E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një korsi vetëm për urbanët, zgjidhja për autobusë të shpejtë

Autori i Lajmit: Silvana Balliu
Një korsi vetëm për autobusët do të ishte zgjidhja e vetme për një shërbim me autobusë më të shpejtë për qytetarët.
Në këtë konkluzion ka dalë Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas (SHKTQ), e cila në bashkëpunim me Unionin Ndërkombëtar të Transportit Publik (UITP), ka zhvilluar Konferencën Ndërkombëtare me temë: "Transporti Publik, Qytetas në Shqipëri".

Kërkesat

Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetar, Kujtim Hyka bën me dije se, në kuadër të decentralizimit të pushtetit, kërkohet kalimi i kompetencave për caktimin e çmimeve të biletave dhe aboneve nga Pushteti Qendror pranë Këshillave Bashkiake të Pushtetit Vendor. Shoqata kërkoi përmes kësaj konference, krijimin e korsive të veçanta “buzë Lanës”, që do të sillte rritjen e shpejtësisë, produktivitetit dhe për pasojë rritjen e cilësisë së shërbimit për qytetarët, për tërheqjen e një numri sa më të madh pasagjerësh. Po kështu është kërkuar edhe lehtësimi i operatorëve nga roli i tyre social. Sot, operatorët anëtarë të SHKTQ operojnë me tarifa më të ulëta, për kategori të ndryshme pasagjerësh si dhe falas për disa kategori të tjera. Për këtë shkak shoqata kërkoi që politikat sociale të krijohen dhe zbatohen nga qeveria dhe bashkia. “Është e domosdoshme nxjerrja e akteve nënligjore që rregullojnë subvencionimin e drejtpërdrejtë të shërbimit të transportit qytetas për kategorinë e qytetarëve që me ligj përfitojnë falas ose me tarifa të reduktuara”, tha Hysi. Edhe anëtarët e tjerë të shoqatës janë shprehur në të njëjtën linjë, që të gjenden mënyra për suport financiar për transportin qytetas në Tiranë, për investime kapitale për rinovimin e mjeteve të transportit. Synimet e shoqatës janë vazhdimi i përpjekjeve jo vetëm për rinovimin e mjeteve të transportit, por edhe për futjen e pajisjeve elektronike për biletat etj.

Përmirësimi i kushteve

Shoqata e Transportit Qytetas ka menduar për rritjen e cilësisë së shërbimit. Gjithçka do të nisë nga pastrimi i autobusëve urbanë, ndërrimi i veshjeve të sediljeve në rastin kur janë të prishura, apo larja e tyre kur ato janë shumë të pista. Nga ana tjetër, Shoqata e Transportit bën me dije se, po mendon edhe opsionet e zëvendësimit në mënyrë graduale të të gjithë autobusëve që janë në gjendje mjaft të amortizuar. Megjithatë, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj shoqate është shprehur dhe më parë se, kostoja e tyre është shumë e lartë dhe se asgjë nuk mund të rregullohet sa hap e mbyll sytë. Shoqata në projektet e saj, nuk përjashton mundësinë e blerjes së autobusëve që u punon motori me gaz, dhe jo me lëndë djegëse, siç janë ata aktualë. Por, kjo mbetet një ambicie që i përket së ardhmes për tu zbatuar.

Iniciativa

Kjo konferencë u organizua me iniciativën e SHKTQ-së, e cila u mbështet nga UITP. Krahas drejtuesve të lartë të UITP-së dhe përfaqësuesve të tjerë ndërkombëtarë morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve të larta shtetërore vendase. Kjo konferencë trajtoi disa nga problematikat e transportit publik në Shqipëri, si dhe sensibilizoi organet e interesuara të shtetit shqiptar për gjendjen aktuale të transportit publik, dhe perspektivat e tij. Përfaqësues evropianë të organizatave dhe kompanive të transportit publik, trajtuan tema me shumë interes dhe që mund të shërbejnë si praktika për tu implementuar në vendin tonë. Nga kjo konferencë u arrit në konkluzionin që sistemi i transportit publik ka një rol shumë të rëndësishëm në zgjidhjen e problemeve të trafikut, të racionimit të kohës, në problemet e tej ndotjes së mjedisit dhe zhurmave etj.

Ky lajm është publikuar: 12/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›