Dorëzohet në polici ish-deputeti Xhihani
Pas tre vitesh në arrati, ish-deputeti socialist, i dënuar për shpërdorim detyre në postin e regjistruesit të Durrësit, Alush Xhihani, dorëzohet në polici për të vuajtur dënimin e dhënë nga drejtësia. Gjykata e Apelit, disa muaj më parë, i përgjysmoi vendimin e dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Durrësit, po shpresat për një ulje të mëtejshme të tij janë shuar. Kjo e ka drejtuar Xhihanin drejt dyerve të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Durrësit, ku kanë qenë të shumtë ata që janë habitur nga ky veprim. Përveç përgjysmimit të dënimit nga katër në dy vjet heqje lirie dhe lirimit nga një pjesë e akuzave, Xhihani duket se do të përfitojë trajtim të veçantë, pasi është deklaruar i sëmurë dhe me nevojën për kujdes të veçantë. Këto rrethana, si dhe vënia në funksionim e burgut-spital në zonën e ish-kënetës së Durrësit, kanë qenë vendimtare në marrjen e vendimit për t‘iu dorëzuar organeve të drejtësisë dhe vuajtur dënimin. Ish-deputeti i Shijakut u shpall në kërkim më 6 mars të vitit 2006, kur Prokuroria e Rrethit Gjyqësor të Durrësit ngriti ndaj tij akuzat për vjedhje nëpërmjet shpërdorimit të detyrës, e kryer në bashkëpunim dhe falsifikim dokumentesh zyrtare, vepra këto të parashikuara nga nenet 135, 25 dhe 186 të Kodit Penal. Akuzat u ngritën për periudhën kur ky person ka qenë në krye të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Ndonëse ishte i akuzuari kryesor i një prej dosjeve më të bujshme në Durrës, asaj "Hipoteka", Xhihani mungoi si gjatë hetimit ashtu dhe në gjykim. Largimi i tij, shpallja në kërkim dhe moskapja deri në çastin e dorëzimit, bënë që dosja të humbiste peshën reale të saj, pasi të ulurit në bankën e të akuzuarve e më pas të dënuarve qenë veçse persona të konsideruar si vegla dhe të përdorur prej të akuzuarit kryesor. Çështja e Xhihanit u shqyrtua në dy shkallë të gjyqësorit. Përpjekjet për të fituar gjykim të shkurtuar në Shkallën e Parë të gjyqësorit u hodhën poshtë nga treshja e kryesuar nga gjyqtari Faslli Ceka, që më pas dha dënimin me katër vjet burg për të. Pozicioni i Xhihanit u rehabilitua disi nga Apeli që vendosi t‘ia ulë masën e dënimit në dy vjet, si dhe të riklasifikojë veprën penale të konsumuar prej tij. Ai dënohet më 30 tetor të vitit të kaluar nga togat e zeza të Apelit të Durrësit vetëm për "shpërdorim detyre", vepër penale kjo e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, ndërsa lirohet nga qenia fajtor për veprën e vjedhjes përmes shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim dhe falsifikimit të dokumenteve. Ishte ora 18:30 e ditës së martë, kur Alush Xhihani, 45 vjeç nga Shijaku, është shfaqur në ambientet e Policisë së Durrësit, duke i dhënë fund arratisë së tij. Deklarimi se po i dorëzohej drejtësisë për të vuajtur dënimin ka shkaktuar reagime. Gjatë gjithë ditës së djeshme, ai ka qëndruar në këto ambiente deri në përfundim të procedurave për dërgimin e tij në vendin e vuajtjes së dënimit. Burime policore bënë të ditur se Xhihani ka deklaruar se është i sëmurë me diabet dhe kërkon trajtim të veçantë, gjë që i jep atij të drejtën të sistemohet në spitalin e burgut të Durrësit, mbështetur dhe në vlerësimet e komisionit mjekësor.