E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama shmang debatet për mandatin e Tiranës

23/06/2011  Kreu i PS dje në Lushnjë e Fier për të analizuar situatën pas 8 majit

Porosi të zgjedhurve lokalë t’i cilësojnë mandatet e marra si politike

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka startuar dje turin e takimeve dyjavore me bazën socialiste, ku do të diskutohet për situatën paszgjedhore në vend. I shoqëruar dhe nga kryetari i Asamblesë Gramoz Ruçi, Rama është ndalur në qytetin e Lushnjës dhe të Fierit, qytete këto të fituara nga PS-ja në zgjedhjet lokale. Të dyja takimet janë zhvilluar me dyer të mbyllura, por burime nga takimi shprehen se gjatë diskutimit Rama u ka lënë porosi të zgjedhurve që të kenë kujdes të veçantë në shpërndarjen e mandateve për këshillat e qarkut, me qëllim që vota e zgjedhësve të mos deformohet. Të njëjta burime shprehen se Rama u ka kërkuar të zgjedhurve vendor që të mos i konsiderojnë këto mandate si thjeshtë lokale, por si mandate politike. Nga ana tjetër, burimet shprehen se Rama ka preferuar të mos flasë në lidhje me situatën e krijuar në Bashkinë e Tiranës pas zgjedhjeve të 8 majit, ku ai kandidonte vetë për të marrë kreun e këtij institucioni. Sipas burimeve nga Partia Socialiste, turi intensiv i Ramës do të vijojë deri më datë 29 qershor, kur pritet dhe përgjigjja përfundimtare për zgjedhjet e Tiranës dhe mbledhja e Asamblesë, por dhe pas kësaj analiza do të zgjasë deri në shtator të këtij viti. Më pas do të mblidhet Asambleja, e cila do të vendosë për hapat e mëtijshëm. Opsioni për dorëzimin e mandateve nga ana e deputetëve socialistë dhe të të zgjedhurve lokalë duket tashmë se ka ranë, por do të diskutohet në lidhje me rrugët që do të përdoren për të kundërshtuar atë që socialistët e quajnë “vjedhje të mandatit në tavolinë”. Nga ana e tij vetë Rama nuk përjashtoi disa ditë më parë dhe rrugën e protestave, por të njëjtat burime shprehen se nuk ka një plan afatshkurtër për këtë çështje. Pra, pritet të përfundojë vera që socialistët të mendojnë thirrjen e njerëzve në Tiranë për të protestuar në lidhje me mandatin e Bashkisë të Tiranës. Gjithashtu në mbledhjen e Asamblesë më 29 qershor pritet të diskutohet dhe për ndërprerjen ose jo të bojkotit të Kuvendit, i cili ka filluar që pas datës 18 maj, kur KQZ-ja mori vendimin për të numëruar votat e hedhura në kutitë e gabuara.

Asambleja

Asambleja e Partisë Socialiste do të mblidhet më datën 29 qershor dhe në qendër të saj do të ketë ristrukturimin e forumeve drejtuese të partisë. Nga gara përjashtohet Rama, i cili në këtë post u rizgjodh në vitin 2009, pas humbjes në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.

Takimet

Në dy takimet e djeshme Edi Rama ka preferuar të mos diskutojë me bazën në lidhje me mandatin e Tiranës, duke e lënë këtë diskutim pas përfundimit të numërimit të votave të filluara në KQZ-ja, poçes që pritet të përfundojë në fund të muajit qershor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›