E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dorëzohet për gjykim dosja e Dritan Dajtit

TIRANE- Prokuroria e Krimeve të Rënda ka mbyllur hetimet për të shumëkërkuarin Dritan Dajti dhe bashkëpunëtorët e tij pas 5 muajsh. Prokurorët Eugen Beci dhe Ardian Nezha kanë dorëzuar sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda dosjen e Dajtit. Vrasëri i katër policëve gushtin e këtij viti, në Durrës akuzohet për një mori krimesh, mbi të rëndojnë plot 7 akuza.

Përvec vrasjes së katër policëve, mbi Dajtin rëndojnë akuzat e armëmbajtjes pa leje, falsifikimit të dokumentave, falsifikimin e vulave dhe stampave, mbajtja pa të drejtë e uniformës së policit. Dajti akuzohet edhe për vrasjen e shtetasit Ledjon Mara dhe plagosjen e shtetasit Fatjon Shamku.

Prokuroria e Tiranës ka ngritur akuza edhe për kunatin e Dajtit, Ergest Xhoxhi, i cili ndodhej në një makinë me të kur sulmuan katër efektivat e policisë. Mbi Xhoxhin rëndojnë akuzat e përkrahjes së autorit të krimit, si dhe falsifikim dokumentash.

 Një tjetër akuzë është formuluar nga prokuroria edhe për oficerin Maringlen Mucaj. Ai akuzohet për shpërdorim detyre, pasi ka ndihmuar të shumëkërkuarin Dritan Dajti.

Dajti u prangos më 7 gusht të këtij viti në qytetin e Durrësit, pas 6 viteve arrati. Në 2003 Dritan Dajti, i cili po gjykohej për vrasjen e një biznesmeni, mundi të arratisej në mënyrë spektakolare nga ambientet e gjykatës së Tiranës. Më 7 gusht 2009, gjatë operacionit për arrestimin e tij, pranë pistës "Iliria" në Durrës Dajti ekzekutoi 4 policë, ndërsa vetë mbeti i plagosur.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›