E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kutitë e thyera, votat të njëjta me numrin e votuesve

23/06/2011  Gjetja e katër kutive të dëmtuara shkakton debate në KQZ

Kutitë e thyera rrëzuan dje alibinë e Partisë Socialiste për ndonjë manipulim të mundshëm nga ana e KQZ-së të zgjedhjeve të 8 majit për kreun e Bashkisë së Tiranës. Nga ana tjetër, me hapjen dhe hetimin e kutisë së thyer u provua jo vetëm integriteti i votave të qytetarëve, por legjitimiteti i procedurave të ndjekura nga KQZ-ja sa i përket menaxhimit të zgjedhjeve në Tiranë. Nga hapja e kutive të thyera rezultoi se numri i fletëve të votimit korrespondonte me numrin e votuesve të regjistruar në procesverbalin e KZAZ-së. Në lidhje me këtë hetim kreu i KQZ-së, Arben Ristani, theksoi se “këtu kemi të bëjmë me një fakt, ku ne kishim për detyrë të vërtetonim jo vetëm integritetin e plotë të kutive, jo vetëm integritetin e votave të qytetarëve të Tiranës, por na u kërkua që të vërtetonim integritetin e procesit zgjedhor në tërësi.” Ndaj, duke iu referuara akuzave të bëra nga opozita, ai shtoi më pas se duhet ta kuptojnë të gjithë se askush nuk ka cenuar integritetin votave të qytetarëve. “Këtu kam parasysh akuzat që i janë bërë këtij komisioni për manipulim apo pjesëmarrje në vjedhjen e votave. Po u drejtohem të gjithë atyre që kanë hedhur baltë mbi procesin dhe procedurat e ndjekura nga KQZ-ja gjatë këtyre javëve të fundit”, - theksoi kreu i KQZ-së. Duke iu drejtuar përfaqësuesit të PS-së në KQZ Genci Gjonccajt, Ristani u shpreh: “Ju po përpiqeni të krijoni gjithë këtë tymnajë të rreme, duke kërkuar që të bëni pis procesin zgjedhor në Shqipëri. Dhe me këtë i keni dhënë fund një herë e përgjithmonë besueshmërisë që kanë votuesit tek ajo që ju përfaqësoni.”

Kutitë e thyera

Sipas administratës së KQZ-së, thyerja e katër kutive të njësisë bashkiake nr. 9 ka ndodhur në ambientet e KQZ-së dhe administrata nuk e kishte konstatuar. Administrata njoftoi anëtarët e KQZ-së se bëhej fjalë për kutinë e votimit 1959 për kryetar të njësisë bashkiake; kutinë 1959 për kryetar të Bashkisë; kutinë 1960 për këshillin e njësisë bashkiake; dhe për kutinë 1963/2, për kryetar të bashkisë. Pasi u hap kutia 1959, u gjetën 20 fletë votimi, ku 16 ishin të rregullta dhe i përkasin kësaj kutie, ndërsa 4 fletë të tjera nuk i përkasin kësaj kutie, por që ishin hedhur gabim nga qytetarët. Gjithashtu numri i fletëve të votimit korrespondon me numrin e votuesve të regjistruar në procesverbalin e KZAZ-së.

Anëtari i KQz-së mohon akuzat mbi sigurinë e kutive të votimit

Zguri: Kodi i pestë është i shënuar në procesverbal nga PS dhe PD

Për anëtarin e KQZ-së Klement Zguri kodi i pestë i sigurisë së kutisë së votimit është shënuar në procesverbalet e firmosura nga komisionerët e PS-së dhe PD-së. “Për sa i përket pretendimit të PS-së lidhur me kodin e pestë besoj se është një nga kodet më të sigurta që mban kutia e votimit. Është një kod që mbyll pjesën hyrëse ku futen fletët e votimit dhe pas këtij procesi nuk ka asnjë arsye për t’u hequr. Ky kod është i shënuar në dy dokumente zgjedhore, përkatësisht në procesverbalin e mbylljes së kutisë së votimit dhe në librin e protokollit të komisionit së qendrës së votimit”, - u shpreh dje Zguri. Ndërsa në lidhje me mosrakordimin e fletëve të votimit me numrin e votuesve KQZ-ja e interpreton si një gabim njerëzor. “Besoj se janë të paarsyeshme e të pabaza, pasi ka rakordim të plotë. Janë thjesht disa rakordime që vijnë për shkak të gabimeve njerëzore. Nuk është vetëm kjo shifër që bën një vlerësim të tillë. Në rast se do të shikojmë dhe rakordojmë të gjitha elementet që përmban procesi, pra fletët e votimit të dorëzuara, fletët e dëmtimit të dëmtuara, kundër fletët, fletët e votimit të përdorura, kanë një përputhje të plotë të tyre. Bëhet fjalë vetëm për ndonjë gabim njerëzor që ndodh me personat që kanë votuar dhe fletët e votimit të gjetura në kuti”, - theksoi Klement Zguri.

Ambasadori i OSBE takim 15-minutësh në KQZ

Volfart: Ndoqa nga afër rinumërimin e votave

Numërimi në KQZ, i shoqëruar me debate të herëpashershme për gjetjen e kutive të thyera, nuk ka kaluar pa u vënë re nga kreu i prezencës së OSBE në Tiranë Eugen Volfart, i cili mesditën e djeshme zhvilloi një takim surprizë në KQZ, ku zhvilloi një bisedë të shkurtër me kreun e institucionit më të lartë zgjedhor në vend, Arben Ristani. Me sa duket, ambasadori Volfart ka dashur të ndjekë nga afër procesin e numërimit të votave të hedhura gabim nga kryeqytetasit më 8 maj, një proces ky që prej 5 ditësh vijon në sallën e mbledhjeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në përfundim të vizitës së tij kreu i OSBE-së në vendin tonë, i cili qëndroi vetëm 15 minuta në ambientet ku po rinumërohen fletët e kontestuara, theksoi se vizita e tij në këtë institucion kishte të bënte vetëm me ndjekjen e procesit të rinumërimit. “Erdha për të vëzhguar nga afër procesin”, - ishin fjalët që tha Volfart për mediet në dalje të godinës së KQZ, por pa pranuar të ndajë me medien vlerësimin e tij. Ambasadori Volfart dhe në tërësi trupi diplomatik i akredituar në Tiranë kanë shprehur interes të fortë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, teksa me praninë e tyre gjatë numërimit në KZAZ kanë ndikuar pozitivisht, duke qetësuar klimën mes palëve në interes të përfundimit të shpejtë të procesit dhe jo zvarritjes së tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›