E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dorëzohet për gjykim dosja “Dajti”

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka mbyllur hetimet për të shumëkërkuarin Dritan Dajti dhe bashkëpunëtorët e tij pas 5 muajsh. Prokurorët Eugen Beçi dhe Ardian Nezha kanë dorëzuar sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda dosjen e të shumëkërkuarit Dritan Dajti. Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme bënë të ditur se vrasësi i katër policëve, gushtin e këtij viti, në Durrës akuzohet për një mori krimesh, mbi të rëndojnë plot 7 akuza.
Përveç vrasjes së katër policëve, mbi Dajtin rëndojnë akuzat e armëmbajtjes pa leje, falsifikimit të dokumenteve, falsifikimi i vulave dhe stampave, mbajtja pa të drejtë e uniformës së policit. Dajti akuzohet edhe për vrasjen e shtetasit Ledjon Mara dhe plagosjen e shtetasit Fatjon Shamku. Prokuroria e Tiranës ka ngritur akuza edhe për kunatin e Dajtit, Ergest Xhoxhi, i cili ndodhej në një makinë me të kur sulmuan katër efektivat e policisë. Mbi Xhoxhin rëndojnë akuzat e përkrahjes së autorit të krimit e falsifikim dokumentesh. Një tjetër akuzë është formuluar nga prokuroria edhe për policin Maringlen Muçaj. Ai akuzohet për shpërdorim detyre, pasi ka ndihmuar të shumëkërkuarin Dritan Dajti.

Kërkesa për gjykim

Kërkesë për gjykimin e procedimit penal 62/1 viti 2009.
Ne Ardian Nezha dhe Eugen Beçi, prokurorë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, pas përfundimit të hetimeve paraprake të procedimit penal nr.62/1 të vitit 2009, paraqesin për gjykim të pandehurit Dritan Dajti, i hetuar nën masën e sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale arrestuar më 07.08.2009, mbrojtur nga avokati Arben Qeleshi. Dritan Dajti akuzohet për kryerjen e veprave penale të: “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” ndaj punonjësve të policisë Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj; “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave me pasojë vdekjen e shtetasit Ledjon Mara dhe plagosjen e shtetasit Fatjon Shamku; “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”; “Falsifikimi i dokumenteve” në bashkëpunim duke falsifikuar dhe përdorur dokumentet e mjetit tip Volsvagen Touareg me targa Cr 535 FR; “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, duke falsifikuar dhe përdorur tri dokumente policie; “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, duke mbajtur dokumente dhe shenja dalluese të Policisë së Shtetit. Ergest Xhoxhi, i hetuar nën masën e sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, arrestuar më 07.08.2009 mbrojtur nga avokati Arben Qeleshi.
Ergest Xhoxhi akuzohet për kryerjen e veprave penale të: “Përkrahjes së autorit të krimit”, “Falsifikimi i dokumenteve” në bashkëpunim, duke falsifikuar dhe përdorur dokumentet e mjetit tip Volsvagen Touareg me targa Cr 535 FR. Mariglen Muçaj, i hetuar nën masën e sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, arrestuar me dt 23.11.2009 mbrojtur nga avokati Agron Lamaj. Muçaj akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Ngjarja

Është vënë në pranga më 7 gusht të këtij viti Dritan Dajti. Ndalimi i të shumëkërkuarit ka pasur një bilanc tragjik për Policinë e Shtetit: katër policë të vrarë. Ndërkohë që i plagosur në këtë ngjarje mbeti edhe kunati i Dajtit, 23-vjeçari Ledion Mara, i cili ka gjetur vdekjen, ndërsa Dritan Dajti është plagosur. Ndërkohë është arrestuar edhe Erges Xhoxhi, i cili ka përkrahur 37-vjeçarin e shumëkëruar. Ishin thirrur për të organizuar këtë operacion për arrestimin e 37-vjeçarit punonjësit më të mirë, si Altin Dizdari, 33 vjeç, Fatos Xhani, 38 vjeç, Sajmir Duçkollari, 32 vjeç dhe Kastriot Feska, 40 vjeç. Madje sipas të dhënave të policisë, mësohet se me urdhër të drejtuesve të Policisë së Shtetit ishte thirrur nga pushimet polici Sajmir Duçkollari, vëllai i Sekretarit Politik të Marrëdhënieve me Publikun, në PDS, Artur Duçkollarit. Por i gjithë operacioni është kuptuar nga Dritan Dajti, i cili strehohej në një hotel në plazhin e Durrësit së bashku me Ledion Marën dhe Erges Xhoxhin. Madje, burimet nga uniformat blu pohojnë se gjatë arrestimit të Xhoxhit janë gjetur edhe dy radio policie, të cilat dyshohen se i kanë shërbyer Dritan Dajtit për të qenë në dijeni të lëvizjeve të policisë. Policia dhe drejtues të lartë të policisë shkojnë në vendngjarje dhe nisin hetimet për këtë krim. Dritan Dajti shoqërohet në spitalin e Durrësit dhe më pas në spitalin e Burgut ku sipas mjekëve është në gjendje të rëndë shëndetësore. Mësohet se hetimet nuk përjashtojnë arrestime të tjera si punonjës të hotelit, ashtu edhe miq të Dritan Dajtit që e kanë ndihmuar të arratiset dhe e kanë fshehur për këto vite.

Dritan Dajti

1. “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” ndaj punonjësve të policisë Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj,
2. “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave me pasojë vdekjen e shtetasit Ledjon Mara
3. Plagosjen e shtetasit Fatjon Shamku,
4. “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”,
5. “Falsifikimi i dokumenteve” në bashkëpunim duke falsifikuar dhe përdorur dokumentet e mjetit tip Volsvagen Touareg me targa Cr 535 FR,
6. “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” duke falsifikuar dhe përdorur tri dokumente policie,
7. “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, duke mbajtur dokumente dhe shenja dalluese të Policisë së Shtetit.

Ky lajm është publikuar: 12/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›