Dorëzohet krye-spiuni i Gaddafit

Siç raporton agjencia e lajmeve “Reuters”, ai u gjet në shtëpinë e së motrës në jug të vendit.
Sanusi, kunati i kolonelit dhe një prej miqve të tij më të ngushtë, ishte i fundit në listën e të akuzuarve për krime lufte, nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, pas kapjes së Saif Al Islamit, i cili pritet të merret në pyetje nga prokurorët libiane, në një vend të mbajtur deri tani sekret, që besohet se është në qytetin perëndimor të Zintanit.
Sanusi akuzohet gjithashtu edhe për abuzim të të drejtave të njeriut, si dhe përfshirjen në masakrën e vitit 1996, ndaj mbi 1000 të burgosurve në burgun e Tripolit.
Qeveria e përkohshme kërkon që gjykimi kundër Saif Al Islam të zhvillohet në Libi.
Ndërsa prokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Luis Moreno Ocampo, tha për agjencinë e lajmeve, AP, se do të vizitojë Libinë javën e ardhshme, për të biseduar me përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar të Tranzicionit, se ku do të zhvillohet gjyqi.
Me shumë gjasa, siç raportojnë mediat ndërkombëtare, Ocampo do të kërkojë ekstradimin e tij në Hagë.
Sipas Ocampos, megjithëse çdo qeveri ka të drejtën për të gjykuar qytetarët për krime lufte, qëllimi parësor është të garantohet një gjyq i ndershëm.