E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doris Pack: Kriza sjell rrezik të madh

Ëndrra shqiptare për BE-në është vite larg. Eurodeputetja Doris Pack është e bindur se Shqipëria është ende shumë mbrapa në rrugën e integrimit. Në një intervistë për Deutsche Welle, Pack thotë se vendi jonë ka humbur shumë kohë dhe se ngërçi politik përbën një rrezik të madh. Sipas Pack, në Shqipëri mungon bashkëpunimi për të miratuar disa ligje të rëndësishme të cilat do të ndikojnë në raportin e BE-së.
 

“Unë besoj se rreziku është i madh, sepse ajo çfarë pasqyron politika shqiptare në botën e jashtme do të ndikojë edhe në raportin e Komisionit të BE-së. Po ashtu duhet të mbajmë parasysh se refuzimi i opozitës për të bashkëpunuar për disa ligje në Shqipëri, për miratimin e të cilave janë të nevojshme edhe votat e tyre, mund të çojë në atë që nuk mund të plotësohen kushtet që duhen plotësuar. Ky është një problem, i cili mbetet në fushën e opozitës. Por prej kësaj, probleme do të ketë i gjithë vendi dhe opozita duhet ta mbajë parasysh që vetëm synimi për të rrëzuar qeverinë, gjë që është e kuptueshme kur je në opozitë, nuk mund të mbajë peng të gjithë vendin. Dhe unë mendoj se një gjë e tillë është e dëmshme.
 

Eurodeputetja flet gjithashtu edhe për ngërcin politik në të cilin është përfshirë vendi dhe e përcakton Situatën paszgjedhore mjaft shqetësuese.
 

“Ne kemi kohë që u kërkojmë shqiptarëve që të bisedojnë me njëri- tjetrin, por një gjë e tillë do të jetë e vështirë, sepse kemi të bëjmë me pozicione që nuk përkojnë me njëra - tjetrën. Opozita pretendon se votat në Tiranë nuk janë numëruar si duhet, qeveria thotë që ky numërim ishte në rregull dhe prandaj duhet të presim deri sa të numërohen votat e fundit, pastaj duhet të kemi besim tek ODIHR-i në se është dakord me këtë. Atëhere edhe opozita duhet ta pranojë përfundimin e votimit. Pra në rast se ODIHR-i dhe OSBE-ja e pranojnë vendimin e Komisionit Zgjedhor, atëhere opozita nuk ka asnjë shkak se përse duhet ta vazhdojë ta bojkotojë parlamentin dhe të refuzojë dialogun.Kjo është njëra gjë, por tjetra është në se ata vërtet do të veprojnë kështu. Unë vetë nuk besoj se do të kemi një dialog të vërtetë”.
 

Për të zgjidhur këtë çështje sipas Doris Pack, mbetet vetëm që të bëhen vetëm apele që këto mosmarrëveshje të zgjidhen në të mirë të qytetarëve të Shqipërisë.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›