E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzimet e Edi Ramës me pronat publike - zhduku rrugën, ia fali Dash Pezës për pallat

Dossier/Në vëmendje edhe të Prokurores së Përgjithshme Ina Rama

Edi Rama, kryetari i bashksië së Tiranës, e ka shndërruar në “model pune” faljen e tokës publike në kryeqytet edhe pse këtë të drejtë nuk ia njeh askush, as ligji. Në këtë “model pune” të Edi Ramës, edhe organi qendror i akuzës, apo edhe drejtuesja e tij Ina Rama, nuk ngelet më pas, duke formësuar” edhe modelin e tyre, atë të lënies së dosjeve në harresë.
Rasti i denoncuar së fundmi, në qendër të Tiranës, midis rrugës së Durrësit dhe asaj të Kavajës, nuk është i vetmi.
Dokumentet zyrtare tregojnë se këtë punë Edi Rama e ka nisur , të paktën që në vitin 2001, kur ju falte për ndërtim, “miqve” të tij, tashmë edhe deputetë, edhe rrugë të kryeqytetit. Paradoksi i këtij pallati që ka bllokuar të gjithë hapësirën publike në mes shumë pallateve që janë ndërtuar në atë zonë është se ai është ngritur mbi rrugë, duke zaptuar një hapësirë publike të qytetarëve e për më tepër ai është kthyer në një pengesë reale për rrugëkalimin e banorëve që janë shtuar së tepërmi në këtë zonë të Tiranës.
Ndërsa Edi Rama, e ka pasion këtë falje “tokash” në Tiranë, prej disa vitesh, një sërë objektesh, kryesisht pallate të ngritura nëpër “tokat e Edi Ramës”, janë bllokuar, ndërsa edhe dosjet e abuzimit të tyre, vazhdojnë gjumin në organin e akuzës.

Edi Rama i fali rrugën për pallat Dash Pezës
Më se një herë, është denoncuar edhe publikisht, falja e një pjese të rrugës “Urani Pano”, diku prapa Qendrës “Veve” dhe Hotel “Tirana”, që Edi Rama ia ka bërë Dash Pezës, i cili prej vitit 2001 ka menduar dhe filluar ngritjen aty të një pallati 12-katësh, të papërfunduar ende sot në vitin 2009.
Dokumente e shumtë, që vetë bashkia e Tiranës ka arkivuar në dosjen e dhënies së lejes së ndërtimit, dëshmojnë dhe denoncojnë, jo vetëm zhdukjen e një pjese të rrugës në qendër të Tiranës, por edhe faljen që Edi Rama, i ka bërë Dash Pezës, të një “cope” toke, që bashkë edhe me “copën” tjetër, të kuantit të tij Ilir Mata, ka filluar dhe nuk ka përfunduar ende ngritjen e një pallati 12-katësh.
Shkeljet me këtë leje ndërtimi, mbi një truall publik, janë aq të shumta, sa edhe Fatos Nano, në kohën që si kryeministër, drejtonte edhe Këshillin e Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë, kishte urdhëruar pezullimin e ndërtimit të këtij pallati, deri sa “të gjendet rruga” “Urani Pano” që është zhdukur.
Jo vetëm kaq, por edhe Policia ndërtimore, që në kohën e Fatos Nanos kryeministër, por edhe më herët, ka urdhëruar dhe zbatuar pezullimin e punimeve të këtij pallati.

Dosja e abuzimit prej mëse dy vjetësh në prokurori
Prej më se dy vjetësh, Ministria e Punëve Publike, Transporti dhe Telekomunikacionit (MPPTT) ka dërguar për ndjekje penale kryetarin e bashkisë së Tiranës, kryesocialistin Edi Rama, për abuzim me detyrën dhe shpërdorim posti, në lidhje me lejen e dhënë në favor të Dash Pezës, në rrugën “Urani Pano”, në qendër të Tiranës.
Për MPPTT, pas një hetimi administrativ, u evidentuan një sërë shkeljesh dhe abuzimesh.
Shkeljet fillonin që nga dhënia thjesht me një kontratë qiraje të tokës publike, konkretisht rrugës, duke shkelur të gjitha procedurat që parashikon ligji për dhënie për ndërtim të trojeve publike. Në këtë kontekst, mësohet se janë shkelur procedurat ligjore për dhënien për ndërtimi të trojeve publike (kur në ato është i lejueshëm ndërtimi).
Ndër shkeljet e tjera të evidentuara dhe denoncuara edhe në organin e akuzës, është edhe fakti që pallati është ngritur mbi rrugë.
Për pasojë, të gjithë banorëve të zonës, për të dalë te bulevardi “Zogu i I” iu duhet të kalojnë më parë nga Selvia, të dalin në rrugën e Dibrës, gjë e cila dyfishon rrugën, sepse miku i Edi Ramës, Dash Peza, kërkon të ndërtojë pallat në një nga zonat ku çmimi është më i shtrenjtë.
Në bazë të këtyre shkeljeve, dhe të tjerave të konstatuara nga MPPTT, rasti abuziv është denoncuar në Prokurorinë e rrethit Tiranë, ku edhe është kërkuar fillimi i çështjes penale.
Megjithëse ky denoncim ka më se dy vjet që është depozituar në organin e akuzës, ende nuk ka një përgjigje zyrtare për “fatin” e këtij denoncimi, të mbetur në harresë.

(Vijon)
Nesër do të lexoni

Si u dha leja për ndërtimi, pa pasur shesh, por vetëm rrugë
Si dha Edi Rama me qira tokën për pallat dhe tarifat qesharake të qerasë
Vendimet e KRRTRSH-së dhe urdhër pezullimi nga Policia Ndërtimore

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›