E Diel, 1 Nëntor 2026

"Gërdeci", një anëtar i Gjykatës së Lartë, me konflikt interesi

Një anëtar i Gjykatës së Lartë, që do të gjykojë dosjen "Gërdeci", ka konflikt interesi. Vajza e gjyqtarit Besnik Imeraj, i zgjedhur dje me gogla për të gjykuar 30 të pandehurit, punon në studion ligjore "Haxhia-Hajdari", studio që mbron interesat e të pandehurit Mihal Delijorgji dhe të firmës së tij "Albademil", të dyshuar nga prokuroria se kanë shkaktuar tragjedinë e 15 marsit 2008 në fshatin Gërdec. Marsela Imeraj punon prej disa kohësh në këtë studio ligjore, me qendër te kullat binjake në Tiranë dhe sipas informacioneve të gazetës "Shqip" ka marrë pjesë personalisht në regjistrimin e kuotave të firmës "Albademil" në gjykatë. Ky fakt, sipas juristëve, është një element i nevojshëm që gjyqtari Imeraj të japë dorëheqjen nga gjykimi i dosjes, pasi ekziston konflikti i interesit. Gazeta ka tentuar dje pasdite të kontaktojë me gjyqtarin në fjalë, por e ka pasur të pamundur, pasi zyrtarisht nga gjykata ka marrë një përgjigje se nuk kanë një numër kontakti. Megjithatë, kemi gjetur numrin e celularit të z. Imeraj, por ai nuk e ka hapur edhe pas dërgimit të një mesazhi, nëpërmjet të cilit i kemi komunikuar se për çfarë do ta pyesnim. Gjithashtu jemi interesuar te studio ligjore "Haxhia-Hajdari", nga ku kemi marrë konfirmimin se Marsela Imeraj është punonjëse në këtë studio prej disa kohësh dhe është në fushën tregtare dhe jo penale.

Studio ligjore

Në një lidhje telefonike, avokati Artan Hajdari deklaroi se vajza në fjalë punon në studion ligjore të tij, por nuk ka ndonjë dijeni rreth faktit në fjalë, për arsye se ndodhet jashtë shtetit. Ndërkohë, kemi biseduar me avokatin Maks Haxhia, i cili ka pranuar se Marsela Imeraj punon në këtë studio. Ai tha se i takon drejtësisë për të vendosur nëse ka apo jo konflikt interesi për këtë rast, por nëse ekziston se firma e tij është në konflikt interesi, atëherë do të japë dorëheqjen nga mbrojtja ligjore e të pandehurit Mihal Delijorgji. Sipas avokatit, është herët për të folur, pasi vetë gjyqtari në fjalë duhet të marrë një vendim.

Nga të dhënat e gazetës mësohet se studio ligjore "Haxhia-Hajdari" mbron interesat e të pandehurit Mihal Delijorgji, pronar i firmës "Albademil", e cila kryente demontime municionesh në fabrikën e Gërdecit, në periferi të Tiranës. Burime nga prokuroria thanë se avokati Maks Haxhia është avokat i të pandehurit, ndërsa avokati Artan Hajdari mbron interesat e firmës "Albademil", edhe ajo e marrë e "pandehur" nga prokuroria.

Shorti

Emri i gjyqtarit Besnik Imeraj është përzgjedhur pas shortit dje si anëtar i Kolegjit Penal, që do të gjykojë dosjen "Gërdeci". Shorti me gogla ka përcaktuar gjyqtarin Imeraj, i cili është anëtar i Gjykatës Supreme në Shqipëri me dekretin e ish-presidentit Moisiu me numër 4482, datë 17 shkurt 2005. Ndërkohë, relator i çështjes do të jetë gjyqtarja Majlinda Andrea, e dekretuar nga Presidenti si anëtare e Gjykatës së Lartë në korrik 2008. Ndërsa si pjesë e Kolegjit janë Evgjeni Sinoimeri, Evelina Qiriako, kjo e fundit e njohur si ish-avokate e familjes së ish-kryeministrit Fatos Nano. Ndërsa dy gjyqtarë që janë pjesë e kësaj trupe, Irma Bala dhe Besnik Imeraj, janë edhe në Kolegjin Penal, që ka në shqyrtim çështjen penale në ngarkim të ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha dhe Andi Toma. Dosja "Gërdeci" u dorëzua në Gjykatën e Lartë nga Prokuroria e Përgjithshme më 13 mars dhe ka nën akuzë një sërë ish-ushtarakësh, (më të lartët mes tyre janë ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe zëvendësi i tij), së bashku me ish-ministrin Mediu me dy ish-sekretarët e tij.

Gjyqtarët që nuk morën pjesë në short

Tre gjyqtarët e parë që u "përjashtuan" nga pjesëmarrja në shortin dhe më pas gjykimin e kësaj dosjeje me 81 fashikuj hetimorë janë gjyqtarët Gani Dizdari, Adrian Dvorani dhe gjyqtari Ardian Nuni. Gjyqtari Dizdari nuk mori pjesë në hedhjen e shortit, për shkak se gjatë fazës hetimore të dosjes ka shqyrtuar kërkesat e Prokurorisë së Përgjithshme për vleftësimin e masave të arrestit dhe caktimin e masave të sigurisë, si dhe në disa veprime të tjera hetimore në interes të këtij hetimi. Gjyqtari tjetër, Adrian Dvorani, u largua nga pjesëmarrja në short, pasi prania e tij në trupin gjykues do të përbënte konflikt, për shkak se në fabrikën e demontimit të municioneve i punonte i vëllai i tij, Endrit Dvorani. Ky i fundit ishte ekonomist i firmës "Albademil", i cili mbeti i vdekur bashkë me 25 persona të tjerë nga shpërthimi i sasisë së barutit që krijoi një kërpudhë gjigante flake dhe tymi si bomba bërthamore e Hiroshimës. Gjyqtari Ardian Nuni, gjithashtu mund të cilësohet i përjashtuar nga shqyrtimi gjyqësor i çështjes, për shkak se prej disa ditësh ndodhet në SHBA, ku po pushon dhe kurohet, pas "atentatit" të dështuar ndaj tij.

"Dorëheqjet"

Nuni ndodhet në SHBA, Adrian Dvorani është vëllai i një prej viktimave, ndërsa Gani Dizdari ka vlerësuar masat e arrestit për disa nga të pandehurit

BESNIK IMERAJ

Anëtar i Gjykatës së Lartë, ka lindur më 6 dhjetor 1954 në Tiranë. Është i martuar dhe ka dy fëmijë. Është diplomuar në Drejtësi në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, më 1977-ën. Ka punuar hetues pranë Prokurorisë së Rrethit Elbasan gjatë viteve 1977-1986. Nga 1986-1991 ka qenë drejtor drejtorie në Hetuesinë e Përgjithshme Tiranë. Ka qenë jurist pranë shoqërisë tregtare TRANS-ALBANIA nga 1991-1995. Gjatë periudhës 1 janar 1998 deri më 1 mars 2005 ka qenë kryetar i Gjykatës së Apelit Durrës. Gjatë periudhës 2000-2006 ka qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Dhe që prej vitit 2000 është pedagog i jashtëm pranë Shkollës së Magjistraturës. Me dekretin nr. 4482, datë 17 shkurt 2005, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, u emërua anëtar i Gjykatës së Lartë.

MAJLINDA ANDREA (relatorja e çështjes)

Anëtare e Gjykatës së Lartë ka lindur më 30 korrik 1969 në Durrës. Është e martuar dhe ka dy fëmijë. Znj. Andrea ka përfunduar studimet për Drejtësi në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, më 1991. Ka punuar si gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës nga viti 1992 deri më 2008-ën. Gjatë kësaj periudhe, znj. Andrea ka marrë pjesë në një sërë trajnimesh brenda vendit në fusha të ndryshme të së drejtës.

Me dekretin nr. 5795, datë 8 korrik 2008, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë u emërua anëtare e Gjykatës së Lartë.

EVGJENI SINOIMERI

Anëtare e Gjykatës së Lartë ka lindur në Gjirokastër, më 25 qershor 1963. Ajo është e martuar dhe ka dy fëmijë. Është diplomuar në Drejtësi në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, më 1985-ën. Ka punuar si prokurore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjirokastër nga 1985-1990 dhe nga 1990-1994 është emëruar gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Gjirokastër. Nga 1994-1996 ka qenë gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër. Nga 1996-a deri më 2001-shin ka qenë notere pranë Dhomës së Noterisë Gjirokastër. Nga 2007-a është pedagoge e jashtme në universitetin jo publik "Universiteti Europian i Tiranës".
Me dekretin nr. 2987, datë 2 maj 2001, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, u emërua anëtare e Gjykatës së Lartë.

EVELINA QIRJAKO,

Anëtare e Gjykatës së Lartë ka lindur në Sarandë më 10 prill 1967. Është diplomuar për Drejtësi në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë në vitin 1989. Znj. Qirjako ka ushtruar funksionin e këshilltares ligjore pranë zyrës së këshillimit ligjor Tiranë gjatë periudhës 1 shtator 1989, deri më 31 nëntor 1990. Në periudhën 1990-1999 ka ushtruar profesionin e avokates dhe nga qershori 1999 deri në mars 2001 ka qenë bashkëpunëtore (Associate) pranë zyrës ndërkombëtare ligjore Tonuçi. Nga viti 2001, deri në 2008-ën ka themeluar dhe ka drejtuar një nga zyrat më të njohura të avokatisë në Tiranë, "Qirjako Law Office" me fushë ushtrimi në çështje civile. Znj. Qirjako ka qenë pedagoge e jashtme pranë Fakultetit të Drejtësisë, nga 1994-1996, në lëndën e drejta e detyrimeve dhe që nga tetori 2002 deri më sot është arbitre pranë Arbitrazhit Gjyqësor të Shqipërisë.

IRMA BALA (HEBOVIJA)

Anëtare e Gjykatës së Lartë, ka lindur me 19 maj 1963 në Shkodër. Është e martuar. Është diplomuar në Drejtësi në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, më 1985-ën dhe ka marrë titullin Master për Shkenca Juridike pranë këtij fakulteti. Ka punuar si hetuese pranë zyrës së hetuesisë Shkodër në periudhën 1985-1988. Nga 1988-1994 ka ushtruar funksionin e gjyqtares pranë Gjykatës së Rrethit Shkodër. Në periudhën 1994-2001 ka qenë këshilltare ligjore pranë Gjykatës së Lartë. Ka qenë pedagoge e jashtme pranë Fakultetit të Drejtësisë nga 1994-2000 dhe ka kryer disa kualifikime pasuniversitare në programe për të drejtat e njeriut dhe ligjin brenda e jashtë vendit.
Që prej vitit 2005 është kryetare e Komisionit të Etikës të Konferencës Gjyqësore Kombëtare.
Me dekretin nr. 2962, datë 9 prill 2001 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë u emërua anëtare e Gjykatës së Lartë.

Gjyqtarët që u zgjodhën me gogla

1. Majlinda Andrea, relatore e çështjes

2. Evelina Qiriako, anëtare

3. Evgjeni Sinoimeri, anëtare

4. Irma Bala, anëtare

5. Besnik Imeraj, anëtare

Gërdeci, firma "Albademil", e pandehur!

Për herë të parë në legjislaturën e shtetit shqiptar, një firmë private merret e pandehur. Bëhet fjalë për shoqërinë "Albademil", në pronësi të Mihal Delijorgjit, i akuzuar si një nga shkaktarët kryesorë të tragjedisë së Gërdecit. Burime nga akuza qendrore thanë se firma ka konsumuar elemente të veprës penale dhe si person juridik, i atribuohet një vepër penale si ajo e shkeljes së rregullave teknike të mbrojtjes, si dhe vrasjes masive. Mësohet se një gjë e tillë realizohet me qëllim sekuestrimin e të ardhurave të firmës dhe paratë e fituara prej saj të shkojnë në favor të shtetit për të rimbursuar shpenzimet për rindërtimin e fshatit të shkatërruar. Ndërkohë, Avokatura e Shtetit ka depozituar në Gjykatën Civile të Tiranës një padi, ku i kërkojnë firmës së Delijorgjit që të paguajë të gjitha dëmet e kompesuara nga shteti në Gërdec. Në lidhje me gjyqin për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit, Prokuroria e Përgjithshme do të ulë së bashku në bankën e të akuzuarve politikanë, ushtarakë dhe civilë, të akuzuar si shkaktarë të mundshëm të shpërthimit të fuqishëm më 15 mars 2008 në Gërdec. Me veprimet dhe mosveprimet e tyre, ish-punonjësit e Ministrisë së Mbrojtjes (politikanët) kanë mundësuar lejimin e aktivitetit të demontimit të municioneve në Gërdec. Këta punonjës kanë hartuar edhe bazën ligjore të ndërtimit të fabrikës, duke konsumuar elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës. Ndërkohë, gjeneralët (ushtarakët) kanë neglizhuar rregullat e ushtrisë, duke u servirur civilëve municione ushtarake. Civilët janë favorizuar nga politikanët e ushtarakët dhe kanë mundur kështu të demontojnë municione në Gërdec, duke përfituar miliona euro.

Kërkesa për gjykimin e "Gërdecit", 167 faqe

Prokuroria e Përgjithshme deklaron se kërkesa për gjykim e dosjes "Gërdeci" është në total 136 faqe, duke thyer rekorde të të gjitha dosjeve të hetuara deri tani nga organi i akuzës. Me këtë numër faqesh mund të ngjasojnë vetëm konkluzionet e organit të prokurorisë para gjykatës. Megjithatë, pritet që në seancat e para, në Gjykatën e Lartë kërkesa për gjykim të lexohet dhe të tregohet kronologjia e ngjarjes së Gërdecit, nga shpërthimi tragjik i 15 marsit 2008 e deri te përgjegjësitë ligjorë të 30 të pandehurve. Por, para se çështja të shkojë deri në këtë pikë, në sallën e gjyqit pritet të ketë debat në lidhje me kërkesat e mbrojtjes, të cilët do të kërkojnë që të mos gjykohen me deputetin Fatmir Mediu, por në Shkallën e Parë, ku të kenë mundësi për t‘u ankuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›