E Shtunë, 31 Tetor 2026

PRAPASKENAT/Telefonata e sherrit Rama-Spahiu

rama spahiuSpahiu bisedoi në një lidhje telefonike me Ramën para vendimit
Përpara se të merrte vendimin për të dalë më vete në zgjedhjet e 23 qershorit, lideri i Aleancës Kuqezi ka zhvilluar një bisedë telefonike me Edi Ramën që ndodhej në Austri. Spahiu e ka bërë telefonatën pas kërkesës së kryesisë së partisë së tij që kërkonin që AK të hynte në koalicion me PS-në. Myslym Pashaj dhe Lisien Bashkurti kanë qenë ata që kërkuar me këmbëngulje aleancë me PS-në. Por kërkesat e parashtruara nga Spahiu për tre emra në listat e PS-së, nuk janë pranuar nga Rama. Lideri i PS-së i ka thënë Spahiut që PS mund të fusë emra të AK-së në listë, por ata emra që do të dëshironte vetë Rama, por Spahiu ka kërkuar që emrat të jenë propozime të tij. Madje gjatë bisedës së tyre është ngritur disa herë toni i zërit deri në fyerje. Si përfundim, pasi Rama nuk pranoi kategorikisht asnjë kërkesë të tij, Spahiu vendosi daljen e AK-së të vetme në zgjedhje.
Deklarata e Spahiut
Në konferencën për shtyp kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, deklaroi në një konferencë për shtyp se ata do të garojnë të vetëm në zgjedhjet parlamentare. Spahiu vuri në dukje se AK është në aleancë me popullin shqiptar. Një ndër arsyet kryesore se përse nuk u realizua aleanca me Partinë Socialiste, Spahiu nxori praninë e PBDNJ në këtë koalicion. Sipas Spahiut, ata nuk tradhtojnë kauzën e bashkimit kombëtar për hir të një partie greke. Shqiptarët kërkojnë shpresë, jo ndryshim xhaketash në pushtet. Me këtë qëllim propozuam disa kërkesa për një ndryshim thelbësor të standardeve në Shqipëri, një Shqipëri të 10 milion shqiptarëve, tha Spahiu. Më pas ai deklaroi se të gjashtë kërkesat e tij ishin rrëzuar. Fillimisht, ai tha se Aleanca Kuq e Zi ka si kauzë bashkimin kombëtar, por nuk do e tradhtojë këtë kauzë për hir të PBDNJ-së, që ka hyrë në koalicion me Partinë Socialiste. Për hir të një partie greke nuk tradhtojmë kauzën e bashkimit kombëtar, tha Spahiu. Kërkuam konsensus dhe koalicion për mbrojtjen e votës së lirë nga kasapi i votës së lirë, që ka masakruar çdo votë shqiptare dhe viktimë ka qenë edhe Edi Rama, që ia vodhën votat në mes të Tiranës, vijoi kreu i AK, duke theksuar se edhe për këtë kërkesë nuk gjetën mirëkuptim.

Saimir Tahiri sulmon Spahiun: Doli një sorrë, jo shqiponjë
Pasi Aleanca Kuqezi vendosi të dilte e vetme në zgjedhje, erdhi menjëherë edhe sulmi i parë nga Partia Socialiste. Deputeti socialist Saimir Tahiri, e ka cilësuar si sorrë Kreshnik Spahiun. Shqiponja Kuq e Zi e Nik Spahiut, doli një sorrë. Kush nuk rreshtohet kundër Saliut sot, është (në heshtje), pro Saliut. Dhe në qoftë se goja të nxjerr vrer kundër Saliut, llogarit po i bën pro Saliut. Kaq (për të mos thënë më shumë, se ka shumë për të thënë), ka deklaruar Tahiri. Ky acarim i socialistëve vjen ngaqë PS ka frikë se AK do të marrë elektorat të majtë në zgjedhje, për shkak se Spahiu përdor një gjuhë të fortë ndaj Berishës, dhe të majtët mund të votojnë atë dhe jo PS-në, aq më tepër që tani kjo e fundit është në koalicion me PS-në.

Rama: Xhuxhmaxhuxhi, na kërkoi 5 deputetë diversantë
Kryetari i PS-së, Edi Rama reagoi  në Facebook pas vendimit të AK-së për të dalë e vetme në zgjedhje. Fatkeqësisht dyshimi im se AK ishte një sorrë e pushtetit për të çoroditur popullin opozitar e jo një shqiponjë e opozitarizmit, ka marrë formë gjatë procesit qesharak e të shëmtuar që imponoi ajo parti për të (mos)negociuar me PS dhe është provuar sot, kur Kreshniku i nacionalizmës është shfaqur si xhuxhmaxhuxhi i radhës në përpjekjen e kotë për ta shitur një produkt të diktaturës së korrupsionit si një forcë vetmitare opozitare që aleat të vetëm paskej popullin! Çfarë turpi ky i shpërdorimit të simbolit kuqezi për të fryrë një kamerdare shpëtimi për pushtetin e korrupsionit që medemek po lufton, duke tërhequr prej hunde njerëz të ndershëm e te lodhur nga politika e nga partitë aktuale!. Çfarë pështirosje prej atyre kërkesave të shtruara skuthërisht mes tekstesh provokative, ku mbërrihej deri në marrëzinë e një lufte të ftohtë ballkanike, dhe këmbënguljes për të desantuar 5 diversantë deputetë në listat e PS apo për të përcaktuar se për çdo 10 mijë vota AK duhet të merrte një portofol ministror! Ndërsa vetë Kreshniku xhuxhmaxhuxh i oborrit të Saliut na dha me ketë rast, ilustrimin më të freskët të proverbit të famshëm që thotë se nacionalizmi është streha e fundit e maskarallëkut

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›