E Diel, 1 Nëntor 2026

Rruga, 850 nxënës bojkotojnë mësimin

Protestat/ Në Fier dhe Kavajë banorët kanë protestuar për indiferencën e shtetit


FIER - Disa qindra banorë të fshatrave të komunës Portëz të rrethit Fier kanë protestuar për së dyti herë brenda një muaji për gjendjen e mjerueshme të rrugës kryesore që përshkon pesë fshatra të kësaj komune. Këtë radhe protesta ka qenë më e përshkallëzuar.

Së bashku me banorët, morën pjesë edhe qindra nxënës të tre shkollave të këtyre fshatrave. 860 nxënës nuk kanë shkuar në shkollë dje dhe këtë bojkotim së bashku me prindërit e tyre do ta vazhdojnë derisa të plotësohet kërkesa e tyre shumëvjeçare për rrugën.

Sipas banorëve, në rast se kësaj rruge nuk i jepet rrugëzgjidhje, nuk do të pranojnë të ngrihen komisione për votimet e 28 qershorit, nuk do të votojnë dhe nuk do të lejojnë kutitë e votimit në zonën e tyre.

Ndërkohë, nuk kanë harruar të shprehen se do të bllokojnë rrugën nacionale Fier-Ballsh, trenin e punës që kalon në këto fshatra. Ishin mbi 1000 banorë të katër fshatrave të komunës Portëz të rrethit të Fierit me parulla në duar ku binte në sy një pllakatë e madhe ku shkruhej "Pa rrugën nuk votojmë!", "Nuk pranojmë kutitë e votimit pa u plotësuar kërkesat tona" etj. Banorët protestuan në rrugën nacionale, e cila përshkon fshatrat Mbyet, Kraps, Lalaj, Plyk dhe Gjorgos. Shkak është rruga me të cilën këta banorë lidhen me Fierin e Ballshin.

Ajo është e gjatë 5 kilometra, gjithë gropa dhe e pakalueshme nga mjetet. Sipas kryetarit të këshillit të komunës Portëz, Melsi Bogdani, ky problem është shumëvjeçar dhe askush nuk është kujtuar për të investuar. Sipas tij, kjo rrugë është bërë një gangrenë e vërtetë jo vetëm për drejtuesit e mjeteve, por edhe për mijëra banorë që u duhet të çojnë në qytet prodhimet e tyre me të cilat ata mbajnë familjen.

Ndërkohë, shumë banorë, midis tyre edhe gra, shprehen tepër të indinjuar për këtë rrugë, në të cilën nuk është investuar asnjëherë.

"Kjo rrugë është tmerr", thonë gratë e këtij fshati, duke vijuar se për shtatzënat ajo vazhdon të jetë një nga frikërat, duke qenë se rrezikojnë të dështojnë apo të lindin para kohe kur kalojnë në të. Banorët u shprehën se do t'i vijojnë protestat deri në bllokim të rrugës në rast se nuk do të ketë asnjë reagim.

Dëmshpërblimi, banorët bllokojnë rrugën nacionale


KAVAJË - Revoltohet komuniteti i fshatit Kryemëdhenj në Komunën e Golemit, pasi nuk janë aspak dakord me masën e dëmshpërblimit të caktuar nga shteti për tokën që po shfrytëzohet për zgjerimin e superstradës Durrës-Rrogozhinë.

Protesta e nisur disa ditë më parë ka gjeneruar në bllokimin e rrugës nacionale për disa minuta, veprim i cili ka krijuar një karvan të gjatë makinash.

Kryefamiljarët e 150 familjeve të këtij fshati, pasi kanë dëgjuar që toka e tyre është vlerësuar vetëm 350 000 lekë/dynym, kanë ngritur ankesat pranë drejtuesve kryesorë vendorë, por meqë as atje nuk kanë marrë një përgjigje të saktë, janë hedhur në protestë.

Protestuesit kërkojnë dëmshpërblim në masën 100% me vlerën që ka toka në zonën e bregdetit dhe ndërtimin e rrugëve paralele, pasi nuk kanë nga të kalojnë për t'u lidhur me zonat përreth apo edhe me pronat e tyre që ndodhen nga ana tjetër e rrugës.

"Kam 6 ditë që nuk futem dot në shtëpi. Punime për ngritjen e murit prej betoni na kanë penguar lëvizjen e lirë dhe vetëm të fluturojmë për t'u futur në shtëpi", shprehet një nga banorët protestues.

Takimi i zhvilluar me deputetin e zonës Engjëll Cara nuk i ka qetësuar banorët, pasi ai nuk iu ka dhënë një përgjigje se sa do të jetë vlera e kompensimit për tokën e marrë.

Banorët e fshatit Kryemëdhenj shprehen të bindur se deri në plotësimin e kërkesave të tyre nuk do t'i ndalin protestat dhe nëse nuk dëmshpërblehen siç duhet, do të përshkallëzojnë bllokimin e rrugës për një kohë më të gjatë.

-----------------------------------------------------------------------------------------

E përplas vetura humb jetën 29-vjeçari


POGRADEC - Në orët e mbrëmjes një veturë tip "Ford Eskord" me targa EL 1009 C që drejtohej nga 32-vjeçari Elis Çullhaj nga Tirana, tek kryqëzimi i fshatit Petrushë në aksin rrugor Pogradec -Korçë, ka goditur befasisht 29-vjeçarin Klodian Xhemollari nga fshati Vreshtas.

Goditja ka qenë fatale duke i shkaktuar Klodian Xhemollarit fraktura të shumta dhe dëmtime serioze në kokë. Për rrjedhojë, ai e ka humbur jetën në vendngjarje pa pasur kohë të marrë ndihmë mjekësore.

Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor, i cili po punon për të zbardhur shkaqet e këtij aksidenti .Ndërkohë, është bërë edhe arrestimi i drejtuesit të mjetit, Elis Çullaj.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›