E Diel, 1 Nëntor 2026

Sarandë, fushat nën ujë, porti pezullon lundrimin

Pranvera e parakohshme që trokiti në rajonin Jugor ishte një kapriçio e motit. Ditën e enjte dhe kryesisht të premten, reshjet e shiut, dëbora, fortunalet  dhe shpejtësia e erës  treguan se dimri ende nuk ka ikur, bile ai është kthyer edhe më i ashpër e më i ftohtë se në muajt  e mbretërisë së tij. Moti i keq dhe reshjet, që kanë vazhduar prej dy ditësh, kanë sjellë paralizimin e komunikimit detar me ishullin helen të Korfuzit dhe lëvizjet me rrjetin tokësor të rrugëve nacionale drejt rajoneve të tjerë të vendit dhe vendit fqinj. 
Nga kapiteneria e portit të Sarandës është komunikuar dje ndalimi i anijeve, barkave, motobarkave, peshkarexhave me qëllim peshkimin e të gjithë mjeteve lundruese, të ndalojnë lundrimin në det të hapur, për shkak të motit të keq dhe reshjeve të shumta. Një masë e tillë është ndërmarrë me qëllim që mjetet e lundrimit të mos rrezikojnë jetën e ekuipazheve, të pasagjerëve dhe të mjeteve të lundrimit për shkak të dallgëve me një amplitudë jo normale që parashikohet të arrijnë deri 6-8 ballë. Masa e komunikuar nga kapiteneria do të mbetet në fuqi deri në një përmirësim të ndjeshëm të motit, gjë e cila do të ndodhë sipas parashikimeve të metereologëve në javën e ardhshme. Deri atëherë nuk do të ketë asnjë lëvizje mjetesh lundruese në detin Jon. Gjatë gjithë ditës së djeshme, valëzimi në Gjirin e Sarandës ka qenë deri në 7 ballë, ndërsa në det të hapur ka qenë edhe më i lartë. Anijet dhe tragetet, për të shmangur çdo përplasje të mundshme, kanë hedhur spirancën në det të hapur, larg bankinës së Portit të mallrave, portit të udhëtarëve dhe atij të peshkimit, për të shmangur goditjet. Tragetet i linjave të Korfuzit janë ndalur. Fillimi i lëvizjes së linjave do të lajmërohen nga kapiteneria në vartësi të motit. Edhe lumenjtë e Rajonit si Bistrica, Kalasa dhe Pavlla kanë dalë jashtë shtratit e kanë përmbytur fushat nëpër të cilat kalojnë. Fusha e Vurgut dhe ajo e Vrinës më shumë i ngjajnë një liqeni se sa fushave me të mbjellat. Kanalet kullues dhe hidrovorët megjithëse në gjendje të mirë, nuk kanë mundur të përballojnë ngarkesën e shtuar. Më të prekura kanë qenë rajoni i komunës së Alikos, Metoqit, Stjarit, Bajkajt, Xarrës, Mursisë, Vrinës, Livadhjasë, Vurgut dhe gjithë zonës fushore. Të privilegjuar nga reshjet kanë qenë zona malore e kodrinore për shkak të terrenit të pjerrët dhe lartësisë së konsiderueshme mbi nivelin e detit, por edhe këtu nuk kanë munguar rastet e gërryerjes nga erozioni dhe rrëshqitjet e dheut që janë shfaqur si dukuri me rrezik të lartë si në Borsh, Shalës kanë përbërë rrezik për banorët. Ndërsa në rrugën që po zgjerohet Himarë-Sarandë rrëzimi i masiveve të dheut kanë bllokuar pjesërisht për disa orë lëvizjen normale. Parashikuesit e motit lajmërojnë se ditët me mot të përkeqësuar do të vazhdojnë edhe të sot e nesër. Ndaj banorët e këtij rajoni dhe shoferët e mjetet e lundrimit e të peshkimit janë lajmëruar të bëjnë kujdes e të kufizojnë lëvizjet në këto ditë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›