër; masa disiplinore e dhënë “Shtyrja e afatit të gradimit për 12 muaj” dhe kryeinspektor Sinan Merdini dhe Fatmir Ndreu, me detyrë përgjegjës grupi, në Seksionin e Rendit dhe Sigurimit të Objekteve, në Komisariatin e Policisë Dibër; masa disiplinore e dhënë “Shtyrja e afatit të gradimit për 12 muaj”. Gjithashtu, ndaj drejtuesit Fran Rica me detyrë zv.drejtor për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Dibër dhe kryekomisar Aledin Omuri, me detyrë shefi i Komisariatit të Policisë Dibër, ka filluar ecuria disiplinore. Kreu i Policisë së Shtetit deklaroi se policia respekton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. “Garantoj opinionin publik se policia në ushtrim të funksionit të saj respekton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Në rast se ne, media apo institucione të tjera konstatojnë shkelje të këtyre të drejtave, garantoj se do të marrin masa disiplinore ndaj çdo punonjës policie, qoftë në rolin bazë, ashtu edhe në rolet drejtuese”, - përfundoi drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Ngjarja, 7 prill 2009
Peshkopi, shoqërohet për vjedhje 15-vjeçari, hidhet nga kati i 3-të i komisariatit
Një 15-vjeçar, i cili ishte i shoqëruar në mjediset e Komisariatit të Peshkopisë për veprën penale të vjedhjes në bashkëpunim, është hedhur nga kati i tretë i godinës, duke vënë në rrezik jetën. Ai është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak të Tiranës, pas thyerjes së këmbës dhe disa traumave që ka pësuar. Ende nuk dihen motivet e hedhjes së adoleshentit të shoqëruar në polici, ndërsa kjo e fundit në një komunikatë për shtyp e ka cilësuar si rënie aksidentale rastin në fjalë. 15-vjeçari E. Lleshi u shoqërua në polici në datën 4 mars, pasi akuzohej nga policia vendore si pjesëmarrës në një vjedhje në bashkëpunim me dy persona të tjerë po nga ky qytet. Shoqërimi i adoleshentëve është bërë në prani të prindërve të tyre, ndërsa janë vënë në dhomat e izolimit, por adoleshenti sapo ka dalë nga dhomat ku është marrë në pyetje nga oficerë të Policisë Gjyqësore, është hedhur nga kati i tretë. Ai ka qenë duke qëndruar me babanë e tij në korridorin e kësaj godine, kur është shkëputur në një ambient pa njerëz përreth, për t’u hedhur nga kati i tretë, tej rrethimit me kangjella të komisariatit. Nga rënia në një lartësi të konsiderueshme, i mituri ka thyer këmbën dhe ka pësuar dhe disa fraktura të tjera. Ndërkaq policia e ka dërguar menjëherë në spitalin e Peshkopisë dhe më pas në drejtim të Spitalit Ushtarak të Tiranës, pasi ishte në gjendje të rëndë.