E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhafa: Procesi s’është ligjor, do ta çojmë në Kolegj

23/06/2011  Socialistët do të mbajnë pezull rezultatin e zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës

“S’mund ta pranojmë rezultatin sepse ky proces ka në themel manipulimin e 117 kutive”

Oli Xhilaga

Rezultati i zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës do të vijojë të mbetet pezull. Kjo për shkak se Partia Socialiste do të vijojë rrugën ligjore, duke ankimuar sërish këtë proces në Kolegjin Zgjedhor. Një fakt i tillë u bë i ditur nga deputeti dhe sekretari për çështje ligjore në PS Fatmir Xhafa. Nga ana tjetër, Xhafa komentoi dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për heqjen e mandatit të deputetit Ilir Beqja.

Vendimi

Përfaqësuesit ligjorë të PS-së po hartojnë kërkesë padinë e radhës që do t’i drejtojnë institucionit më të lartë për shqyrtimin e ankesave zgjedhore, ku në qendër do të jetë pikërisht manipulimi i votave në 117 kuti. Ndërkohë në vazhdën e padive të tyre pranë Kolegjit Zgjedhor socialistët nuk do të lënë jashtë vëmendjes mënyrën e administrimit të kutive të fletëve të votimit nga ana e KQZ-së. Në këtë mënyrë, sipas deputetit socialist Xhafa, PS-ja do të vazhdojë betejën ligjore në Kolegjin Zgjedhor, por edhe në KQZ. Një qëndrim i tillë i kampit opozitar vjen për shkak se ky kamp nuk mund të pranojë si ligjor procesin që po zhvillohet në KQZ, pasi përbën certifikimin e manipulimeve, që filloi pas datës 14 maj dhe vazhdoi më tej me prodhimin e një rezultati të deformuar me hapjen e 117 kutive. “Keqadministrimi i procesit është bërë pas datës 14 në funksion të nevojës, të qëllimit për të ndryshuar rezultatin, për ta deformuar rezultatin në favor të Partisë Demokratike. Nuk ka rezultat sot që flasim, e ka rrëzuar Kolegji. Kolegji ka urdhëruar KQZ-në dhe i ka thënë ‘bëj dhe këto veprime dhe bëj tabelë të re në përputhje me kërkesat e Kodit Zgjedhor’. Kjo do të thotë se procesi është në pikën e tij fillestare”, - vuri në dukje Xhafa. Madje, duke sqaruar më tej argumentet e tij, deputeti i PS-së nënvizoi se “KQZ-ja do të jetë e detyruar sipas këtij urdhërimi të Kolegjit që të miratojë një tabelë të re për njësinë 5 dhe natyrisht për rezultatin e Tiranës në mënyrën se si është duke u administruar ky komision qendror i zgjedhjeve”. Sipas tij, kjo është e papranueshme. Për këtë arsye Xhafa bëri me dije se “ajo që ka interes është fakti se palëve u lind e drejta për ta kundërshtuar këtë tabelë. Ne nuk mund ta pranojmë, se ky proces ka në themel manipulimin e 117 kutive.”

Qëndrimi

Deputeti Xhafa e cilësoi si të politizuar vendimin e Kushtetueses për heqjen e mandatit të deputetit Beqjas. Sipas tij, ky vendim kishte dy standarde, pasi një kërkese e PD-së pranohet dhe ajo e PS-së refuzohet.

PS rimerr traditën e kushteve për PD

“Për të dialoguar me opozitën Saliu duhet të heqë dorë nga vjedhja e mandatit tonë në Tiranë, të respektojë shtetin e së drejtës dhe institucionet ndërkombëtare, pastaj të nxjerrë nga sirtari i plurosur rezolutën tonë për Kuvendin, të propozuar që më 23 dhjetor 2010 e ta pranojë atë plotësisht, së bashku me kontributet e opozitës në procesin e adresimit të 12 prioriteteve kyçe të identifikuara në opinionin e Komisionit Europian. Pasi përmbushja me rigorozitet e tyre, sikundër prioriteteve të tjera që burojnë nga situata në të cilën ndodhet vendi pas zgjedhjeve vendore, do t’i hapte rrugën procesit të vërtetë të shtetndërtimit në funksion të ardhmërisë europiane të Shqipërisë”. Këto ishin kushtet e listuara dje nga ana e Partisë Socialiste për mazhorancën qeverisëse. Deputeti i PS-së Ditmir Bushati gjatë radhitjes së këtyre kushteve i bëri thirrje shumicës në pushtet që të dëgjojë zërin e ndërkombëtarëve dhe të përmbushë standardet zgjedhore, që janë dhe parakusht për integrimin e Shqipërisë në BE.

Deputeti Klosi shigjeton KQZ-në dhe Kolegjin

Partia Socialiste akuzoi dje se vjedhja e manipulimi, që nisën me hapjen e jashtëligjshme të 117 kutive nga kreu i KQZ-së Arben Ristani, i urdhëruar nga kryeministri Sali Berisha, tanimë është shtrirë në të gjitha kutitë e votimit të kryeqytetit. Kështu, deputeti i PS-së Blendi Klosi gjatë një deklarate për shtyp u shpreh se “çdo kuti e hapur deri më sot nga Ristani dhe e njohur si e vlefshme me votat e përfaqësuesve të Saliut në KQZ ka pasur probleme që kanë treguar qartë se integriteti i kutive të votimit është cenuar. Kodet që mungojnë, fletët e votimit për Lulzim Bashën, që kanë mbirë si me magji nëpër kuti, jashtë zarfeve, kodet e numrat e votave që nuk përputhen me procesverbalet, kutitë e thyera e të shqyera tregojnë më së miri se në çfarë përmasash ka arritur manipulimi i vullnetit të qytetarëve të Tiranës”. Madje, duke iu referuar vendimit të Kolegjit Zgjedhor, Klosi theksoi se “ai i dha hajdutit mundësinë ta çojë deri në fund vjedhjen e tij. Procesi tanimë ka humbur legjitimitetin dhe është kriminalizuar fund e krye”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›