Gjykata: Bollano fajtor, dënohet me 6 muaj burg
Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë shpalli fajtor kryetarin e Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano dhe e dënoi atë me gjashtë muaj heqje lirie, 5 milionë lekë të vjetra, si dhe për një periudhë trevjeçare ky i fundit nuk do të ketë më të drejtën të ushtrojë funksionet publike. Drejtuesi i bashkisë u shpall fajtor për kryerjen e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”. Bollano akuzohej nga prokuroria se hoqi tabelat shqip në rrugën Qeparo-Llogora, të cilat ishin vendosur për të paraqitur objektet kulturore dhe me vlerë për t’u vizituar. Në këtë mënyrë, sipas akuzës, ai i shkaktoi vendit një dëm ekonomik prej 2.1 milionë lekësh. Ndërkohë që vetë kryetari i Bashkisë së Himarës nuk ishte i pranishëm në seancën gjyqësore, ashtu si edhe gjatë seancave të tjera. Por, pas shpalljes së vendimit ai ka reaguar, duke e konsideruar gjyqin si politik. Po në të njëjtën linjë ka qenë pas vendimit edhe kryetari i Partisë së Bashkimit të të Drejtave të Njeriut (PBDNJ), Vangjel Dule, i cili e quajti vendimin e dhënë nga gjykata si nacionalist. Në një konferencë për shtyp, ai u shpreh se Bollano po zbaton vetëm ligjet. “Vendosja e tabelave është një e drejtë e vendorëve. Por, njerëz të verbër nacionalistë në gjykata dënuan Bollanon se po zbaton ligjet”. Më pas Dule shtoi se “gjyqësori na mban peng të së shkuarës. Këto vendime nuk i gjen në BE”. Prokuroria e Rrethit Vlorë nisi hetimet, pas një urdhri të dhënë nga kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, në muajin tetor të vitit 2007 për heqjen e tabelave në gjuhën shqipe në aksin rrugor Qeparo-Llogora. Sipas organit të akuzës, një urdhër i tillë ka dëmtuar vendin, pasi i ka shkaktuar atij një dëm prej rreth 2.1 milionë lekësh. Këto tabela ishin vendosur në kuadrin e një projekti për zhvillimin e turizmit, i shtrirë përgjatë gjithë bregdetit nga Vlora në Sarandë, të financuar nga Ministria e Transportit, Punëve Publike dhe Telekomunikacionit dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve. Synimi i tyre ishte që të tregoheshin dhe t’u paraqiteshin qytetarëve objektet me vlerë historike, arkeologjike e turistike. Ai gjatë seancave gjyqësore e ka pranuar që ka dhënë urdhër që të hiqen tabelat në gjuhën shqipe. Një gjë e tillë është konsideruar si shpërdorim detyre nga ana e Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë, e cila e ka shpallur fajtor atë dhe e ka dënuar me gjashtë muaj burg, 5 milionë lekë të vjetra gjobë, si dhe për tre vjet ai nuk do të mund të jetë në krye të Bashkisë së Himarës.